| VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
|
DHJETË ARRESTIME TË ZYRTARËVE NË KOMUNËN E PRISHTINËS E Enjte, 04.03.2014, 01:39pm (GMT1) ![]() Me urdhër të prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, autoritetet e rendit kanë arrestuar të enjten në mëngjes dhjetë zyrtarë nga Sektori i Ndërtimit i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, përfshirë këtu edhe vetë shefin e sektorit, një zyrtar për ekzekutim, dhe tetë inspektorë për ndërtim, si dhe pronarin e një kompanie private të ndërtimit. Lajmin e ka konfirmuar edhe zyrtarisht Prokuroria. Në një komunikatë për opinion, prokuroria thotë se "për dhjetë zyrtarët e arrestuar nga Komuna e Prishtinës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale, Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës". Ndërkaq, për të arrestuarin e njëmbëdhjetë, (pronari i një kompanie private), ekziston dyshimi i arsyeshëm se "ka kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 398, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës". Prokurori i rastit, për të pandehurit, ka urdhëruar ndalimin policor në kohëzgjatje prej 48 orësh. Arrestimi i sotëm, thuhet në komunikatë, është rezultat i hetimit paraprak, që është zhvilluar nga shtatori i vitit 2013, lidhur me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore, në Komunën e Prishtinës. Ndryshe, sektori i ndërtimtarisë në nivelin komunal është cilësuar në disa raporte të organizatave joqeveritare në Kosovë, që kanë monitoruar punën e komunës së Prishtinës, si një nga sektorët e prekur më shumë nga korrupsioni. (rel) www.voal-online.ch
|
||||
| Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. | ||||