NISIN HETIMET PËR PAKTIN DETAR ME GREINË, PROKURORIA - PROCEDIM PENAL 11 NEGOCIATORËVE
E Martë, 08.05.2014, 05:07pm (GMT+1)
 TIRANE - Prokuroria e Tiranës kallëzon penalisht personat që kanë lidhje me hartimin e marrëveshjes detare me Greqinë. Të paktën kështu shprehen burime brenda këtij institucioni. Kjo bëhet pas kallëzimit që Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar në Prokurori.
Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se është regjistruar procedim penal për marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, me pretendimin se ishte shkelur Kushtetuta e vendit. Prokuroria po bashkëpunon me Ministrinë e Jashtme për evidentimin e rolit dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.
Sipas të njëjtave burime, Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se me këtë marrëveshje është shkelur Kodi Penal i Shqipërisë, përkatësisht neni 210 i tij.
"Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se nga marrëveshja e detit me Greqinë janë cënuar rëndë interesat e Shqipërisë, e për këtë ka regjistruar procedimin penal, që vjen pak kohë pasi Ministria e Jashtme depozitoi në organin qendror të akuzës një material voluminoz për çështjen më të debatuar që nga viti 2009. Prokurorët e mbajtën këtë çështje nën verifikim për disa kohë, deri sa ata u bindën se në materialin e Ministrisë së Jashtme ka të dhëna të mjaftueshme, që i bëjnë ata të dyshojnë se është shkelur neni 210 i kodit penal".
Bëhet me dije se në Prokurorinë e Tiranës pritet të thirren 11 ekspertët që morën pjesë në hartimin e kësaj marrëveshje, I quajtur ndryshe si grupi negociator. Mes ekspertëve janë specialistë që ishin në rolin e negociatorëve, sikurse kryenegociatori i palës shqiptare Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni, në atë kohë me detyrë zëvendës/shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, drejtori i çështjeve juridike dhe ndërkombëtare Ilir Tepelena, drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i sektorit të Hartave Dixhitale.
Por prokurorët nuk konfirmojnë nëse do të jetë në këtë listë edhe ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, në rolin e njeiut që firmosi marrëveshjen me homologen greke, Dora Bakojanis.
Kujtojmë se në kodin penal, konsumimi i veprës penale të parashikuar nga neni 210, parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.
MARRËVESHJA Marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua me 26 janar 2010 në Tiranë. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të asaj kohe, përkatësisht Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha, nga pala shqiptare.
Marrëveshja e prillit 2010 hapi debate të forta politike për paktin detar, pasi u zbulua se Shqipëria humbiste një sipërfaqe prej gati 354 miljesh katrorë sipërfaqe detare nga kjo marrëveshje. Partia Socialiste në atë kohë në opozitë, e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese, atje ku edhe u rrëzua me pretendimin se shkelte Kushtetutën e vendit.
Debati i fortë u hap dhe në shoqërinë civile, e cila reagoi fort me protesta dhe peticione. Zerat kundër paktit asokohe por edhe sot pretendojnë se shtetit grek iu falën qindra kilometra katrore det dhe se ishte prekur sovraniteti territorial i vendit.
INFORMACION NGA PROKURORIA TIRANE Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë shkresën e dt. 28.05.2014 të Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me procesin e negociimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", nënshkruar më 29.04.2009. Në këtë korrespondencë Ministria e Punëve të Jashtme shpreh dyshimin se, ka elemëntë të veprës penale sipas nenit 210 të Kodit Penal.
Referuar vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese rezulton se, janë kontatuar shkelje sa i përket procedurës dhe përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, duke passjellë cënimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Për shkak të shkeljeve të konstatuara me vendimin nr. 15, të vitit 2010 kjo Gjykatë e ka deklaruar si të papajtueshme me Kushtetutën marreveshjen e lidhur mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Nga sa më lart rezulton se, është e domosdoshme regjistrimi i procedimit penal për hetimin e kryerjes së veprës penale « Marrëveshja për dorëzim territori» të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal.
Për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me përcaktimin e faktit dhe veprës penale si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale dhe të personit/ave që ka/kanë kryer veprën penale është e domosdoshme kryerja e hetimeve të nevojshme të lidhura me ushtrimin e ndjekjes penale.
www.voal-online.ch
|