VJEDHJA E THESARIT, PROTESTA CIVILE NË DITËN E DYTË - FULLANI LARGOHU, RAMA REAGO!
E Martë, 08.05.2014, 12:53pm (GMT+1)
TIRANË - "Të largohet Fullani, nuk pranojmë më të na grabisin. Si ke fytyrë dhe qëndron ende në atë Bankë të cilën e drejton dhe nuk mban përgjegjësi për vjedhjen. Ti je vampir". Ishin disa nga thirrjet e protestuesve që në ditën e dytë të protestës u pozicionuan tek sheshi "˜Avni Rustemi', ku ndodhen zyrat qendrore të Bankës së Shqipërisë.
Shoqëri civile, intelektualë e qytetarë të thjeshtë mbushën sheshin dhe pavarësisht temperaturave të larta protestuan nën thirrjet "Fullan largohu! Rama reago!".
Gazetarë të njohur gjithashtu iu bashkuan protestës. Artur Cani i emisionit "Ajsberg" në fjalën para protestuesve u shpreh se "kjo heshtje dëshmon qartë se Fullani u ka shërbyer të gjitha palëve. Nuk ka dyshime se paratë e vjedhura kanë sponsorizuar fushatat elektorale të këtyre. Të gjitha këtu të çojnë".
"Nuk mund ta besoj që një bankë grabitet dhe drejtuesi nuk mban përgjegjësi. Nuk mund ta besoj si ka ndërgjegje dhe qëndron në detyrë, kur paratë tona janë vjedhur. Ku është kryeministri? Ku është Rama? Reago zoti Rama, zoti kryeministër reago, Fullani dorëhiqu!", ishte zëri i gazetares protestuese, Rezarta Delisula në protestën e sotme.
"Njërëzit nuk kanë bukë të hanë. Nuk kanë lekë të bëjnë pushime këta lahen me shampanjë. Çfarë ndodh në vendin tim. A duhet të votoj këta politikanë? A e meritojnë këta votën tonë kur heshtin përballë këtij skandali. A e kuptojnë ata që kjo bankë mbahet me taksat tona. Përse na vjelin cdo ditë? Zbardheni rrogën e Fullanit. Sa miliona merr në muaj, kurse ne punojmë çdo ditë dhe xhepat i kemi bosh", tha një tjetër protestues.
Zirkon Disha, një prej organizatorëve të protestës civile në mbyllje të protestës që zgjati rreth 1 orë, u shpreh se tubimi i radhës do të mbahet ditën e enjte.
"I kërkojmë policisë që të boshatisë sheshin nga ora 14:00 deri në orën 20:00 pasi shumica e personave që kërkojnë të protestojnë janë në punë paradite. Ndaj protesta e radhës do zgjasë më shumë dhe do jemi më shumë se sot", u shpreh Zirkon Disha.
www.voal-online.ch
|