RAPORTI I DASH - QEVERIA SHQIPTARE PAK PËRPARIME NË KTHIMIN E PRONAVE GRUPEVE FETARE
E Martë, 07.29.2014, 07:43am (GMT+1)
Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin ndërkombëtar për lirinë fetare për vitin 2013. Sipas DASH, qeveria shqiptare përgjithësisht e ka respektuar lirinë e fesë . Në rezultatet e raportit ndërkombëtar për lirinë e fesë për vitin 2013 tërheq vëmendjen fakti se qeveria shqiptare sipas departamentit amerikan të shtetit ka përparuar pak në shqyrtimin e pretendimeve nga grupet fetare për kthimin ose kompensimin e pronave të shtetëzuara gjatë periudhës së mëparshme komuniste dhe shumë prej këtyre pretendimeve për pronën mbetën të pazgjidhura.
Përmendet në raport konflikti në gusht të 2013, mes përmbaruesve privatë, të cilët me kërkesë të bashkisë së qytetit të Përmetit nxorrën me forcë disa klerikë ortodoksë nga një pronë e diskutueshme, e përdorur nga kisha si vend adhurimi që prej shekullit të shtatëmbëdhjetë deri në vitin 1962, kur regjimi komunist e ktheu këtë ndërtesë në qendër kulturore. Tjetër pikë në raport është ngërci i krijuar për ndërtimin e xhamisë së re në tokën që po i kthehej komunitetit Islamik Shqiptar nëpërmjet procesit të rikthimit. Tërheqja e licencës për të ndërtuar një qendër tregtare në tokën pranë vendit ku do të ndërtohet xhamia thuhet në raport ngriti pikëpyetje edhe mbi ndërtimin e xhamisë.
Në raport vlerësohet se ndonëse nuk ka pengesa ligjore kundër veshjes së rrobave dhe simboleve fetare, drejtorët e shkollave kanë të drejtën të vendosin standarde për "veshjen e përshtatshme", e cila në disa raste përfshin kufizime në shfaqjen publike të simboleve fetare. Lidhur me cencusin e realizuar në 2011, DASH konstaton se disa drejtues fetarë kanë vazhduar të sfidojnë rezultatet e regjistrimit zyrtar, ndërkohë që afro 20 përqind e pjesëmarrësve nuk pranuan t'i përgjigjeshin pyetjes me zgjedhje në lidhje me përkatësinë fetare.
Sa i përket respektimit të lirisë së fesë nga ana e shoqërisë, Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizon se ishte përgjithësisht i lartë, ndërsa nuk ka patur raportime për abuzime sociale apo diskriminim mbi bazën e përkatësisë fetare, besimit apo praktikimit të fesë.
www.voal-online.ch
|