VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BANKA E SHQIPËRISË - DO TË MERRET NËN HETIME KËSHILLI MBIKQYRËS

E Shtunë, 08.09.2014, 07:00am (GMT1)



Hetimet për super vjedhjen në Bankën e Shqipërisë janë përqendruar në katër çështje kryesore, siç janë: verifikimi i plotë i mekanizmit të vjedhjes në arkën e bankës; destinacioni i shumës së vjedhur, që deri tani mendohet se është 713 milionë lekë; hetimi pasuror mbi personat e dyshuar si të përfshirë në vjedhje; verifikimi i përgjegjësive për administrimin dhe organizimin e punës, si dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë e bankës. Ky është versioni zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me ecurinë e hetimeve për superskandalin në të cilin është përfshirë Banka e Shqipërisë. Sipas organit të akuzës, veprimet e punonjësve të bankës të dyshuar si të përfshirë në vjedhje, janë verifikuar jo vetëm në sajë të pamjeve filmike, por edhe në sajë të procesverbaleve ku janë shënuar të gjitha provat që grupi hetimor ka arritur të mbledhë për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e bankës. Prokuroria sqaron se, deklarimi i Ardian Bitraj se ka qenë ai që i ka vjedhur paratë nga Thesari, vërtetohet jo vetëm nga pamjet filmike, por edhe nga gjurmët që janë gjendur në arkat e Thesarit.

Treshja e Arkës për Veprim, Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Tusha (Kola), kanë pasur si detyrë për të vendosur plikon në kasafortë brenda mjediseve të dhomës-kasafortë të Arkës për Veprim dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e menaxhimit të çelësave, por që, nga hetimet ka rezultuar se një gjë e tillë nuk është bërë. Ndërkohë, përgjegjësia mbi dy punonjësit e tjerë (Myzejen Belba dhe Lavdim Cani) bie për faktin se që të dy ata ia kanë lënë çelësat e arkës punonjësit Ardian Bitraj, duke shkelur në këtë mënyrë rregullat. Por, nga hetimet e organit të akuzës ka rezultuar se në ambientet e Thesarit të Bankës së Shqipërisë në Linzë, nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të Arkës Trazit dhe Stok. Pikërisht kjo mangësi ngarkon me përgjegjësi ish-drejtorin e Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Dorian Çollaku, i cili aktualisht ndodhet në burg nën hetim për vjedhjen.

AURORA KOROMANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.