VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Histori Çfarë ka ndodhur më 18 gusht?*****
E Hënë, 08.18.2014, 08:05pm (GMT1)


293 pes - Themelohet tempulli më i herëshëm i njohur romak i Venusit (ishte ndoshta kjo datë kur latinët filluan përshtatjen e emrave të perëndive nga përtej detit (Zeus për Jupiter dhe Afërditë për Venus). Kjo ngjarje shënoi edhe fillimin e institucionit Vinalia Rustica, një festival i vjeljes së rrushit, rritjes së perimeve, korrjeve dhe pjellshmërisë. Në mitologjinë romake, Vinalia Rustica është përmbushje e detyrimit ndaj para-ardhësit legjendar të Romës, Enea, i cili i premtoi Jupiterit të gjithë verën e cilësisë së mirë, në këmbim për fitore kundër sundimtarit etrusk Mezentius. Sipas mitologjisë, Venusi ishte nëna e popullit romak nëpërmjet djalit të saj, Enea, i cili i mbijetoi rënies së Trojës dhe u largua për në Itali; Jul Cezari pretendonte se ishte paraardhësi i princit trojan, Enea.

1227 Vdiq Jenghis Khan (60 vjeç) pushtues mongol, i quajtur fillimisht Temujin. Ai pasoi të atin, Yekusai, si kryetar fisi dhe pastaj luftoi për t'u bërë sundimtar i një konfederate mongole. Nga viti 1218 - 1224 ai pushtoi Turkistanin dhe Afganistanin, kontrolloi Persinë dhe Evropën lindore. Jenghiz Khan krijoi një prej perandorive më të mëdha që bota ka njohur ndonjëherë. Migrimet më të rëndësishme në historinë e Europës ishin dyndjet gotike, shek. 3 - 6; dato arabe, shek. 7 - 8; hordhitë mongole të Jenghiz Khanit, shek.13; dhe së fundi dyndjet osmane, shek. 14 -16.

1450 - Lindi në Split, Dalmaci, Marko Marulic, poet, humanist, i njohur si 'ati i rilindjes kroate'. Veprat i nënshkroi si Marcus Marulus, de Marulis, ose Dalmata. Marko ishte gjithashtu i pari që përcaktoi nocionin e psikologjisë, siç është sot në përdorim. Marko Marulis vdiq më 1525.

1587 - Virginia Dare, mbesa e Guvernatorit John White i kolonisë Roanoke, bëhet fëmija i parë anglez lindur në Amerikë. Më 1590, kur John White, u kthye në koloni nga një udhëtim furnizimit në Angli, ai e gjen atë të braktisur - fati i mbi 100 kolonëve, përfshi Virginian, kurrë nuk u mësua.

1899 - Lucy Payne Gaston themelon në Çikago Lidhjen Kundër Duhanit. U deshën rreth 100 vjet, që mbarë shoqëria të hidhej kundër duhanit.

1900 Francezi Konstandin Persky përdor për herë të parë fjalën "Televizion" gjatë një referati në Konferencën Ndërkombëtare mbi Elektricitetin, në Paris.

1926 Naftë zbulohet në Patos, në veri-lindje të Vlorës, 7 km nga Fieri, nën koncesionin e kompanisë britanike anglo-persiane përllogaritjet treguan se sasia e mundshme e naftës ishte papërfitim, dhe fusha e Patosit u braktis, duke i hapur rrugën sipërmarrësve italianë. Patosi është sot qendra e industrisë shqiptare të naftës madje edhe klubi sportiv i tij mban emrin Albpetrol.

1929 Austria ndalon qarkullimin e romanit të Erik Maria Remark "Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit", ku autori sjell përvojën e një ushtari gjerman, simbol i një brezi të shkatërruar nga Lufta e parë Botërore edhe pse mund t'i kishte shpëtuar predhave. Në vitin 1933, kur nazistët erdhën në pushtet, "Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit" u bë një nga librat e parë të "degjeneruar" për t'u djegur publikisht.

1936 Vdiq poeti dhe dramaturgu spanjoll Federico Garcia Lorca; mendohet se u vra nga ushtarët e Frankos, 3 ditë para shpërthimit të Luftës Civile. Ishte 32 vjeç. Në vitin 2008, një gjykatës spanjoll vendosi të hetojë vdekjen e Lorkas, dhe kërkoi hapjen e varrit të poetit për ekzaminim - varri u gjet i zbrazët. Të debatueshme mbeten gjithashtu motivet dhe hollësitë e vrasjes; janë sugjeruar edhe motive personale, jo-politike. Ndërsa autori Ian Gibson (The Assassination of Federico Garcia Lorca), shkruan se vrasja Lorcas ishte pjesë e një fushate vrasjesh massive për eliminimin e mbështetësve të Frontit Popullor marksist në Spanjë.

Para Agimit, nga Federico Garcia Lorca
(shqipërim)
 
Si dashuria,
harkëtarët
janë të verbër.
Mbi natën e gjelbër,
shigjetat përçuese
lënë gjurmë të ngrohta
lulesh.
Rrezet e hënës
çajnë mes reve
dhe shigjet-mbajtëset e tyre
mbushen me vesë.
Por si dashuria,
harkëtarët
janë të verbër!

Mendim i ditës
"Karakteristikat e verteta të injorancës janë kotësia, krenaria dhe arroganca".
Samuel Butler

************
shënim:

Dashamirës;

Këtu përfundojnë 365 ditët e këtij Kalendari (Histori: Çfare ka ndodhur....?), i cili filloi më 19 gusht 2013. Falenderoj të gjithë lexuesit; edhe ata që u mjaftuan me "Mendimin e Ditës", ose vetem me foton; shumë i ndanë ato me miq, apo dhanë pëlqim (like). "Çfare ka ndodhur....?", tregon gjithashtu se historia ndodh përditë, nga çdokush, kudo; ndikon - mirë a keq - përkatësisht, relativisht, papërjashtim, të gjithë.
 
 Me respekt.
Astrit Lulushi
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.