VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Xhudi Denç, Queen Dench
E Djelë, 09.20.2009, 02:13pm (GMT1)

 

 

Çmimin Oskar e ka fituar, 6 herë të tjera është kandiduar: është Judi Dench, protagonistja e jashtëzakonshme e Notes on a Scandal, ndoshta aktorja më e madhe angleze e të gjitha kohërave.

 

Praktikisht ka marrë çdo lloj çmimi që Hollywood, Broadway e Londra mund t'ia ofrojnë një aktori apo aktoreje: 1 Oscar (+ 6 kandidime), 6 Olivier Award, 9 BAFTA (Oskarët Britanikë), 2 Golden Globe, 1 Tony Award, për të përmendur vetëm më të rëndësishmit. Dhe e bukura është se nuk kufizohet me fitoret, pothuaj gjithmonë e bën duke i shoqëruar ato me ndonjë rekord: Oskarin e vitit 1999 e ka marrë me një lojë që ka zgjatur vetëm 8 minuta (ironia e fatit, për një tjetër Mbretëreshë Elizabetë, të Parën, në Shakespeare in Love); të 6 kandidimet kanë ardhur pasi ajo kishte mbushur 60 vjet (duke tejkaluar mite si Katharine Hepburn, Paul Newman, Laurence Olivier e Spencer Tracy, të cilët pas kësaj moshe kishin grumbulluar vetëm 3); më 1996 ka qenë e para (deri tani e vetmja) aktore që ka marrë dy çmime Olivier në të njëjtin vit për dy role të ndryshme. Më një fjalë një përbindëshe (na falni për epitetin) e hatashme, e cila prej 40 vitesh mbretëron në skenën e teatrove britanike: tashmë është përcaktuar përfundimisht, nuk shihet në horizont askush që mund t'ia marrë skeptrin e aktores më të madhe angleze të të gjitha kohërave.


Një kurorëzim shumëzërësh: përveç kritikëve, më 2005 dy sondazhe popullor e kanë vënë atë në krye të klasifikimit. Si artiste, e jo vetëm si artiste: është konsideruar gruaja më elegante e Mbretërisë së Bashkuara dhe edhe më e famshmja në mënyrë absolute. Po, në jetën e përditshma ajo e ka mundur deri edhe Mbretëreshën Elizabetë, duke u renditur pas aktores, si e dyta në famë. "Ndoshta gabojnë, Madhëria e Saj duhet të jetë e para," thotë mbretëresha e artit, "ata që votojnë për mua nuk më njohin aq mirë..." Nëse pastaj provoni t'i lexoni recesnionet, duket se me aftësinë e saj demoniake zbavitet duke i vënë në krizë gazetarët, të detyruar të kacavaren nëpër vitrina për të gjetur epitetet e duhura që ta tregojnë çfarë iu ka ndodhur. Mjafton si shembull kritiku i shquar i New York Times, Ben Brantley, i cili, entusiast sepse më në fund, më 1999 mund ta shikonte në Broadway në një pjesë të David Hare (zonja pothuaj e ka shpërfillur Amerikën, duke mos pranuar të trnasferohet atje), e mbyll recensionin e tij me një "mëkat për të gjorët që duhet ende të provojnë të thonë se teatri ka vdekur, teksa Judi Dench është në skenë." Entertainment Weekly gjithsesi dorëzohet:  "Çdo përshkrim mund të tingëllojë pa kuptim: thjeshtë është e domosdoshme ta shikosh." Ajo që e vë me sukes përballë rivaleve të saj të jashtëzakonshme (bashkëmoshataret Maggie Smith, Diane Riggs e Vanessa Redgrave, kjo e fundit ish shoqe kursi në Central School rrëfente një "lakmi të jasht¨zakonshme për lehtësinë me të cilën Dench bën çfarëdo gjëje") është mbi të gjitha është gjithanshmëria e saj: nga Shakespeare në film muzikor, nga teatri në sit-com (për vite të tëra bashkë me të shoqin, aktorin Michael Williams, ka qenë protagoniste e A Fine Romance e pastaj e një serie tjetër tejet të famshme në Britani, As Time Goes By), nga televizioni në kinema, ka veshur natyrshëm petkun e Giulietta për regjisorin Zeffirelli, të Mbretëreshës Viktoria, të Ofelisë, Gertrudës, Lady Macbeth (kujtuar si "më e jashtëzakonshmja e kohës sonë", në çift me Ian McKellen), por edhe të Sally Bowles në filmin Cabaret e deri tek Filumena Marturano, në një version anglisht të dramës së De Filippo. E pastaj "M", boses së mrekullushme të 007, rol që e ka bërë të famshme edhe për adoleshentët.


Regjisorët që e kanë drejtuar, nga Peter Hall te Hare, te Eyre, mund të flasin me orë të tëra për teknikat e saj tejet të përkryera e tejet të rafinuara dhe për mënyrat si i përdor ajo këtok teknika. Dhe të gjithë pajtohen se magjia e saj qëndron pikërisht se arrin "të bëjë të pamundshmen". Naturshmëri e kontrolluar apo "instinkt i kulluar", siç parapëlqen ta përcaktojë ajo, që përbetohet se nuk i lexon kurrë skenaret para se t'i firmosë kontratat, ajo që është gjithmonë e famshme se qesh dhe bën humor deri një sekondë para se të hyjë në skenë, ajo që i urren ata që provojnë t'ia shpjegojnë tepër me hollësi pjesën e saj. Pasion, energji (pavarësisht se ishte tek të shtatëdhjetat), dhe një karakter jo aq të rehatshëm: ka treguar se është vërsulur shpesh kundër burrit (me të cilin madje ka pasur një raport romantik tridhjetëvjeçar derisa ai vdiq më 2001) me "tasin e nxehtë të kafesë". "Mëkat vetëm se nuk kam pasur shenjë të mirë, kështu që nuk e kam qëlluar kurrë," shton ajo pa e prishur terezinë. E hollë në humorin e saj, e e mprehtë si një diamant, bashkë me aftësinë për të mos i marrë gjërat asnjëherë aq seriozisht. Kur më 1989 u emërua "Dame", ditën tjetër i ka shkruar nistoret e hatashme "D.B.E." mbi kostumin e aktorit që interpretonte Don Pedron në "Shumë gjurmë për asgjë". Në një rast tjetër zyrtar, në Buckingham Palace ka ikur nga Salla e Ballove bashkë me shakaxhiun tjetër Ian McKellen, për t'u përvjedhur në dhomat e fshehta dhe për të provuar të ulet në fronin e Mbretëreshës. E tashmë është legjendare shprehja me të cilën i është përgjigjur regjisorit Peter Hall kur ia ka ofruar të luajë Kleopatrën, kur ajo nuk ishte tashmë në moshën e gjelbër, ishte pesëdhjetë e dy vjeçe: "Jeni i sigurtë se nuk jam në menopauz?". Kur ai ka arritur prapë se prapë ta bindte, ajo ka realizuar një lojë aq sensuale, melankolike, të rrezikshme, të hatashme, ndonëse ajo e lartë vetë një metër e 55, me fizikun topolak, "gruaja më magjepsëse që unë kam parë ndonjëherë me sytë e mi", siç ka thënë regjisori.

 

 

Dench mbetet perandore e skenës së Londrës. Ajo shpesh është krahasuar me Dame Maggie Smith, një tjetër aktore britanike e një tjetër breznie me të cilën ajo ka luajtur në disa filma si Tea with Mussolini (1999) dhe Ladies in Lavender (2004), si dhe në skenë në dramën e David Hare, Breath of Life (2002). Dench do të rikthehej në skenë në West End në prill 2006 në Hay Fever. Më 2006 mbaroi me rolin e Mistress Quickly në muzikalin The Merry Wives, një version i The Merry Wives of Windsor. Më 2007 BBC nxori The Judi Dench Collection, në DVD me tetë drama televizive: Talking to a Stranger quartet (1966), Keep an Eye on Amélie (1973), The Cherry Orchard (1981), Going Gently (1981), Ghosts (1987), Make and Break (1987), Can You Hear Me Thinking? (ku luan me të shoqin Michael Williams, 1990) dhe Absolute Hell (1991). Dench, si Miss Matty Jenkins, luan në serinë e BBC One, Cranford, një seri që jepet më 2008 nga televizionet amerikane. Edhe viti 2008 ishte me projekte të panumërta për aktoren. Ndërsa më 2009 do të rikthehej në teatër për të luajtur në Madame De Sade të Yukio Mishima, prej 13 mars deri 23 maj. Rolet e saj kinematografike, teatrore, çmimet e saj britanike dhe ndërkombëtare, veprimtaritë e saj bamirëse janë tejet të panumërta.


Po ta pranojë sfidën (çka është e vështirë "si të ngjitësh një mal"), Dame Judi mund të bëjë të besosh se është cilado. Të paktëni Iris Murdoch, shkrimtarja e shquar, në vitet e saj të dhimbshme të Alzheimer. Apo së fundi, tejet mizorja, e errëta Barbara Covett, protagoniste filmit Notes on a Scandal, filmi për të cilin ishte kandiduar për çmimin Oskar. Në fillim është paraqitur si një profesoreshë gjimnazi, e qetë, plakë, e cila merr ngrohtësisht nën krahët e saj një kolege të re e të papërvojë Sheba (luajtur nga Cate Blanchett), duke u transformuar pastaj dalëngadalë në një mike këmbëngulëse, vardisëse, në fund duke u shpalosur si një manipuluese e rafinuar, e aftë të bëjë shantazhe kur ajo ka marrëdhënie me një nxënëse minoren. Mjafton ta dëgjojë tek lexon, jashtë rregullave, faqe të tëra të ditarit të përditshëm dhe të vijnë në trup të rrënqethura: notat e errëta të zërit shkëmbor janë mishërim i një ligësie të kulluar. Pa folur për shikimin, të padurueshëm dhe të aftë të transmetojë gjithë dhimbjen universale të vetmisë bashkëkohore.

 

 

Një përbindëshe? "Nuk do të thoja," kundërpërgjigjet ajo e vendosur, e bukur, magjepsëse kur e takon personalisht, e mbështjellë me një kardigan kashmiri elegant, "së paku unë jam përpjekur të mos e shikoj nga ky kënd. Nuk doja ta shfajësoja, por doja ta bëja të kuptueshme: nuk di a është e drejtë ta përcaktosh si të sëmurë, sigurisht është e trubulluar emocionalisht, në disa raste është si një fëmijë, nuk është në gjendje t'i kuptojë e t'i njohë ndjenjat, përveç fakti se ajo është e zbrazur brenda vetes. Kam njohur shumë veta të cilët janë kaq thellësisht të vetmuar, që nuk kanë pasur kurrë dikë që të merret me ta, nuk kanë pasur përkrahjen e askujt për të ekzistuar. Në këtë kuptim mund të jetë një personazh i veçantë, i pashembullit që përfaqëson sëmundjen më të përhapur të shoqërisë sonë; por për mua është edhe një krijesë e papërsëritshme, e vetme në raport me botën tonë, ku jemi trimëruar të shprehim veten tonë në maksimum, të shkojmë të bëjmë analiza, të marrim tableta apo të bëjmë mjekime të ndryshme. Ajo, ndërkaq, është krejtësisht e mbyllur, nuk i shpaloset askujt: nuk di çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte shkuar te ndonjë psikiatër. Ndoshta do të ishte dashuruar me të..."/Elida BUÇPAPAJ

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.