VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUSH PO E SHËMTON KOSOVËN DHE UÇK
Nga REXHEP SHAHU

E Enjte, 02.28.2013, 07:34am (GMT1)





Lajmi se "Mbi 46 mijë kosovarë "ishin" në UÇK" është rivrasja e të vrarëve për Kosovën dhe lirinë e saj, është shëmtimi i kufomave të tyre, shëmtimi i sakrificës së tyre sublime. Është shëmtim i Kosovës. Kush ka interes të shëmtohet Kosova?
Ky është ndër lajmet më të rënda e të pista që dëgjohet. Kjo është tallja dhe fyerja më e madhe që u bëhet shqiptarëve. Kjo është rivrasja e të rënëve dhe të plagosurve të vërtetë të luftës për liri.

Ata që rendin dhe që paguajnë euro në dorë apo paguajnë në natyrë... ata nuk janë luftëtarë, ata mashtrojnë, ata kanë ndënjtë në dimiat e grave dhe sot duan të shkruhen luftëtarë.

Por lufta për Kosovën nuk ka ndodhë para 200 vjetesh dhe nuk ëshët bërë në fshehtësi. Të gjithë janë deshmitarë të gjallë. Ka filmime e fotografi pa fund. Kush hesht sot për këtë shëmti që po i bëhet Kosovës, kush është I përfshirë në këto interesa të flliqta, nuk e don Kosovën, nuk i don shqiptarët.

Të huajt, miqtë dhe armiqtë, që na kanë njohur e na njohin mire, që na kanë ndihmuar në luftë me pjesëmarrje e me shumëçka tjetër, do të tallen me të drejtë dhe do të na zhvlerësojnë pafund kur ta dëgjojnë këtë histori mashtrimi.

Po të ishte 46 mijë anëtarëshe UÇK nuk do të mundnin serbët të bënin ato që bënë në Kosovë se 46 mijë shqiptarë nuk janë 46 mijë zogj pulash kur luftojnë në tokën e tyre, mes njerëzve të tyre.

Po të ishin 46 mijë ushtarë në UÇK nuk kishte nevojë me ardhë askush me e çlirue Kosovën sepse 46 mijë djem edhe me gurë i kishin mundë 50 mijë serbë që kane luftuar në Kosovë, në tokë të huaj, në vend të panjohur.

Kush don me ia ba këtë shëmti Kosovës, kush don me u tallë me të? Këtu ka vetem biznes. Si nuk u ngopën të ligjtë duke i bë keq Kosovës.

Fill mbas luftës në 1999, shkoi në 16 mijë numri i të rrjeshtuarve në UÇK, duke shtuar edhe ata që paguanin deri në 50 mijë marka për ta shkruar emrin në UÇK pa qenë në luftë fare. Funksionoi në një farë mase ky biznes.

Unë që po shkruaj këto radhë, jam ai që kam bërë lojë publike e mediatike me shifrat e luftëtarëve të UÇK në kohën e luftës për gati dy vjet. Unë zmadhoja, nuk gënjeja por zbukuroja. Vrisja serbë kur doja në lajmet që trilloja dhe publikoja...

Unë jepja lajme "nga burime të sigurta që nuk pranojnë të identifikohen..." (burimi i vetëm isha vetë), se UÇK shkoi në 16 mijë luftëtarë. Kisha plotësisht dorë të lirë dhe isha plotësisht i bindur se po bëja mirë. Pas pak ditësh jepja lajm se nga perëndimi erdhën dhe u rrjeshtuan në UÇK edhe 9 mijë luftëtarë të tjerë... Pastaj e çova numrin e ushtarëve të UÇK në 38 mijë, pastaj në 54 mijë dhe një ditë tjetër thashë se numri i luftëtarëve të UÇK shkoi në 100 mijë. Thoja gjithashtu se janë gati për të hyrë në Kosovë edhe 30 mijë luftëtarë të tjerë vullnetarë të ardhur nga vendet e perendimit. Për tre muaj, dhashë lajm një ditë, UÇK do të bëhet 150 mijë luftëtarë. Këto lajme janë dhënë në disa media si Radio Kukësi, Radio Tirana, Radio Shkodra, Radio Dojçevele... etj. Në atë kohë nuk janë dhënë pa qëllim dhe nuk kanë bërë dëm lajme të tilla.

Por sot të bësh numrin e ushtarëve të UÇK 46 mijë është tallja dhe poshtrimi më i madh që i bëhet Kosovës dhe shqiptarëve.
Kjo shifër biznesi, bën që t'u vijë turp atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën, tu vijë turp atyre që janë invalidë të vërtetë lufte sot, bën që t'u vijë turp ushtarëve të vërtetë që kanë qenë në luftë me të vërtetë në Kosove brenda e jo në luftë me mua kafe më kafë nëpër Kukës, Krumë, Tropojë, Tiranë e Durrës.

Zmadhimi i numrit të luftëtarëve zvogëlon përmasat e vërteta të luftës dhe qëndresës shqiptare, u shkon për shtat serbëve dhe me të drejtë ata do të thonë nesër se 46 mijë luftëtarë shqiptarë në UÇK, ishin e janë si me kanë, si mos me kanë.


REXHEP SHAHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.