VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PARATË E VJEDHURA NË BANKËN E SHQIPËRISË 'ZËVENDËSOHESHIN' ME LETRA

E Martë, 08.12.2014, 06:47am (GMT1)



Vjedhjet që ka kryer punonjësi i Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj në arkën e Thesarit në Linzë, janë filmuar nga kamerat e brendshme që ndodhen brenda Arkës Stok, aty ku edhe janë vjedhur paratë. Burime pranë organit hetimor bëjnë me dije se nga këqyrja e depozitës së parave në Arkën Stok, ku Bitraj ka vjedhur një sasi të madhe kartëmonedhash për katër vjet rresht, rezulton se pjesa më e madhe e veprimeve të tij janë të dokumentuara.

Kjo, pasi Arka Stok ka mbikëqyrje të brendshme, por hetuesit thonë se jo të gjitha veprimet janë monitoruar, pasi kamerat e brendshme nuk bëjnë monitorim 24- orësh, siç bëjnë kamerat e sigurisë të vendosura në korridoret e Departamentit të Emisionit, ku ndodhet edhe hyrja e derës-kasafortë, transmeton bw .

Grupi hetimor i ngritur pas superskandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, ka nxjerrë në dritë të tjera detaje lidhur me këtë ngjarje. Burime jozyrtare nga organi i akuzës sqarojnë se nga procesverbali i këqyrjes në Arkën Stok, dyshohet se Adrian Bitraj për katër vite me radhë, ka boshatisur tri arka me kartëmonedha. Të njëjtat burime bëjnë me dije se tri arkat që janë boshatisur, Bitraj i ka mbushur me blloqe dhe letra të ndryshme, të cilat i fuste në bankë me argumentin se ishin furnizim për punën e përditshme në institucionin ku ai punonte.

Deri tani mendohet se personi kyç në këtë vjedhje ka hyrë në Arkën Stok, ku ka marrë edhe pjesën më të madhe të parave, dhe më pas i ka futur ato në trup. Pas kësaj, Bitraj ka zëvendësuar paratë që ka marrë nga arkat, me letrat që kishte sjellë nga jashtë dhe, i sigurt që nuk ishte dalluar nga askush, është drejtuar tek tualetet e Thesarit, ku i ka futur paratë e vjedhura në thasë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, për transportin e thasëve me lekë, Bitraj ka përdorur nipin e tij, Klevis Bejtaj, i cili e priste jashtë me makinë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.