Emri dhe fama e Prof. Selman Rizës lidhet para së gjithash me shkencën e gjuhës, madje me disa nga fushat e saj më të vështira, ku do të veçoheshin ato të morfologjisë historike dhe moderne, të kritikës gjuhësore, e cila futet për herë të parë në tryezat shkencore të gjuhës shqipe dhe mbeti në nivelin fillimtar të shpalosur prej S. Rizës, si dhe të tekstologjisë, gjuhësore dhe letrare. Të gjitha këto gjurmë të shqyrtimeve shkencore edhe sot e kësaj dite mbeten modelet më të larta si arritje dhe shenjëzime të verifikimit dhe interpretimit të faktologjisë gjuhësore dhe letrare të gjuhës shqipe. Botimi i katër veprave të plota, të punës studimore dhe shkencore të Selman Rizës, nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një punë e pashoqe në zbardhjen e dimensioneve të njeriut poliglot, që fliste dhe shkruante 12 gjuhë të huaja, por edhe që e zotëronte në majë të gishtave gjuhën shqipe, gjuhën amtare, ku është përfshirë gati e gjithë puna shkencore e tij, me vepra të tilla si "Tri monografina albanologjike", "Gramatikë e serbo-kroatishtes", "Fillimiet e gjuhësisë shqiptare", "Diftoret e shqipes dhe historiati i tyre", "Nyjat e shqipes", "Pronorët e shqipes", "Emrat në shqipe sistemi i rasave dhe tipet e lakimit", "Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore", "Fillimet e gjuhësisë shqiptare", "Pozita e toskërishtes", "Problemi gjuhësor dhe zgjidhja e tij", "Hyrje në fjalorthin terminologjik", "Një shqyrtim kritik mbi fjalorin e Bariçit", "Relacion i zgjeruar mbi ribotimin kritik të Gjon Buzukut nga Eqerem Çabej", etj. Nisur për nga vlerësia dhe prurjet e prekshme në këta laminj të gjerë të shkencave gjuhësore dhe tekstologjike, por sidomos nga njohja më nga afër e çështjeve të letërsisë së hershme të shekujve të 16 dhe 17, do të ndalesha paksa më gjatë mbi veprën "Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe", një punim fondamental sa i përket formatit të parë të letrave shqipe, një tekst i përpunuar disa herë, që në fakt vuri themelet e zanafillës, por edhe të shenjave gjuhësore dhe letrare të kësaj periudhe, që shënon edhe të vetmin tekst të plotë, shkencor dhe shkollor, kushtuar etapës së parë të letrave shqipe.
Veprimtaritë kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Selman Rizës zhvillohen në muajt nëntor-dhjetor 2009. Ato nisin me homazhin që u bëhet eshtrave të tij në hollin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe përcjelljen e tyre për në Kosovë, ashtu si e kishte lënë në testamentin e vet.
Ceremonia e rivarrimit do të bëhet në Gjakovë, vendlindjen e tij, më datën 26 nëntor. Po atë ditë do të inaugurohet në qendër të Gjakovës busti i Selman Rizës, vepër e skulptorit Ismet Jonuzi. Gjithashtu, do të hapet një ekspozitë për jetën e veprën e Selman Rizës në Muzeun e Gjakovës dhe do të përurohen librat e tij: Vepra v, Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës nga akademiku R.Ismajli dhe libri i tij i fundit "Mendime të shkëputur të një vazhde të vetme".
Në Pallatin e Kulturës do të zhvillohet simpoziumi shkencor për figurën dhe veprën e Selman Rizës.
Kulmi i këtyre veprimtarive do të jetë Akademia solemne në Prishtinë dhe dekorimi i Selman Rizës nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me dekoratën "Medalja e Lirisë".
Në muajin dhjetor aktivitetet kushtuar Selman Rizës do të zhvillohen në Shqipëri.
Kryeministri, homazhe në nderim të gjuhëtarit në ambientet e Akademisë së Shkencave
Berisha: Riza, një nga kollosët e atdhetarisë dhe gjuhës shqipe
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi të dielën, homazhe në ambientet e Akademisë së Shkencave, në nderim të gjuhëtarit, Selman Riza, eshtrat e të cilit do të kthehen në vendlindje, Gjakovë (Kosovë). Kryeministri Berisha e konsideroi Selman Rizën si një nga kollosët e gjuhës së bukur shqipe, por edhe një nga kollosët e atdhetarisë dhe dashurisë për Shqipërinë dhe Kosovën. "Sot, kombi përulet me nderimin më të madh dhe respektin më të thellë, ndaj njërit prej burrave të tij më të shquar, shkencëtarëve më të njohur dhe atdhetarëve më të flaktë, Selman Riza", tha Kryeministri Berisha në një prononcim për mediat. Duke nderuar figurën e Selman Rizës, kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se, "ai nuk u mposht kurrë edhe pse klika obskurantiste e Enver Hoxhës e syrgjynosi, duke besuar se do të mund ta mposhte". "Selman Riza është sot më i gjallë se kurrë dhe kthehet në Kosovën e tij të lirë dhe të pavarur, për të cilën ai punoi gjatë gjithë jetës së tij, si pak kush tjetër", tha Kryeministri Berisha, duke shprehur nderimin më të madh për veprën e këtij kollosi të shkencës dhe atdhetarisë shqiptare.
Selman Riza (1909-1988) ishte një ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë të shekullit XX, i cili dha një ndihmesë të madhe në disiplinat e ndryshme të gjuhësisë shqiptare, duke zënë një vend shumë të rëndësishëm në historinë e albanistikës dhe sidomos në historinë e gjuhës letrare shqipe. Gjuhëtari Riza hyri në shkencat gjuhësore shqiptare pikërisht nëpërmjet standardizimit të gjuhës shqipe dhe të historisë së shqipes letrare.
Pas goditjes politike dhe profesionale, largimit nga puna shkencore dhe mosbotimit të veprës së tij, erdhi dhe përndjekja në provincë, sipas modelit të Revolucionit proletar Kinez
Persekutimi i shkencëtarit Selman Riza
Uran BUTKA
Vepra e Selman Rizës është produkt i një gjenialiteti dhe i një pune jashtëzakonisht intensive e të vështirë, por edhe i një luftëtari të paepur. I një luftëtari kryengritës të lirisë, të mendimit e të fjalës së lirë, të punës shkencore të lirë, të kritikës shkencore të lirë, të së vërtetës, por edhe luftëtar i pashëmbshëm i Kosovës, i irredentizmit kosovar, i kundërkomunizmit, i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Ky dimension i luftëtarit, që prekte edhe vetë sistemin politik e shtetëror, bëri që pushtetet policore kumuniste në Shqipëri e Jugosllavi, herë në bashkëpunim e herë në rivalitet kundër tij, ta konsideronin të rrezikshëm dhe ta persekutonin çmendurisht.
E arrestuan në janar të vitit 1945, sipas dokumenteve që disponojmë , me kërkesën e qeverisë jugosllave, cilësuar si bashkëpunëtor me okupatorët fashistë dhe kriminel lufte. Akuza krejtësisht të pabazuara, madje absurde, sepse, së pari, Selman Riza ishte një nga intelektualët e parë antifashistë, që mori pjesë e foli në protestën për vetflijimin e oficerit gjakovar Xhemali Rexha, dhe në demonstratën kundërfashiste të 28 nëntorit 1939 në Korçë. Për veprimtari antifashiste u burgos nga italianët në fillim të vitit 1940 dhe u internua në ishullin Ventotene. Po ashtu, në Kosovë e Shqipëri qe kundër pushtuesve nazistë, ideator i lëvizjes antifashiste irredentiste kosovare, pa u bërë as "bisht" i Ballit e as "shtojcë" e Frontit NÇ të Shqipërisë e të Jugosllavisë , për një luftë të kosovarëve në krah të Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë "për të dhënë edhe na kosovarët kontributin tonë të gjakut kauzës botërore të lirisë së popujve dhe për të pargarantuar materialisht ushtrimin efektiv të së drejtës së vetvendosjes" .
Me këto akuza kundërthënëse, shteti komunist policor, antinjerëzor dhe antikosovar i Shqipërisë dhe ai i Jugosllavisë, e arrestuan S.Rizën pa asnjë fakt apo faj, e burgosën pa e gjykuar, e mbajtën në burg pa e dënuar, në Shqipëri (1945-1948), mandej ua dorëzuan jugosllavëve pa "inventar" si një plaçkë tregu për ta çbërë, duke qenë shtetas shqiptar. Jugosllavët e futën në burg pa e gjykuar dhe pa e dënuar (1948-1951).
Motivi i vërtetë ishte qëndrimi i pashëmbshëm i S.Rizës ndaj Kosovës. Sipas vetëvlerësimit të tij, dy ishin pasionet e mëdha të Selman Rizës: Gramatika dhe Kosova.
"Unë qysh atëherë (në rininë e tij, shën.im UB), problemin kombëtar e ndërballkanik të Kosovës e bëra preokupimin politik (jo numër një, por) të vetëm të jetës sime. As detyrës elementare për të mbrojtur (jo pa ndonjë vetërrezikim) kreditin moral të emrit kosovar, mund të pohoj lirisht se kurrë nuk i kam bërë bisht", shkruan Riza.2
Çështjes së Kosovës ai iu përkushtua "sa me mendje e me ndjenja". Dhe, sipas tij, e vetmja platformë e përshtatshme për zgjidhjen plotësisht shqiptare ishte ajo e irredentizmit kosovar, që imponohej vetiu, edhe si çlirim nga pushtuesit fashistonazistë në krah të Aleatëve Antifashistë, edhe si shkëputje nga Jugosllavia, edhe si bashkim me Shqipërinë mbi parimin e vetvendosjes.
Ja si e vlerëson Lëvizjen Irredentiste të S.Rizës, Pavle Joviçeviç, Sekretar i Komitetit të PK Jugosllave për Kosovën, në një letër drejtuar PKSH:
"Lëvizja irredentiste është më pozitivja nga të gjitha rrymat e tjera, por për ne më e rrezikshmja, ngase në krye të saj është avokati Selman Riza, i cili nuk ka bashkëpunuar me pushtuesit... Ai është kundër bashkëpunimit me LNÇ Jugosllave dhe Partinë Komuniste Jugosllave dhe gjithashtu thotë, se nuk dëshiron të lidhet as me Partinë Komuniste Shqiptare dhe Lëvizjen NÇ të Shqipërisë. Ai dëshirin njëfarë pavarësie qysh sot. Ai dëshiron që qysh sot, Kosmeti të shkëputet nga Jugosllavia..."
PKJ e konsideronte të papranueshme këtë lëvizje, ashtu siç quante të tillë edhe Lëvizjen e pavarur Kryeziu, e udhëhequr nga Gani Kryeziu, dhe e mbështetur nga britanikët dhe që synonte çlirimin e Kosovës me anë të luftës antifashiste, por jashtë Frontit NÇ të Jugosllavisë e të Shqipërisë. Thuajse Irredentizmi kosovar i Selman Rizës e gjeti mishërimin tek Lëvizja e Armatosur Kryeziu (1941-1944), në të cilën ndihmësoi edhe Llazar Fundo, miku i Selman Rizës. Madje, në takimet e bisedimet e majorit britanik Kemp me kryezinjtë, që u zhvilluan në shtëpinë e Hasan beg Kryeziut në Gjakovë në vitin 1943, ku morën pjesë edhe irredentistët Selman Riza dhe Ejup Binaku, u arrit marrëveshja që të formoheshin çeta nga ana e Ejup Binakut.
Dihet fati i Lëvizjes Irredentiste dhe i Lëvizjes Kryeziu, si edhe fati i Gani Kryeziut, që e mbyllën në burgun e Sremsko Mitrovicës, ku vdiq, i Llazar Fundos që e pushkatuan me urdhër të E.Hoxhës dhe i Selman Rizës që e burgosën në Shqipëri e në Jugosllavi.
Të njëjtin trajtim edhe pas burgimit.
Jugosllavët e vendosën pedagog të frëngjishtes në Universitetin e Sarajevës dhe punonjës të Institutit Albanologjik në Prishtinë, por e mbajtën nën kontroll të plotë të UDB-së, mandej e suprimuan Institutin Albanologjik të Prishtinës, e ndaluan Selman Rizën, i bënë një kontroll të rreptë shtëpisë së tij dhe i sekuestruan edhe dorëshkrimet, i kërkuan sërish të merrte nënshtetësinë jugosllave, por ai nuk pranoi, ndaj e nxorën jashtë kufijve si të padëshiruar.
Edhe pushtetmbajtësit e Shqipërisë, e emëruan në Institutin Albanologjik të Tiranës, por e vunë nën një mbikqyrje e survejim të plotë nga Sigurimi i Shtetit dhe, kur ishte në kulmin e punës shkencore, e pushuan nga puna, e dëbuan nga Tirana si të padëshiruar dhe e internuan në Berat.
S.Riza ndiqej e përgjohej nga agjentët e Sigurimit të Shtetit kudo: në shtëpi, në rrugë, në vendin e punës, në lidhjet familjare e shoqërore. I kontrollohej gjithçka: çdo bisedë, çdo korrespondencë brenda e jashtë, çdo lëvizje. Madje, i kishin vënë edhe aparate përgjimi. Me dhjetra titullarë të Ministrisë së Brendshme, operativë të sigurimit dhe bashkëpunëtorë të fshehtë ishin vënë në vëzhgim e përndjekje të Selman Rizës. Me dhjetra raporte tepër sekrete për S.Rizën kalonin deri në qarqet e larta të pushtetit dhe të partisë, midis tyre dhe një raport i hollësishëm i ministrit të Brendshëm drejtuar Enver Hoxhës. Kjo mbikqyrje e rreptë vazhdoi edhe kur u internua në Berat, edhe pas daljes në pension në Tiranë deri ditën që vdiq.
Bie fjala, një agjenti me nofkën Tarabosh, i qe ngarkuar nga Drejtoria e Sigurimit: "meqenëse je i interesuar për të mësuar frëngjishten, vazhdo të bisedosh me S.R. për t'u futur thellë në mendimet e tij në çdo drejtim". Pra, për t'i kontrolluar edhe mendimet.
Kjo trysni e shtetit policor nëpërmjet Sigurimit të Shtetit dhe trysnia tjetër e padurueshme e shtetit burokratik, e mishëruar tek drejtori i Institutit, ia nxinë jetën S.R dhe më në fund e rebeluan atë. Është tepër eklektike të thuhet, se ky rebelim ndodhi për motive personale, për shkak të marrëdhënieve Kostallari-Riza, se nisi me letrën, arriti kulmin me fletërrufetë dhe u mbyll me mbledhjen dyditore inkuizicionale në vitin 1967.
Në të vërtetë lufta kundër Selman Rizës kishte filluar me kohë, qysh nga viti 1943-1944 dhe vazhdoi për gjithë jetën e tij, në Shqipëri dhe në Kosovë. Në letrën e Enver Hoxhës të 10 prillit 1944 drejtuar Sekretarit të Komitetit Krahinor të PKJ për Dukagjin, botuar për herë të parë nga Prof. Rexhep Ismaili, gjejmë urrejtjen e E.Hoxhës për "reaksionarin pseudo-demokrat Selman Riza, dishepull besnik i Zai Fundos" .
Në letrën që i dërgon Fadil Hoxha, KQ të PKSH me 9.02.1944 shprehet: "Vendin e Ballit këtu tek ne po e zen irredentizmi që s'asht gja tjetër veçse nji degë e Ballit. Irredentizmi (shkëputje kryengritëse e Kosovës nga Jugosllavia, -shën UB) drejtohet këtu prej Selman Rizës, mikut e shokut të Safet Butkës. Këta kanë botue edhe nji farë broshure ku kallëzojnë karakterin e cilësitë e tyne si edhe rrugën qi do të ndjekin. Në broshurë direkt nuk na atakojnë, por lenë me kuptue se do të na atakojnë edhe me shkrim, mbasi me gojë s'ka pushue së atakuemi, po të thuesh qyshse pushti Selman Riza ka ardhë në Kosovë" .
Lufta kundër Selman Rizës bëhej për motive nacionalpolitike, vazhdoi e ndërthurur në të dy shtetet dhe vendimet përfundimtare u morën në nivelet më të larta të tyre.
Në Shqipëri, drejtori i Institutit, A.Kostallari, duke qenë pjesë e Partisë që drejtonte çdo gjë, pjesë e Sigurimit të Shtetit, që kontrollonte çdo gjë dhe pjesë e administratës shtetërore që sundonte me dorë të hekurt, drejtonte kryqëzatën kundër Selman Rizës. Në një bisedë informative me operativin e Sigurimit, datë 3.10.1961, Kostallari e informon: "Pranë fakultetit tonë punon i quajturi Selman Riza, i cili vitet e fundit ka ardhur nga Jugosllavia. Gjatë punës së tij këtu, ka shfaqur mendime jo të drejta mbi kuadrin e vjetër e të ri, i akuzon se nuk dinë dhe se janë të aftë të drejtojnë punën shkencore, këto i bën në mënyrë demonstrative" .
Në një informim tjetër të A.Kostallarit në vitin 1962 për Sigurimin, thotë: "..punonjësi shkencor S.R. ka qenë një nga aktivistët e organizatës tradhtare të B. Kombëtar, në ngarkim të të cilit nga një trakt që është lëshuar nga partia jonë gjatë luftës, demaskonte të përmendurin si eksponent dhe armik në shërbim të Ballit e të okupatorëve. Në një leksion për albanologjinë që ish ngarkuar ta bënte, nuk ka shkruar realitetin, duke i dhënë një frymë në favor të Jugosllavëve.... Na ka thënë Selmani nuk merremi me politikë, por jemi të pavarur si shkencëtarë. Ne jemi autoritete shkencore dhe jo administrative, nuk duhet bërë propagandë për çështjet shkencore ...Studimet i ka kryer në Francë, por nuk ka asnjë dokument për fakultetin e kryer. (S.Riza ka kryer dy fakultete njëherësh, për literaturë dhe drejtësi, shën.im.UB) Është tip egoist dhe e mbivlerëson veten e tij. Qysh nga prishja e marrëdhënieve me BS, ka filluar të aktivizohet, duke goditur sistematikisht punonjësit e tjerë të vjetër e të rinj, sidomos tani flet kundër A.P., gjë që më parë nuk e bënte. Me qenë se na prish punë, do t'i propozoj KQ për ta larguar nga Instituti.." .
Dhe ky qëndrim në vitin 1962, kur Selmani ishte në kulmin e suksesit të punës shkencore dhe merrte grada shkencore.
Ishte një punë e organizuar nga lart, por, siç thotë Prof Rexhepi, "nuk duhet të ketë qenë i parëndësishëm edhe zelli apo shpirtligësia e ndonjërit" në Institutin Albanologjik. Ishte zelli i papërmbajtur i A.Kostallarit, tiranit të vogël, që e përqendroi fushatën e fshehtë e të hapur kundër Selman Rizës me fletërrufenë e tipit fashist në orët e hershme të mëngjezit, "T'i pritet koka Selman Rizës", e cila, meqenëse bëri shumë përshtypje tek studentët e pedagogët, u zëvendësua me fletërrufenë: "T'i çjerrim maskën Selman Rizës". Mandej mbledhjet e gjata të demaskimit si veprimtari antiparti, ku nuk mungonte dhe udhëheqja e lartë e PPSH (Fadil Paçrami etj) dhe ku u kundërshtuan tezat e S.Rizës: 1.kundër vënies së drejtuesve të institucioneve në disa funksione, partie dhe shkencore, sepse "përqendrimi i tyre në një dorë të vetme, siç ndodhte në të vërtetë edhe me drejtuesit e Institutit, dëmtonte punën dhe krijonte mundësi abuziviste". 2. filozofia marksiste nuk mund të zbatohej në gjuhësi. 3. ky institucion nuk e ka trajtuar drejt çështjen e Kosovës.
Vendimi për një grup antiparti në Institut, ku përfshiheshin Dh.Pilika, S.Riza, Zija Shkodra etj., i hartuar në Ministrinë e Brendshme, jepte disa arsye për ndëshkimin e tyre: "Janë goditur (demaskuar) për pikpamjet e tyre anti-parti... që konsistojnë në mohimin e rolit drejtues të partisë në punën shkencore, etj. Megjithëse kemi marrë disa masa agjenturalo-operative, deri tani nuk kemi vërtetuar nëse kjo veprimtari është organizuar nga ndonjë zbulim i huaj" .
Pas goditjes politike dhe profesionale, largimit nga puna shkencore dhe mosbotimit të veprës së tij, erdhi dhe përndjekja në provincë, sipas modelit të Revolucionit proletar Kinez.
Ishte shteti policor komunist që e vrau për së gjalli Selman Rizën, por jo veprën e tij madhore "deri në fund emancipuese, shkencërisht të thelluar, kritikisht rrugëhapëse, pretendimisht rithemeluese". (http://www.rilindjademokratike.com)