RIHETIME TË MASAKRAVE TË QYSHKUT, PAVLANIT, LUBENIQIT DHE ZAHAQIT
E Martë, 08.05.2014, 08:25pm (GMT+1)
Beograd, 5 gusht - Prokurori për krime lufte i Serbisë, Vlladimir Vukçeviq ka urdhëruar hetime të reja kundër ish-komandantit të Brigadës 125 të motorizuar, gjeneralit Dragan Zhivanoviq, për shkak të dyshimeve se në fshtartat Qyshk, Pavlan, Lubeniq e Zahaq ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile nga 1 prilli deri më 15 maj të vitit 1999.
Ai dyshohet se edhe pse e ka ditur se do të kryhen sulme ndaj popullsisë së këtyre fshatrave, nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk ka penguar vrasjen e së paku 118 civilëve shqiptarë, plagosjen me pasoja të rënda trupore të 13 civilëve, shkatërrimin e 40 shtëpive, plaçkitjen e pasurisë dhe dëbimin e popullsisë, marrjen dhe asgjësimin e dokumenteve personale, citojnë mediet kumtesën e Prokurorisë për krime të luftës.
Prokurori konsideron se gjenerali Zhivanoviq e ka ditur se pjesëtarët e Aradhës 177 të njësitit ushtarak-territorial të Pejës, duke zbatuar urdhrat dhe detyrat e luftës të komandës për bastisje dhe spastrim të fshatrave Lubeniq, Pavlan, Qyshk e Zahaq, do të sulmojnë popullsisë civile të përkatësisë kombëtare shqiptare, se do të vrasin civilë, do të shkaktojnë plagosje të rënda trupore, do të zhvendosin popullsi dhe shkatërrojnë pasuri në përmasa të mëdha.
Gjenerali Zhivanoviq ishte epror i Toplica Milladinoviqit, Millojko Nikoliqit dhe Dejan Bullatoviqit, të cilët me aktgjykimin e shkallës së parë në rastin Qyshku janë dënuar me dënime maksimale burg 20 vjet për krime lufte në territorin e komunës së Pejës, kurse nëntë pjesëtarë të Aradhës 177 të njësitit ushtarak-terriotrial të Pejës janë dënuar (bashkërisht) me 106 vjet burgim.
Me aktgjykim janë konfirmuar akuzat e Prokurorisë sevrasjet masive janë kryer para syve të grave e fëmijëve, se viktima më e re ka pasur 19 vjet, kurse më e moshuara 87.
Po ashtu me rastin e vrasjeve, dhunimeve seksuale, shkatërrimit të pasurisë dhe të veprave të tjera penale, të dënuarit kanë treguar pashpirtësi e vrazhdësi të jashtëzakonshme, se kanë fshirë dëshmitë duke djegur kufomat e civilëve të vrarë, me qëllim që të mos zbulohen krimet dhe të mos mund identifikohen viktimat.
www.voal-online.ch
|