PRISHTINË - BIZNESI KËRKON TREG TË PËRBASHKËT KOSOVË-SHQIPËRI
E Hënë, 08.04.2014, 02:00pm (GMT+1)
Prishtinë, 4 gusht - Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vizituar selinë e Aleancës Kosovare të Bizneseve, ku është pritur nga kryetari Agim Shahini dhe bizneset. Njoftohet se ata biseduan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe për eliminimin e barrierave, me të cilat përballen bizneset.
Agim Shahini, kryetari i AKB-së, tha se Kosova dhe Shqipëria viteve të fundit kanë intensifikuar bashkëpunimin me qëllim të zhvillimit më të hovshëm të të dy anëve. Tashmë që të dy vendet kanë rritur këmbimet e ndërsjella.
"Sikur Kosova, po ashtu edhe Shqipëria janë bërë vende shumë atraktive për investitorët dhe qytetarët e tyre. Derisa më parë kosovarët shfrytëzonin portet e shteteve të tjera, e tashmë portet shqiptare janë destinacionet kryesore për eksport dhe import të bizneseve nga Kosova", tha Shahini.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve rikujtoi se gatishmëria për eliminimin e barrierave të bizneseve të dy vendeve nuk ka munguar asnjëherë, por ajo kohëve të fundit është rritur shumë. Në këtë favor ai përmendi formimin e Dhomës Kombëtare Tregtare, në të cilën marrin pjesë bizneset nga të gjitha trevat shqiptare.
"Dy vendet kanë bërë investime me vite të tëra për të zhvilluar ekonominë dhe në anën tjetër kanë eliminuar barriera të shumta, e të cilat do të eliminohen dhe në të ardhmen. Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një treg të përbashkët dhe të fuqishëm", tha Agim Shahini. Ai shtoi se Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe bizneset kërkojnë që të hiqen të gjitha barrierat me të cilat përballen bizneset.
Dhoma Kombëtare Tregtare, që përfshin të gjitha trevat shqiptare, siç tha ai ka për mision promovimin e prodhimeve shqiptare dhe eliminimin e barrierave për prodhuesit shqiptarë. "Me konsumimin e prodhimeve shqiptare nuk do të ketë eksport parash dhe ato do të mbesin brenda kufijve shqiptarë", u shpreh ai.
Nga ana tjetër ambasadori, Qemajl Minxhozi, tha se do të bëhen hapa të mëtejme nga qeveritë e dy shteteve me qëllim të zhvillimit ekonomik. Kohëve të fundit ka pasur rezultate konkrete.
"Do të zhdukim kufijtë ekonomikë dhe ata në fushat e tjera. Në gjashtë muajt e fundit të këtij viti eksportet dhe importet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur 22 për qind, por duhet të bëjmë edhe për më shumë", tha ambasadori i Shqipërisë.
Qemajl Minxhozi tregoi se legjislacioni i dy shteteve është përmirësuar dhe vazhdon të korrigjohet, ku janë bërë hapa konkretë në dogana e tatime. Sipas tij edhe në fushën e turizmit ka pasur rritje në krahasim me të kaluarën. Kompanitë nga Kosova kanë zgjeruar operimin edhe në Vlorë e Sarandë.
"Prioritet kemi thithjen e investimeve në bujqësi, ku Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme. Jemi në ndërtim e sipër të një terminali modern dhe i cili do të jetë në shfrytëzim vitin e ardhshëm", tha ambasadori Qemajl Minxhozi.
Edhe përfaqësues të bizneseve nga Kosova kërkuan që të ketë lehtësira më të mëdha, sidomos për prodhuesit, të cilët importojnë e eksportojnë nga Shqipëria. Ramiz Kelmendi, pronar i Elkos Group, tha se disa telashe që kanë pasur janë hequr. Ai kërkon nga bizneset e Kosovës që të investojnë në tregun e së ardhmes në Shqipëri. Prodhimet shqiptare të promovohen e konsumohen edhe më shumë. Ahmet Kuçi, prodhues i këpucëve Solid nga Suhareka, tha se pos që eksportojnë në tregun e Shqipërisë, shfrytëzojnë edhe portet e saja për eksport në Itali e vende tjera. Skender Krasniqi, pronar i Kosovapressit, kërkoi që prodhuesit t'i kushtojnë rëndësi më të madhe promovimit në media, ndërsa Muharrem Osmani, prodhues i shamponëve Euro, tha se prodhimet e Kosovës duhet që edhe më shumë të promovohen dhe të konsumohen edhe më shumë në tregun e Shqipërisë.kd
www.voal-online.ch
|