KOSOVA BËHET GATI PËR NDESHJET ME TURQINË DHE SENEGALIN
E Mërkurë, 04.02.2014, 10:17am (GMT+1)
Federata
e Futbollit të Kosovës dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, janë
duke bërë të gjitha përgatitjet për dy takimet e ardhshme miqësore
ndërkombëtare, me përfaqësuesen e Turqisë dhe Senegalit, që priten të
zhvillohen në javën e katërt të muajit maj. Me 21 maj,
përfaqësuesja e Kosovës do të jetë nikoqire për përfaqësuesen e Turqisë,
ndërkohë që takimi me përfaqësuesen e Senegalit, me 25 maj, pritet të
zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës. Në kuadër të përgatitjeve për
ndeshjen me Turqinë dhe për krijimin e mundësive që kjo ndeshje të
zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, përfaqësuesit e
Federatës së Futbollit të Kosovës, të martën, me 1 prill, kanë zhvilluar
takim të përbashkët me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe
Sportit dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin. Eroll
Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës,
thotë për Radion Evropa e Lirë, se në takim janë shqyrtuar mundësitë e
rregullimit të stadiumit të Prishtinës dhe mundësitë që ai të bëhet
gati deri më 21 maj. "I ka hije çdo shteti që të luajë ndeshjet
në kryeqytet dhe dihet se çfarë efekti do të ketë edhe për kryeqytetin.
Plus, infrastruktura përcjellëse, parkingjet dhe të tjerat janë të
favorshme. Mund të them lirisht se pjesa më e ndritshme ishte ajo që
takimi ka qenë i hapur". "Ministri Memli Krasniqi, dërgoi
këshilltarin e tij Shasivar Haxhijaj, i cili tha menjëherë "˜ja, i keni
500 mijë euro, në tavolinë. Urdhëroni, bëjeni projektin dhe ne jemi të
gatshëm të investojmë në stadiumin e Prishtinës'. Ndërsa, kryetari
Shpend Ahmeti tha se "˜sigurisht që edhe komuna do marrë pjesë, varësisht
nga nevojat që do të jenë' për një intervenim të shpejtë", thotë
Salihu. Salihu shton se, megjithatë, në rast se nuk arrihet që
stadiumi i qytetit të Prishtinës të jetë gati deri me 21 maj, atëherë
ndeshja me përfaqësuesen e Turqisë do të zhvillohet në stadiumin "Adem
Jashari" në Mitrovicë, aty ku edhe u zhvillua, me lejen e Federatës
Botërore të Futbollit - FIFA, takimi i parë ndërkombëtar miqësor, me
përfaqësuesen e Haitit, me 5 mars. Në anën tjetër, ndihmës
trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, duke
folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se përfaqësuesja e Kosovës,
është duke i bërë përgatitjet për dy ndeshjet e paralajmëruara, me
përfaqësuesen e Turqisë dhe atë të Senegalit. Sipas tij,
përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki po i vëzhgon për
së afërmi futbollistët, për të cilët mendohet se mund të jenë pjesë e
përfaqësueses së Kosovës, por që luajnë në ekipet e ndryshme evropiane,
në mënyrë që të krijohet një pasqyrë të drejtë për secilin prej tyre. Sahiti
vlerëson se takimet me përfaqësueset e Turqisë dhe Senegalit,
përfaqësuesja e Kosovës do t'i ketë më të vështira se sa takimin që ka
zhvilluar me Haitin. "Po shpresoj që do të bëjmë paraqitje të
mirë edhe pse tash, nëse bazohemi në kualitetin e Turqisë dhe Senegalit,
duhet ta kuptojmë që niveli i tyre është më i lartë se sa i Haitit.
Prandaj, në këtë rast, edhe ne duhet ta ngrehim nivelin e përfaqësueses,
për të pasur një paraqitje të mirë". "Sidoqoftë, ne nuk
brengosemi shumë për rezultatin e ndeshjeve se sa brengosemi për atë
vazhdimësinë e ndeshjeve që do ta kemi në të ardhmen. Do të thotë, këto
ndeshje miqësore do të na shërbejnë për më vonë, që të kemi një pasqyrë
shumë më reale se në cilët lojtarë duhet të bazohet Kosova në të
ardhmen", thekson Sahiti. Pas takimit me Haitin, drejtuesit e
përfaqësueses së Kosovës, janë ballafaquar me kritika, qoftë nga
njohësit e futbollit qoftë nga dashamirët e futbolli, përmes rrjeteve
sociale, pse në përfaqësuesen e Kosovës nuk ka pasur edhe një numër të
futbollistëve nga Super-liga e futbollit të Kosovës. Përveç
një futbollisti të kësaj lige, në përfaqësuesen e Kosovës ishin
përfshirë futbollistë me prejardhje nga Kosova, që luajnë në ligat e
ndryshme evropiane. Ndihmës trajneri Sahiti thekson se në
përfaqësuesen e Kosovës janë dyert e hapura, por, sipas tij, të gjithë
duhet ta meritojnë me punën e tyre. "Varet , pikërisht, nga puna
dhe forma e secilit futbollist. Pse t' mos kemi edhe futbollist nga
Kosova (që luajnë në Kosovë)? Por, duhet ta kuptojnë të gjithë që
përfaqësuesja do nivel tjetër nga kampionati i Kosovës. Sidoqoftë, unë
po them se secilit ka për t'i ardhur mundësia që ta veshë fanellën e
përfaqësueses së Kosovës". "Por, t'i plotësojë, fillimisht, ato
kritere që janë për përfaqësuesen e Kosovës e sidomos aspektin fizik, që
është kriteri numër një, ngase tashmë e dimë se çfarë niveli i kemi
edhe përfaqësuesen e Turqisë, por edhe atë të Senegalit", thotë Sahiti. Ndryshe,
Eroll Salihu ka theksuar se javën e ardhshme, përfundimisht do të
caktohet stadiumi se ku do të zhvillohet ndeshja me Turqinë. Ndërkaq,
sipas tij, qysh tash, Federata e Futbollit të Kosovës është duke
shqyrtuar afatet e FIFA-s, për të siguruar edhe takime të tjera miqësore
gjatë këtij viti. Siç ka theksuar ai, ekzistojnë mundësitë
reale që në muajt shtator, tetor dhe nëntor, përfaqësuesja e Kosovës të
zhvillojë edhe tri ndeshje të tjera miqësore ndërkombëtare. rel
www.voal-online.ch
|