Përshëndetje të gjithëve. Urime të gjithëve në Zërin e Amerikës për shërbimin tuaj të jashtëzakonshëm 70-vjeçar. Që nga transmetimi i parë gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë zëri i lirisë. Shumë më përpara se ne të flisnim për fuqinë e "diplomacisë publike", ju e bëtë misionin tuaj ndihmën që Amerika të komunikojë me botën, për të treguar karakterin e vërtetë të vendit tonë si dhe idealet dhe liritë të cilat ne mbështesim.
Përballë qeverive të huaja që censurojnë, ju jepni lajme që janë të sakta dhe objektive. Përballë regjimeve që mohojnë të drejtat universale, ju i qëndroni në krah lirisë dhe demokracisë. Ndonjëherë, puna juaj shoqërohet me rreziqe të mëdha dhe sot ne përkujtojmë ata njerëz të familjes së Zërit të Amerikës, të cilët kanë dhënë jetën për këtë mision. Të tjerët mund të përpiqen të zhurmojnë sinjalin tuaj ose të mbysin zërin tuaj, por mesazhi ynë nuk mund të ndalet. Nëse është fjala për familjet e izoluara prapa perdes së hekurt apo për studentët që përpiqen të hyjnë në internet prapa perdes elektronike, disidentë që provokohen nga policia sekrete, apo të rinj që marshojnë për dinjitetin dhe shanset që meritojnë, ju jeni zëri që i kujtoni ata se nuk jeni vetëm dhe se ka një vend me emrin Amerikë që qëndron përkrah jush.
Kohët e fundit, bota humbi një prej këtyre mbrojtëse të demokracisë. Dy dekada më parë, në udhëtimin e tij të parë në Amerikë si president, një ndër ndalesat e para që bëri Vaclav Haveli ishte Zëri i Amerikës. Ai i kishte frymëzuar bashkatdhetarët e tij dhe botën me thirrjen që njerëzit t'i kundërviheshin gënjeshtrave të diktaturës "duke jetuar me të vërtetën" dhe ai ju njohu ju, Zërit të Amerikës, meritën se e ndihmuat që ai, dhe shumë të tjerë, të vazhdonin, nëpërmjet së vërtetës që ju tregonit çdo ditë.
Vendi ynë është më i fortë dhe bota jonë është më e drejtë si rrjedhojë e përpjekjeve tuaja të palodhura. Prandaj, në emër të popullit amerikan dhe të miliona njerëzve kudo në botë, të cilët marrin shpresë dhe forcë nga puna juaj, ju falenderoj të gjithë juve që jeni Zëri krenar dhe i fuqishëm i Amerikës.