Është krahasuar me Clark Gable, James Dean, Robert Mitchum, Marlon Brando. Anthony Hopkins ka deklaruar se ia kujton atë lloj aktori të cilit i përkiste vetë në rini.
Russell Crowe, një prej aktorëve më të thellë e më popullorë të breznisë së tij, nxit krahasime me përbindëshat e shenjtë të ekranit të madh hollivudian, çka e imponon talenti i tij dhe shumanshmëria e tij. Aktori i jashtëzakonshëm, magnetik australian ndihet shumë mirë tek mishëron një larmi të pafund emocionesh. Ai dëshmon të njëjtën besueshmëri e lehtësi të burojë një ëmbëlsi të paskaj e çarmatosëse, ashtu si të transmetojë një brutalitet kërcënues e pothuja prekës. Një aftësi e tillë skizofrenike është një e dhënë që mund ta kenë vetëm aktorët më të mëdhenj.
I njëjti vullnet i hekurt dhe i njëjti përkushtim që tregon në mishërimin e roleve të djalit të mirë dhe të njeriut të lig, bashkuar në guximin e tij për t'i parë rreziqet në sy dhe në sharmin e tij e vënë atë në listën e yjeve të rinj më të përzgjedhur të Hollywood së cilës i përkasin midis tjerësh Edward Norton, Daniel Day-Lewis e Sean Penn që kanë stofin e yllit, një talent të pamasë dhe një mospranim absolut ndaj tundimit për t'u bërë të pëlqyeshëm nëpërmjet sjelljeve të stërholluara. Russell Crowe zotëron ndërkaq një mashkulloritet të llojit të vjetër që tashmë po shkon drejt zhdukjes ndër aktorët e Hollywood, çka e bën të pakonkurueshëm.
Pozicioni i lakmuar të cilin aktori e ka pushtuar në kryeqytetin botëror të kinemasë, duke bërë pjesë në klanin e famshëm e unikal të quajtur "the 20-million dollars boys" (atij grupi të ngushtë aktorësh të cilët fitojnë tonelata me para, ku rreshtohen të tillë si Tom Hanks, Mel Gibson, Tom Cruise, Bruce Willes e tjerë ), është frut i një natyre tejet këmbëngulëse e tejet kryeneçe.
Russell Ira Crowe ka lindur më 7 prill 1964 në Strathmore Park, një rrethinë e Wellington, në Zelandën e Re. Me prejardhje Maori (prej stërgjyshes nga ana e nënës) Crowe ka edhe sot e kësaj dite të drejtën të votojë me kontigjentin elektoral që ligji neozelandez ia garanton pakicës Maori, një popullsi me prejardhje norvegjeze.
Russell Crowe nuk është nga ata që mund të përcaktohet si fëmijë arti, por familja e tij është e lidhur ngusht me botën e spektaklit: prindërit, Alex e Jocelyn, merreshin me shërbimin e catering në sheshxhirimet kinematografike, duke sjellë shpesh Russell e vëllain e tij të madh Terry me vete. Ndërkohë, gjyshi nga ana e babait, Stanley Wemyss, kishte qenë operator kinematografik (kameraman) gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke merituar titullin e nderit të dhënë nga Mbretëresha Elizabetë si Anëtar i Perandorisë Britanike, për shërbimet e bëra ndaj Britanisë.
Ishte 4 vjeç kur u vendos në Australi, ku do të jetonin e do të punonin prindërit. Në Sydney nis t'i frekuentojë sheshxhirimet kinematografike dhe ka rastin, kur ishte vetëm 6 vjeç, të luajë në serinë televizive australiane "Spyforce", e kur ishte 12 vjeç në serinë "Young Doctors".
Kur ishte 14 vjeç Russell me familjen kthehet në Zelandën e Re. Në shkollë gjatë kësaj kohe, nis përvojat e para muzikore që përbëjnë një prej interesave të tij kryesore artistike. Me
pseudonimin Russ Le Roq regjistron disa këngë, midis të cilave këngën me titull profetik "I want to be like Marlon Brando" (Unë dua të jem si Marlon Brando).
Kur ishte 17 vjeç Russell lë shkollën për të vazhduar karrierën muzikore e kinematografike, duke mbajtur veten me punë gjithfarëshe, midis të cilave edhe atë të animatorit turistik.
Arrin të marrë një rol në prodhimin lokal të muzikalit "Grease", pikërisht falë faktit se përveç lojës së aktorit zotëronte edhe artin e të kënduarit. Mori pjesë pastaj në një tur në Zelandën e Re dhe Australia me shfaqjen "The Rocky Horror Show".
Duke këmbëngulur me kryeneçësi të rrallë rrugën e artit, më 1988 do të marrë ofertën për një rol kryesor në një version teatror të "Blood Brothers": emri i Russel Crowe fillon të bëhet i njohur, bashkë me famën e tij të aktorit të talentuar premtues. Regjisori George Ogilvie e do për filmin e tij "The Crossing". Në sheshxhirim Russell njihet me Danielle Spencer, me të cilën do të jetë çift fiks për pesë vjet. Danielle, këngëtare e famshme në Australi e më gjerë, është grua e aktorit dhe nënë e fëmijëve të tij.
"The Crossing", megjithatë, nuk ka qenë filmi i parë i xhiruar nga Crowe: xhirimet qenë shtyrë për më vonë dhe në pritje të rifillimit të tyre ai luajti rolin e një ushtari në filmin "Blood Oath" të regjisorit Stephen Wallace.
Pas "The Crossing" e "Hammers Over The Anvil" (përballë aktores Charlotte Rampling), Russel Crowe luan në filmin "Proof", që ia jep çmimin e Australian Film Institute si aktori më i mirë joprotagonist.
Me filmin aq të përfolur (polemika për temat naziste e raciste zhvilluar në mënyrë joqytetare e violente) "Romper Stomper", në vitin 1992 Russell Crowe do të bëhej një yll australian, duke marrë çmimin e Australian Film Institute si aktori më i mirë protagonist.
Crowe është një kamaleon që ndërron moshën, akcentin e deri formën fizike për rolin që duhet të luajë. Kjo shumanshmëri del në pah prej fillimit të karruerës së tij, kur dy vjet më vonë ai luan në "Romper Stomper".
Me dhjetëra filma në katër vjet dhe një larmi rolesh, sa mund të ndërtonin një curriculum të lakmueshëm, Russell është gati dhe i etur të verë në provë talentin e tij në tempullin e shenjtë të Hollywood.
Vetë Sharon Stone, që e kishte admiruar në filmin "Romper Stomper" e kërkon në filmin ekstravagant "The Quick and the Dead" të Sam Raimi, të cilin ajo po e prodhonte bashkë me një partner tjetër dhe ku ajo e shikonte veten protagoniste së toku me Gene Hackman e Leonardo Di Caprio.
Përvoja hollywoodiane pasurohet me filmin "Virtuosity", përkrah Denzel Washington, ku Russell Crowe interpreton rolin e të keqit, një serial-killer virtual: gjithsesi një gjë fort e kollajshme për të dy aktorët.
Pas filmave jo të famshëm si "Rough Magic", "No Way Back", "Heaven's Burning" e "Breaking Up", arrin "L.A. Confidential" e Crowe ka përfundimisht mundësinë të demonstrojë talentin e tij të madh: dëshmon një aftësi të mprehtë e të jashtëzakonshme për të zhvilluar lehtësisht personazhin e tij, për të ngërthyer te vetja të gjitha hijet e karakterit. Filmi bën për vete kritikën dhe publikun në Kanë më 1997, fiton çmime të panumërta, midis të cilëve dy çmime Oskar.
Pastaj i vjen radha filmit "Mystery, Alaska" (në të cilin Crowe është kapiten i një skuadre diletante hokei mbi akull), më vonë "The Insider", me Al Pacino, për të cilin regjisori Michael Mann do ta krahasojë aktorin Crowe me Marlon Brandon. Academy nuk ka mundur të shpërfillë cilësinë e interpretimit të Crowe, e "The Insider" ia ka sjellë kandidaturën e parë për çmimin Oskar si aktori më i mirë, duke lënë me duar thatë vetë Al Paçinon. Filmi që ia ka dhënë shtatoren ka qenë ai i mëvonshëm, "Gladiator", kampion i arkëtimeve të stinorit kinematografik të vitit 2000, i cili e ka shndërruar Russell Crowe-n nga aktor i talentuar në yll botëror.
Crowe ishte ende duke xhiruar "The Insider" kur producentët e "Gladiator" e kërkuan. Zhytur në atë rok kompleks, duke mos dashur anjë ndërhyrje, Crowe e kthen mbrpasht ofertën. Poe do të ishte vetë regjisori Mann ai që do ta këshillonte të pranonte, në mënyrë që të mos e humbte rastin për të punuar me mjeshtrin Ridley Scott.
Për ta mishëruar gjeneralin Massimo Decimo Meridio, Russell Crowe-t i është dashur të ndërhyjë në fizikun e tij, duke humbur peshën që e kishte vënë gjatë gjashtë javëve për ta luajtur personazhin e Wigand, në filmin paraprijës.
Pas Dopo "The Gladiatore" Crowe xhiron "Proof of Life", një film aventure, me Meg Ryan, si bashkëprotagoniste. Të dy aktorët, njohur me njëri tjetrin në sheshin e xhirimeve, u bënë objekt thashethemesh, për gjashtë muaj rresht, saqë Meg Ryan, për shkak të tyre, do të ndahej nga i shoqi Denis Quaid.
Në mars 2001, fill pasi merrte Oskar për "The Gladiatore", nis xhirimet e një tjetër filmi të madh që e çon në një kandidaturë Oskar si aktori më i mirë protagonist (kandidatura e tretë e njëpasnjëshme, një rekord): "A Beautiful Mind". Në film, drejtuar nga Ron Howard, Crowe interpreton rolin e fituesit të çmimit Nobel për ekonominë John Nash, mbi jetën e të cilit filmi bazohej.
Kandidimet goditnin në shenjë në natën e Oskar 2002 për "A Beautiful Mind" kanë qenë të panumërta (filmi më i mirë, regjia më e mirë, skenari më i mirë jo origjinal, aktorja më e mirë jo protagoniste Jennifer Connelly). Crowe është i jashtëzakonshëm si vetë personazhi i tij: është filmi ku ai arrin apogjeun artistik të tij. Megjithatë ai nuk mori një shtatore. Por merr çmimin tejet prestigjioz Golden Globe dhe çmimin e sindikatës së aktorëve.
Sa mbaronte "A Beautiful Mind", në qershor 2001, Crowe i kushtohej asaj që e përkufizonte si "night job" të tij: muzikës. Aktori nuk e ka braktisur kurrë pasionin e tij të parë dhe gjithnjë vazhdon të luajë me grupin e tij të quajtur "Thirty odd foot of grunts", ku ai është këngëtari, kompozitori dhe tekstexhiu kryesor bashkë me mikun e tij Dean Cochran.
Në verën e vitit 2002 fillon xhirimet e filmit të Peter Weir "Master and Commander", bazuar në romanin e Patrick O'Brien. Në subjektin nga jeta e detarëve, me të gjithë imtësitë e saj, anijet me vela, aventurierët e deteve dhe gjithçka tjetër që e karakterizonte gjysmën e parë të Shekullit XIX, Russell interpreton rolin e kapitenit Jack Aubrey.
Më 7 prill 2003, në tridhjetenëntëvjetorin e ditëlindjes, Russell Crowe u martua me të fejuarën e tij të përjetëshme Danielle Spencer. Pak javë pas martesës është shpallur lajmi për shtatzaninë e Danielles. Djali Charles Spencer Crowe ka lindur më 21 dhjetor 2003.
Në fund të marsit 2004 Russell Crowe vendoset në Toronto, Kanada, për të filluar xhirimet e filmit "Cinderella Man", me regji të Ron Howard, film biografik bazuar në historinë e jashtëzakonshme të boksierit James J. Braddock.
Projekti i tij personal e homazh ndaj Australisë do të ishte filmi "The Long Green Shore", bazuar në romanin e John Hepworth lidhur me pjesëmarrjen e Australisë në Luftën e Dytë Botërore. Crowe, përveçse do të interpretonte personazhin kryesor, do ta prodhonte vetë filmin, do ta shkruante vetë skenarin dhe do ta bënte vetë regjinë e filmit. Aktori shpresonte se me ketë film do të kurorëzonte ëndërrën e tij për t'i sjellë kapitalet amerikane në Australi, duke punuar në një film me buxhet të kushtueshëm, xhiruar në Australi e me aktorë dhe trupa australiane.
Russell Crowe ka në pronësi një fermë në Australi, në afërsi të Coff's Harbour, nja shtatë orë me veturë në veri të Sydney, ku e ka dërguar krejt familjen e tij. Në fermë ai ka lopë të racës Angus, por ai nuk i ther ato, sepse i adhuron shumë; atje është vendi ku ai gjithnjë rikthehet për pushime dhe ku i kalon Krishtlindjet e festat e mëdha me miqtë e të afërmit.
Mes filmave të tij më të rinj është "American Gangster" (2007, me regji të Ridley Scott) ku ai luan personazhin Richie Roberts, detektivin që ka arrestuar në vitet 1970 zotëria i drogave Frank Lucas, interpretuar nga Denzel Uashington. Në vitin 2008 luan rolin e Ed Hoffman në filmin "Body of Lies". Më 2009 luan rolin e Cal McCaffy në filmin "State of Play", një posproduksion, ku ai zëvendëson Brad Pittin. Ndërsa aktualisht është duke xhiruar filmin "Robin Hood", ku ai mishëron vetë Robin Hudin. Bashkë me rolet e reja të realizuara, atij i vijnë kandidime të reja për çmimet, dhënie çmimesh të reja, propozime të reja të pafundme për role të tjera kinematografike, i lindin në kokë mijëra ide për krijime muzikore, kinematografike, përfytyrime të reja personazhesh të panumërta./Elida BUÇPAPAJ