
Sapo lexon faqet e para të librit " Ferri i të gjallëve" lumturohesh që të ka rënë në dorë ky botim. Një prozë e
shkruar bukur, rrjedhshëm, me plot ngjarje rrënqethëse të mbijetesës së njerzve liridashës
në ferrin e diktaturës komuniste.
Autori kuksian Shefqet Gjana i ka thënë të gjitha dhe pikërisht për këtë,
unë deshiroj të përvijoj qëndrimin stoik të tij dhe të shokëve të akuzuar për
agjitacion e propagandë dhe sajesën e çmendur të hetuesve të regjimit në
ngarkim të tij për vrasjen e E. Hoxhës, mbetur në tentativë,- një qendrim sa
burrëror aq edhe fisnik. Rëndom me libra kujtimesh të tilla, mërzitesh se janë
të tejmbushur me data, emra, fakte dhe e
kthen menjeherë fletën e fundit, por autori e ka shmangur këtë mrekullisht duke ruajtur
raportet specifike të këtij zhanri, falë talentit të tij letrar, jo vetëm prej
leximeve, por prej shpirtit të tij liridashës.
Z.
Gjana e mban mend atë kohë gjer në detaje
të hollësishme, ç'ka të imponon jo vetëm respekt e mirënjohje por,
njëherit, të
bën të thuash se ka ende shumë për të shkruar. Ai është sot rreth të
70-tave, i
freskët, me njohuri të sakta letrare e zgjuarsi natyrale për ta patur
zili. Shefqeti nuk është më "Ai"
kodi i fshehtë i përbuzjes njerzore, por i nderuar dhe i respektuar,
poet e
shkrimtar i talentuar. Dhe nuk është ky libri i tij i parë, as i
fundit. Ai shkruan ende poezi, ka botuar vellimet poetike: "Në
korridoret e
dhimbjes ...", "Kthimi", "Shtigje vetmie" dhe " Netë ankthi"-proze.
Përgëzime për kontributin në fushën e letrave, miku im i ri!
Me kompetencë profesionale dhe në mënyrë lakonike, redaktori i këtij libri, gazetari
dhe kritiku Dukagjin Hata, shkruan në parathënien e "Ferri i të gjallëve" : "
Ndaj Shefqeti dhe shokët e tij të qelive komuniste , që Zoti ua ka falur
dhuntinë e kthimit të kujtesës në rrëfime për t'u hedhur në letër, që të mund të
bëhen pronë e një publiku sa më të gjërë, brenda e jashtë vendit, "rrnojnë për
me tregue" gjëmat e zezonat e një epoke, që ju kushtoi aq shumë. Na kushtoi aq
shtrenjtë të gjithëve". Unë, si emigrant, mund të shtoj drejtpërsëdrejti se
libri të ndihmon për të rifreskuar shumë ngjarje të kohës, të frymëzon për ta
ndarë sadopak dhembjen me të gjithë ata që u është mohuar liria për shkak të
ligjit famëkeq: agjitacion e propagandë.
O tempora o mores! Oh çfarë kohe,
oh çfarë kushte!
Libri
ka vlera të mirëfillta morale e historike për qëndresën e djemve
lumjanë në kohën e diktaturës, ka vlera letrare e artistike për çdo
krijues të
vjetër a të ri që evokon traditat patriotike e atdhetare të krahinës së
Lumës,
të Kukësit e të gjithë Shqipërisë. Sa më
shumë vite kalojnë, "Ferri i të gjallëve" i zotit Gjana bëhet më i
vlefshëm,veçanërisht për rininë e sotme që vetëm ia ka dëgjuar zërin
atij regjimi të mallkuar.
Janë përshkruar me shumë emocion torturat dhe
sfilitjet e autorit e të shokëve të tij prej hetuesve nëpër qelitë me gjak
njeriu sa ndien dhimbje në zemrën tënde e mbushesh me mllef dhe urrejtje për
ata gjakpirës. Autori e ka mbajtur mirë
parasysh atë që në anglisht thuhet: - don't tell, show me, mos më trego, por më
përshkruaj veprimet e karaktereve apo të individëve, ndaj të gjitha levizjet e tyre lexuesi i shikon si në një ekran të
madh, bash siç pasqyrohen të tilla
ngjarje në optikën e shkrimtarit anglez George Orwell - 1984. Ja, një
pragraf: " Nuk e di se sa zgjatën këto veprime çnjerezore mbi trupin tim të
lodhur. Jam përmendur në qeli. Nuk e dija se si gjindesha këtu. Gjithkund më
dhembte. Qepallat nuk më hapeshin, ndërsa pyesja veten nëse m'i kanë mbajtur
atje fytyn, barkun, këmbët, krahët, brinjët e gjithçka timen, por prapë thosha
jo, pasi dhembjen e dëgjoja pikërisht në këto pjesë të trupit. Po, po, më
dhembte çdo qelizë e prapë i nënvleftësoja ngaqë truri ishte në rregull, pasi i
ndiente dhe i përcillte të gjitha ndijimet në laboratorin e vet. Të gjitha
vatrat patën një zgjim maksimal. Në veçanti më therte në shpirt fyti, pasi kapërdimja
edhe e pështymës, më jepte një ngacmim të padurueshëm. Pa ngrënë, pa pirë, pa e
ditur se ku isha, pata rënë në një gjumë-vdekje të gjatë, që as nuk e di se pas
sa orësh jam përmendur. U zgjova. Shkova dorën te kocka e fytit, te barku, këmbët,
brinjët, supet, kokën e deri te organet gjenitale dhe u rehatova kur verifikova
praninë e tyre anatomike. Në këtë gjendje përcolla orë të tëra të vështira për
gati tri ditë, por më tepër në gjumë, në jerm".
Është dhënë me penelata të bukura si prej një piktori
ekspresionist të talentuar jeta e fshatarëve bujarë të Lumës që në sofrën e tyre gjithnjë e më
shumë, pas viteve 80-të, po zinte vend vetëm buka si zall Drini me kripën dhe
kokrrën e qepës. "Varfëria që përsysh i rrinte gjithë shoqërisë kishte hedhur
metastazat e saj në një lëngatë të gjatë e të pashërueshme,- shkruan
autori. Në netët e uritura fshatarët
shihnin ëndërr sikur hanin e dyndeshin mish, por kur zgjoheshin, uria, zhgënjimi
dhe dhembja u klithnin në stomak, në zemër dhe në gji".
Kanibalët i
sajuan z. Gjana akuzën më të rrëzikshme të kohës. Ata ishin
profesionistë e gjakftohtë në sajimin dhe montimin e pseudofakteve, që i nxirrnin
nga llagëmet kutërbuese të flliqësisë së tyre malukate. Pushkatimi ishte i
sigurtë, por i burgosuri nuk dorëzohet,
ai reziston me mish e me shpirt për të mbrojtur veten dhe shokët edhe pse gjysëm
i vdekur, pa bukë e pa ujë. Ky stoicizëm i tij, kjo rezistencë dhëmb për dhëmb,
kjo kurajo i vinte nga geni fisnik e trashëgimia e prindërve dhe fisit të tij.
Dhe kjo mbijetesë e autorit u jep sot, jo vetëm
nipërve e mbesave të Shefqetit, jo vetëm të afërmëve, miqve e shokëve, por të gjithë
lexuesve të tij besim, kurajo, forcë e bindje për të ecur krenarë përpara drejt
të ardhmes pa u pajtuar kurrë me skenat e prapaskenat, me shpifjet e dredhitë; pa
u përkulur, pa u nënshtruar.
Ky libër ia vlen të botohet edhe në gjuhë të
tjera se është një histori e gjallë që duhet lexuar e kujtuar për të mos u
harruar kurrë.