Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili ndodhet për vizitë në Gjermani zhvilloi të martën pasdite në Berlin
takimin e tij të parë me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter
Steinmeier. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme Gjermane për Deutsche Welle-n,
"në qendër të bisedimeve që zgjatën rreth një orë, ishin çështjet e
integrimit europian të Shqipërisë, situata e brendshme politike në vend,
stadi aktual i zbatimit të reformave, lufta kundër korrupsionit dhe
krimit të organizuar, si edhe çështjet rajonale."
Gjermania pozitive ndaj statusit?
Ndërkohë lidhur me shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat në
BE nga Shqipëria, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme thotë për Deutsche
Welle-n, se ministri i Jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier mendon
se mund të pritet nga Komisioni Europian që në progres-raportin e
qershorit për zhvillimet në Shqipëri të vlerësohen reformat që janë bërë
veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në
Shqipëri. "Qeveria gjermane, do të vendosë pastaj më pas për Shqipërinë
mbi bazën e këtij raporti, e me një qëndrim pozitiv ndaj çështjes së
statusit kandidat në BE, ka thënë Steinmeier."
Takimi Steinmeier-Bushati në Berlin
Marrëdhënie mirëbesimi që duhet thelluar më tej
Për Deutsche Welle-n, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane theksoi se të dy ministrat vunë në dukje gjatë takimit në Berlin bashkëpunimin politik
të ngushtë dhe në mirëbesim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë si edhe ranë
dakord për thellimin e tij. Një bashkëpunim i tillë u vu në dukje edhe
gjatë takimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama
me kancelaren Merkel javën e kaluar në Berlin. Kancelarja gjermane në
konferencën për shtyp me zotin Rama më 1. prill vlerësoi hapat që ka
arritur Shqipëria në rrugën e reformave dhe bëri thirrje për zbatimin
praktik të tyre."
Ndërkohë në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, thuhet
se të dy ministrat ndanë shqetësimin mbi zhvillimet më të fundit në
Ukrainë, pasojat e mundshme në arkitekturën e sigurisë së kontinentit
evropian, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Në kuadër të kësaj vizite pune në Berlin ministri Bushati zhvilloi
gjithashtu takime me përfaqësues të partive kryesore në komisionin e
politikës së jashtme të parlamentit gjerman, me kryetarin e komisionit
të çështjeve evropiane të Bundestagut si dhe me këshilltarët për
çështjet e sigurisë dhe ato evropiane në zyrën e Kancelares gjermane,
znj. Merkel.