
Tetëqind metra xham, çelik dhe beton, për një rekord botëror të përthyer në grimca dhe thërrime të pafundme, midis mijëra kundërthëniesh. Burj Dubai, rrokaqiella 160 katesh arrin pikërisht në mesin e tronditjes imobiliare-financiare që ka goditur emiratin, dhe epilogu i të cilit është krejt i kundërti, duke shklasifikuar kundërshtarë të vet në Azi dhe në Amerikë. Ndërtimi ka filluar më 2004, ka arritur rekordet e veta të parë në pranverën e vitit 2007, duke mundur të gjitha ndërtimet e banuara e të banueshme, Sears Tower të Çikagos, Petronas të Kuala Lumpurit, kullën e komunikacionit të Torontos e duke vazhduar me të tjera e të tjera që kanë pasur dikur lavdinë dhe sot nuk përmenden as me emra të përveçëm më. E fundmja që do të binte do të ishte në prillin e vitit 2008, pikërisht kulla e antenës së Radio Varshavës, e lartë 646 metra.
Në Dubai tashmë është gati gjithçka. Takimi është për 4 janar kur Lartësia e Tij Sheikh Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, nënpresident e kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe, pra sovran i Dubai, do ta përurojë zyrtarisht mrekullinë e inxhinierisë që hyn drejtpërdrejt në guinness. Një ditë feste për Dubain e për krejt Emirateve të Bashkuara Arabe.
Është e vështirë të thuash se çfarë është Burj Dubai. Sipas Mohamed Alabbar, president i EMAAR (ndërmarrja e kuotuar në Bursë që përbëhet nga tridhjetë sipërmarrje e që është duke e ridezejnuar vendin), "Burj Dubai është tributi botës arabe për artin e shkencvën e teknikës moderne dhe e dizajnit që simbolizon njëzëshmërinë estetike të shumë kulturave nga Arabia në pjesën tjetër të botës".
Sigurisht është një ndërtesë simbolizuese e lindur nga një punë e madhe bashkëpunimi ndërkombëtar (kanë punuar më shumë se triedhjetë ndërmarrje nga vende të ndryshme), dhe ështzë emblema e rolit të Dubait sot: një qytet i pasur, projektuar në të ardhmen, vendimtar në skenarin global. Është dhe për Emiratet demonstrimi i kapacitetit të vet për të bërë gjëra të mëdha në rrafshin e teknologjive të reja. Burj Dubai është një simbol tashmë duke u nisur nga materialet ndërtimore: një sai e madhe çeliku është ricikluar nga "Palast der Republik", Parlamenti i Republikës Demokratike Gjermane, simbol i Gjermanisë Lindore.
Përveç se është ndërtesa më e madhe në botë, Burj Dubai shënon rekorde të tjera. Është ndërtesa me numrin më të madh të kateve në botë: 160 (deri tani kishte rekordin Sears Tower, 110 kate). Është pallati me katin e banuar më të lartë: 601 m (më parë ishte Shanghai World Financial Center, 485 m). Dhe e ka edhe çatinë më të lartë: 601 m (prapë shklasifikohet Shanghai World Financial me 492 metra). Në fund është edhe vendi ku është hedhur beton vertikal më në lartësi (për një ndërtesë): 585,70 metra nga kuota 0 (duke kapërcyer primatin e Taipeit 101, me 439,2 metra).
Brenda Burj është i pari Armani Hotel i botës, në katin e 37-të: 160 apartamente e dhoma për mysafirët projektuar personalisht e në çdo hollësi nga stilisti që synon ta bëjë një ikonë të lifestyle "Stay with Armani". Dymbëdhjetë mirë metra katrore në pesë kate, me një Grand Entrance e shërbime të jashtëzakonshme si Armani-Spa, i pari Armani-Privé i Lindjes së Mesme, klub rezervuar një klientele shumë të larë, dhe hapësirat e gdhendura kushtuar Luleve, Ëmbëlsirave, përveç Galerisë. Mobiljet bëjnë pjesë në një koleksion special, emërtuar Shtëpia Armani. E pastaj: tri mijë metra katrore për konferenca e darka në Ballrom e në Pavillon. Guzhina ofron një përzgjedhje ushqimesh e pijesh italiane, japoneze, mesdhetare e indiane. Për 600 vende pune që do ta përbëjnë personelin e hotelit është në vazhdim rekrutimi në shtatëmbëdhjetë vende.
Hoteli vazhdon deri në katin e 45-të. Nga aty në katin 108, 700 apartamente e qendra tregtare më e madhe e botës. E pastaj prapë një taracë panoramike në katet 123 e 124, një pishinë në katin e 78-të, ndërsa katet e tjerë do të jenë të zëna me zyra. Natyrisht, numrat e Burj (që në arabisht do të thotë "Kullë") janë marramendëse: 43 mijë dollarë për metër katror për zyrat e 37 mijë dollarë për banesat Armani. Për ta ndërtuar janë dashur 45 mijë metra kub beton, 330 mijë tonë llaç e 39 mijë tonë çelik, për njëzet e dy milionë orë pune.
Punët, siç e thamë, kanë filluar më 2004, ndërsa më 2007 ka filluar vendosja e veshjeve të realizuara në xham pasqyrues me panele alumini, projektuar për t'iu rezistuar temperaturave dhe erërave të Dubait. Në këtë sektor kanë punuar më shumë se 380 inxhinierë. Mjediset e brendshme janë dizajnuar nga dizajneri fitues i shumë çmimeve, Nada Andric. Frymëzuar nga kultura vendëse, por projektuar për një vend që dëshiron të jetë një ikonë kozmpolite, janë në xham, çelik të paoksidueshëm dhe gurë të errët, me argjende, dysheme në tuf gëlqeror,
faqet e mureve në stuko veneciane, qilima të bërë me dorë e më shumë se një mijë vepra arti të bëra posaçërisht.
Duket marramendës rekordi i Burj Dubai. E megjithatë duket se është i destinuar të zgjasë pak. Projekti, firmosur nga Skidmore, Owings, & Merrill, studioja që ka punuar në Sears Tower të Çikagos dhe që është duke punuar në Freedom Tower të New Yorkut, ka tashmë një konkurencë të gatshme dhe të regjur. E pothuaj krejt me prejardhje nga Gjiri Persik. Në Bahrein, në Manama, një ndërmarrje daneze është duke projektuar Murjan Tower (Kullën e Koralit): 200 kate e 1022 metra lartësi. Në Kuwait ndërkaq është duke u projektuar Qyteti i Mëndafshit (Madinat al-Harir), me një kullë (Mubarak al-Kabir Tower) 1001 metra. Me një fjalë, Lindja e Mesme duket se dëshiron të rikthejë një rekord, atë të ndërtimit njerëzor më të lartë në botë, të cilin e kishte humbur më 1300. Në atë kohë, katedralja gotike e Linkolnit e kapërceu piramidën egjipitiane të Keopsit, e cila e kishte mbajtur rekordin për 4 mijë vjet. Një rekord gjatës që duket se është shumë e vështirë të kapërcehet ndonjëherë.../Elida BUÇPAPAJ
(http://www.repubblica.it)