EKSPERTËT - VENDIMI NË FAVOR TË PDK-së KRIJON NGËRÇ INSTITUCIONAL
E Enjte, 08.07.2014, 06:41am (GMT+1)
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Partisë Demokratike, gjatë shqyrtimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetushmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në seancën e 17 korrikut, atëherë sipas ekspertëve, Kosova do të futet në fazën e ngërçit politik dhe institucional. Madje, ata thonë se një vendim i tillë mund edhe ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Kushtetuesja vlerësimin do ta bëjë më 21 gusht, shkruan sot Koha Ditore.
E nëse shansi i jepet koalicionit LDK-AAK-Nisma, atëherë sipas tyre i hapet rrugë krijimit të shpejtë të institucioneve, pavarësisht se ky proces ndikohet edhe nga mbështetja e lëvizjes "Vetëvendosjes" dhe Listës Serbe.
Analisti politik, Shpend Kursani, ka thënë se e tërë rrjedha e ngjarjeve varet se mbi çfarë baze do të mund të anulohet zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit dhe se çfarë do të sugjerojë pastaj Gjykata Kushtetuese.
Nëse Kushtetuesja e anulon zgjedhjen e Isa Mustafës për shkak të shkeljes së disa procedurave teknike dhe vendimi merret në favor të koalicionit opozitar, Kursani parashikon përsëritje të seancës konstituive dhe votim të sërishëm të Mustafës. Me kryetar Kuvendi të pakontestuar, sipas tij, do të vazhdohet me krijimin e Qeverisë, kuptohet nëse do të ekzistojnë numrat nga VV-ja apo nga Lista Serbe.
Ndërkaq, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se janë më shumë se dy skenarë që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përcjell koha.net. Sipas Dolit, mosanulimi i vendimit nga ana e Gjykatës do të nënkuptojë që Kuvendi duhet të fillojë procedurat e zgjedhjes së nënkryetarëve të mbetur dhe konstituimin e Kryesisë. "Natyrisht pas propozimit të presidentes të fillojnë procedurat për formimin e Qeverisë së ardhshme sipas udhëzimeve të dhëna në vendimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese".kd
www.voal-online.ch
|