VJEDHJA, BERISHA GUXON TË MBROJË FULLANIN - KRIMI U ZBULUA DHE DENONCUA NGA VETË BSH
E Hënë, 08.04.2014, 06:49am (GMT+1)
 TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha u përgjigjet në "Facebook" qytetarëve që kërkojnë reagimin e tij për supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Berisha guxon të mbrojë Guvernatorin Fullani, duke theksuar se krimi në BSH u zbulua dhe denoncuar nga vetë Banka e Shqipërisë në prokurori. Ish-kryeministri kërkon nga organet e drejtësisë hetimin dhe qëndrimin më të rreptë ligjor për autorët dhe përgjegjësit e grabitjes.
"Unë ju siguroj se vjedhjen e parave në BSH e konsideroj një krim të rëndë të shëmtuar, që duhet ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit. Nga ana tjetër ky krim i shëmtuar është zbuluar dhe denoncuar nga vetë Banka e Shtetit në prokurori dhe kjo e fundit ka nisur një hetim të plotë dhe deri tani janë arrestuar 7 punonjës të Bankës. Sikundër duke dënuar pa hezitim këtë akt të shëmtuar kërkojmë nga organet e drejtësisë hetimin dhe qëndrimin më të rreptë ligjor për autorët dhe përgjegjësit e tij."- shkruan ish-kryeministri.
Sipas Berishës, opozita ka si qëllim të mos nxisë destabilizim të bankave në vend. "Eshtë në interesin e çdo qytetari që ka depozita bankare në sistemi bankar të vendit që të shmanget presioni mbi bankat dhe çdo akt tjetër destabilizues ndaj sistemit bankar. Eshtë qëndrimi ynë i prerë si opozitë të mos nxisim në asnjë rast destabilizim të bankave, siç bëri Edi Rama në vitet 2008-2009, me shpresë se do falimentonte ndonjë bankë, dhe nxiste tërheqjen e kursimeve nga bankat e vendit. Këtë ne nuk e bëjmë, sepse kjo do ishte goditje shumë e rëndë për të gjithë ata që kanë vendosur kursimet e tyre në sistemin tonë bankar. Këtë qëndrim në mënyrë të përsëritur e kam shprehur në FB për të gjithë ata që kanë pyetur apo kanë kërkuar qëndrimin tim"-shkruan Berisha.
www.voal-online.ch
|