William Bradley Pitt lindi në Shawnee (Oklahoma), në SHBA, më 18 dhjetor 1963. Ka një vëlla më të vogël të quajtur Doug dhe një motër të quajtur Julie, më e vogla e të treve. Babai Bill është drejtues i një firme transportesh dhe nëna Jane është këshilltare shkollash.
Fill pas lindjes së tij familja zhvendoset në Springfield (Missouri), ku babai gjen një punë më fitimprurëse dhe ku Brad kalon i lumtur vitet pa telashe të fëmijërisë dhe të djalërisë, gjithnjë në rrugë duke luajtur me vëllain e motrën, me të cilët është gjithnjë i lidhur.
Familja Pitt është shumë e bashkuar dhe Brad e përsërit në intervistat e tij të vona: "Prindërit e mi kanë qenë për mua figura themelore, udhërrëfyesit e mi më të mirë të jetës. Nëna ime ka qenë e para që ka besuar në talentin tim."
Në Springfield shkon në shkollën Kickapoo High School, që mbante emrin e një kreu fisi indigjen. Bie në sy duke hyrë në skuadrën sportive dhe në Këshillin e Nxënësve. Në këtë kohë lind edhe dashuria e tij për botën e filmave. Kur isha fëmija shkoja në kinema bashkë me gjithë familjen," tregon më vonë ai "mendoj se kështu ka lindur interesimi im për t'u bërë aktor."
Mbaron shkollën e mesme më 1982. Regjistrohet pastaj në Universitetin e Misurit, pikërisht në fakultetin e gazetarisë dhe publicitetit. Pak vjet më vonë, bash në prag të diplomimit, duke e ndjerë më të fortë pasionin për kinemanë, Brad Pitt braktis gjithçka. Paketon pak gjërat e tij dhe niset drejt Kalifornisë, në veturën e tij tejet të shpartalluar, në kërkim të parave dhe të famës. Nuk kishte udhëtuar kurrë përtej Wichita, afër Kansasit. Vendoset në Los Anxhelos. Në xhep kishte të gjitha kursimet e tij, 325 dollarë.
Vitet e para janë për të tejet të vështira. Është i detyruar të jetojë në një apartament me tetë djem të tjerë dhe për të mundur të paguajë leksionet e para të aktorit detyrohet të bëjë punë nga më të rëndomtat dhe më pak të paguarat. Bëhet taksist, vishet si lojtar poloje dhe reklamon restorantin "El Pollo Loco", transporton figorifera e plot punë të tilla.
Arrin të marrë pjesë shumë të vogla në filmat televizivë si "Dallas", "Growing Pains" dhe "Another World". Luan për herë të parë në kinema në filmin "Happy Together" në vitin 1989, të regjisorit M. Damski, pastaj merr një tjetër rol të vogël në televizion përkrah Juliette Lewis, e para e dashur e tij, me të cilën do të vazhdonte tri vjet, shoqëruar nga grindjet, nga droga dhe nga alkooli.
Më në fund arrin edhe një rol i vërtetë, edhe pse zgjat vetëm nja 15 minuta. I jepet, megjithatë, rasti të shpalosë sharmin e tij të djaloshit amerikan në filmin "Thelma & Louise" të regjisorit Ridley Scott nën petkun e personazhit J.D., nistore që përkojnë çuditërisht me ato të James Dean. J.D., një bohem që udhëton me makina të rastit, fut në dorë Geena Davis, por jo vetëm në ekran. Çastet e tij në shtrat me aktoren, thonë ekspertët, ishin vendimtare që Brad Pitt të shndërrohet menjëherë në aktorin më të adhuruar nga bota femërore. Karriera e tij fillon vërtetë të marrë flatra.
Më 1991 merr rol kryesor në "Johnny Suede" të regjisorit Tom Di Cillo. Pak më vonë, me regjisorin Robert Redford, luan në filmin "A River Runs Through It" ("Përmes rrjedh lumi"). Brenda pak vjetësh bëhet një emër i rëndësishëm në botën e kinemasë dhe regjisorët e mëdhenj e producentët kinematografikë nuk ia ndajnë sytë.
Prapë me Juliette Lewis, në vitin 1993, luan në rolin e një vrasësi me pagesë (serial killer) në filmin "Kalifornia" të regjisorit D.Sena, duke i shuar përfundimisht zërat që e vinin në dyshim talentin e tij si aktor. Pastaj luan me Tom Cruise e Antonio Banderas në filmin "Interview with Vampire" (Intervistë me vampirin) më 1994. Po atë vit revista "People" e shpall "burrin më sexy të planetit". Revistat kinematografike dhe ato të gossipeve (thashethemeve) e ndjekin hap pas hapi për të zbuluar ndonjë flirt të tij, i vërtetë apo sajuar qoftë.
Fama e burrit të bukur dhe sexy, gjithsesi, nuk e kënaq. Ai bën gjithçka për të dëshmuar se është edhe i zoti. Ia arrin mrekullisht duke luajtur në plot filma, ku nuk druhet të shëmtohet apo të bëhet i pahijshëm. Më 1995 luan në "Seven", një thriller plot ankth (suspence) me të mëdhenjtë Morgan Freeman dhe Gwyneth Paltrow, një aktore të re njëzetedyvjeçare nga Los Anxhelosi, me prejardhje angleze. Bien menjëherë në dashuri dhe ata të dy janë të pandashëm për katër vjet rresht. Ndërkohë karriera e tij njeh vetëm lulëzim.
Merr kandidaturën për Oskar si aktori më i mirë joprotagonist me "Twelve Monkeys" (Dymbëdhjetë majmunët), 1995, të regjisorit Terry Gilliam, me partner Bruce Willis. Në këtë film luan rolin e një ekologjisti të trallisur. Për të njëjtin rol merr çmimin Golden Glob.
E kush nuk ka dëshirë të luajë pranë një ylli të tillë në ngjitje të përhershme. Mes partnerëve të tij në ekran janë Robert De Niro, Dustin Hoffman dhe Kevin Bacon. Jemi më 1996, në filmin "Sleepers". Pastaj me Harrison Ford, një vit më vonë në "The Devil's Own" (Vetja e qoftëlargut), luan rolin e një terroristi irlandez. Vijnë njëpasnjë filma të mirëpritur dhe me vlerë si "The Seven Years in Tibet", film që ka në qendër alpinistin Heinrich Harrer, i cili më 1939 tenton të ngjitet në Nanga Parbat, duke u përballur me vështirësi nga më të papërfytyrueshmet. Kina e shpalli aktorin person të padëshirueshëm dhe ia ndaloi hyrjen në atë vend. Pastaj është, më 1998, filmi "Meet Joe Black" me aktorin e shquar Sor Anthony Hopkins (së bashku kishin luajtur më herët në filmin "Legende of the Falls"-1994). Në sheshin e xhirimit njihet me aktoren Claire Forlani, e cila fajësohet për ndarjen e tij nga Gwynet Paltrow, kur këta ishin në prag të dasmës. Në fakt ata kishin qenë të ndarë në atë periudhë. Brad fillon marrëdhëniet me Jennifer Aniston, aktoren e serialit të famshëm televiziv "Friends". Pastaj (1999) janë filmat "Fight Club" me regjisorin David Fincher ku luan një rol të ndërlikuar e provokues. Pak më vonë, më 29 korrik 2000, martohet me Aniston. Pas muajsh thashethemesh dhe përgënjeshtrimesh, dasma ndodh vërtetë, në plazhin e Malibusë. Mes qindra dasmorëve ishte krejt trupa realizuese e « Friends » dhe aktorët miq të tij, si Cameron Diaz, Anthony Hopkins, Edward Norton dhe plot figura të tjera të mëdha hollivudiane. Dasma, ku mungonte nëna e nuses, Nancy, e paralizuar, do të ishte tejet kushtueshme.
Si shumëkush tjetër ndër aktorët, ai do të ketë edhe filma të pasuksesshëm, si "Snatch" i regjisorit Guy Ritchie, më 2000, "The Mexican" (2001), përkrah mikes së tij Julia Roberts, njëfarë roli në komedinë e Gore Verbinski e «Spy Game », e një film spiunazhi të regjisorit Tony Scott përkrah të adhuruarit Robert Redford (2001).
Suksesi nuk harron të përsëritet, më 2001, tashmë me «Ocean's Eleven" ku luan me superyje të tjerë si George Clooney, Matt Damon, Andy Garcia dhe Julia Roberts në një komedi brilante hajdutësh simpatikë. Pak vjet më vonë (2004) ai konsolidon veten me filmin historik dhe aventuror "Troja", ku luan rolin e Akil Pelidit. Përballë tij Orlando Bloom luan rolin e bukuroshit Parid.
Me grupin e miqve të ngushtë është prapë me "Ocean's Twelve" (2004), prapë me regjinë e S. Soderbergh, ku aksioni përzihet me gangsterizimin dhe komedinë brilante. Miqtë së bashku vjedhin një kazino. Ndërsa filmi "Mr. and Mrs Smith" i regjisorit Doug Liman, me Angelina Jolie, film aventure, trilleri dhe sentimental, ia ndryshon fatin atij edhe në rrafshin jetëso. Në sheshin e xhirimit ata dashurohen dhe më vonë bashkëjetojnë, duke u bërë kryetarë të një familje të madhe e të lumtur.
Në një intervistë të 7 tetorit 2007 Pitt tha për revistën Parade se ai nuk është më i krishterë dhe nuk beson më në jetën e përtejme. Në këtë intervistë ai tha: "Jam i pajtuar paqësisht me faktin se kam vetëm një jetë dhe për ketë jetë unë jam përgjegjës vetë." Ai është gjithashtu adhurues i arkitekturës, sidomos i arkitekturës së Frank Lloyd Wright. Pitt mbështeti kandidatin presidencial Barack Obama në zgjedhjet e vitit 2008.