
Po i shkruaj
këto radhë me rastin e botimit të librit tim "Rapsodi e Golgotës së
Tranzicionit". I takoj asaj gjenerate, ku fatbërës i jetës time ishte një
regjim totalitarist mynxyrësjellës, në antitezë të plotë me poezinë, për fajin
e vetëm se isha e bija e një poeti, të cilin regjimi e kishte futur në listat e
njerëzve të padëshiruar . Dhe ky ritual pritej të përsëritej brez pas brezi,
nga poeti, tek vajza e poetit, nipat e stërnipat e poetit, në vijimësi.
Si bijë arti, u
linda me poezinë, isha objekti poetik i tim eti, e rrethuar nga tik-taket e
makinës së shkrimit, nga bota poetike e fantazisë dhe figurave si kaligramet e
Apollinaire-it, duke dëgjuar tim atë kur deklamonte, tek deklamimet e mia të
para deri sa nisa edhe unë të shkruaj poezitë e mia, si shprehje vokacioni e
trashëgimie genetike. Por ndërsa tim eti iu ndalua e drejta e shkrimit në moshë
madhore, mua m'u ndalua që fëmijë, ky regjim monstrum të dënonte edhe në barkun
e nënës, duke na futur në listat e qytetarëve të dorës së fundit, të atyre që i
linte gjallë vetëm për t'i poshtëruar e depersonalizuar, e që me ne pastaj të
frikësonte të tjerët.
Jeta jonë ishte
gjithë trauma dhe vuajtje, të braktisur nga të gjithë, por jo nga poezia! Isha
e përjashtuar për jetë nga listat e atyre që regjimi i zgjidhte se cilët do të
ishin shkrimtarët dhe poetët e Partisë së Punës, por isha e privilegjuar në
listat e përpiluara nga vetë Kaliopi, muza e Homerit dhe e poetëve, e cila edhe
në momentet më të vështira të jetës nuk më braktisi.
W.H. Auden thotë
se "Një poet është para së gjithash një person i dashuruar me gjuhën". Po,
qëndron, por unë do të thosha se një poet është, para së gjithash, i dashuruar
me ndjenjat më të holla të zemrës, me spleen-in, e shpirtin e tij. Dhe
jam dakord potësisht me Jevgeni Jevtushenkon se « Biografia e poetit janë
poezitë e tij". Duke shtuar se biografia e poetit është biografia e shoqërisë
ku jeton, e dramave të saj kozmike, vuajtjeve, sfilitjeve, pengjeve,
dështimeve, humbjeve, sfidave, gjithçka është në këtë funksion, ku poeti si një
kronikan respekton thelbin e së vërtetës të ndjenjave. Poeti nuk gënjen kurrë,
nuk është hipokrit, nuk është fals, poeti iu qëndron besnik sensacioneve të
tij, i bindet muzës së tij; poeti është i çuditshëm, "strange", i veçantë,
ngjan gati si i huaj me botën që e rrethon, sepse ndjenja e bën të parandjenjë,
të parashohë, të parathotë; poeti është më njerëzori, nuk e vret dot një mizë,
nuk fyen dot askënd, poeti kur ndihet se gabon, kërkon ndjesë, poeti fal kur e
fyejnë, poeti nuk është lulja e së keqes, është klithma kundër saj. Vargjet e
librit tim "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit " janë fragmente të biografisë
sime dhe të shoqërisë së qytetarëve, janë pasqyrë e atij kalvari që kemi hequr
dhe e asaj Golgote të tranzicionit që na i tërheq zvarrë me brutalitetin e
zvarritjes që Akili i bënte Hektorit, vitet e bukura të jetës.
Kur menduam se
diktatura u rrëzua, sepse poetët janë edhe besimtarët më naivë të rruzullit,
besuam se jeta jonë do të merrte kuptimin e bujshëm, larg reminishencave,
inercisë dhe atavizmave të së djeshmes, por mjerisht shohim se pas njëzet
vitesh kohën na e kanë bjerrë njerëzit që në fakt nuk kanë lidhje me atë që ne
ëndërruam.
Një shoqëri e
dalë nga një burg-bunker gjysmëshekullor nuk mund të shërohet në mënyrë të
menjëhershme, por të paktën tani jemi të kthjellët dhe syçelë. Të paktën askush
më nuk mund të na i diktojë dhe t'i zgjedhë mes turmës se cilët do të jenë
poetët dhe as dogmat nuk mund të na i paraqesë më askush si ideale të lirisë.
Këtë pak a shumë shpreh edhe poezia ime e këtij vëllimi poetik. Ky vëllim i ka
shpëtuar fatalitetit të diktaturës, këto vargje janë të çliruara nga iluzionet
dhe janë të shqiptuara në mënyrën më të sinqertë të mundshme, me sinqeritetin e
fëmijës që nuk di të gënjejë kurrë.
Duke kaluar
jetën time në rivistë në një minutë të tërën, me shpejtësinë e trokun e trenave
e shoh portretin tim në mosha të ndryshme, diku duke matur të rrahurat e
shpeshta të zemrës prej fantazmave të frikës, që shkaktonte terrori i një
regjimi, që kishte fikur sa e sa jetë të pafajshme, me atë pamundim sa të duhet
të ndezësh a të fikësh një fill shkrepse. Por e mbijetuar sepse prapë ne ishim
fillimi i fundit të tyre, i gjeneratave të para që u ndriti ylli i fatit sepse
i shpëtuam ad literam ferrit të diktaturës, paçka se u futëm në spiralet e
Golgotës së tranzicionit. Por destini i poetit më në fund i shpëtoi lakut të
litarit të xhelatit si oguri i një fillimi të pritur e të vonuar njëkohshëm.
Zotit i jam
mirënjohëse gjithashtu sepse na shpëtoi nga armata e produktit më mizerabël të
superstrukturës totalitariste që prodhonte akulturizëm dhe lejfenizimin e
shqiptarëve, një soj larje trush nga njerëz mediokër dhe të pashpirt, që ende
sot i ngrohin duart mbi zjarrin e kalvarit të tranzicionit, ku kultura
shqiptare po vazhdon të digjet në turra drush e vendin e xhelatëve të kritikës
socrealiste që i çonte poetët në litar, e ka zënë antikritika, ajo që vazhdon
të jetë e varur nga politika, në një formë spektakolare, tragjiko-komike si
dordolecë në një buratiniadë.
"Rapsodi e
Golgotës të Tranzicionit" është ankthi i bujshëm i një njeriu dhe i një
shoqërie njëkohshëm për t'iu shpëtuar kthetrave të së djeshmes, për të dalë sa
më shpejt nga labirintet e saj në dritën e diellit, në emër të asaj që na vjen
në dorë vetëm një herë.
(Ky shënim i autores shoqëroi librin poetik me të njëjtin titull - botim i vitit 2012)