Sekretariati
për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me rastin e 13-vjetorit të
nënshkrimit të dokumentit paqësor, ka organizuar një tribunë, në të
cilën kundrejt pjesëmarrjes së ministrave të BDI-së, ekspertëve dhe
nënshkruesve të këtij dokumenti, si dhe diplomatë, kanë munguar aktorët
kryesorë, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ish-përfaqësues politik i UÇK-së.
Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi gjatë hapjes së
tribunës me titull "Dekada e dytë e Marrëveshjes së Ohrit, si obligim
dhe përgjegjësi në rrugën drejt integrimit", ka theksuar nevojën e
transparencës gjatë implementimit praktik të saj.
"Këtu gjithmonë jemi përballur me dallime metodologjike, nga njëra
anë mund ta trajtojmë Marrëveshjen e Ohrit përmes parametrave të saj
kuantitativ dhe të shohim sa për qind e përfaqësimit të barabartë është
arritur. Sa është përmbushur gjatë reformave në gjyqësor, në organet e
sigurisë, Prokurori, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, por duhet
ta kemi të qartë se sa këto reforma paraqesin vetëm mjet për arritjen e
qëllimit dhe jo vetë qëllimin".
"Fotografinë e vërtetë gjatë implementimit të Marrëveshjes së
Ohrit mund ta fitojmë vetëm nëse bëjmë analizën cilësore të parametrave
të saj dhe sa është ajo e suksesshme në ndërtimin e besimit në ato
institucione, sidomos në institucionet e sigurisë dhe ato të
jurisprudencës", thotë Xhaferi.
Ndërkaq, Vllado Popovski, një nga hartuesit e
Marrëveshjes së Ohrit ka theksuar se kjo marrëveshje paqësore në asnjë
mënyrë nuk duhet shikuar si listë detyrash të parëndësishme, meqë qartë
është e përcaktuar dinamika e realizimit duke përfshirë përgjegjësinë e
të gjitha etniteteve.
"Marrëveshja e Ohrit nuk është listë e detyrave, me të cilën
përfundon rëndësia e saj. Ajo ka një dinamikë, ka një proporcion me
praninë e të gjitha bashkësive etnike, edhe pse nuk ka rezultate të
barabarta në sfera të caktuara", vlerëson Popovski.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Shkup, Poll Volers,
ka theksuar se edhe pas 13 vjetësh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së
Ohrit, janë ende evidente ndasitë mes maqedonasve e shqiptarëve.
"Edhe pas këtyre vjetësh, ekzistojnë këto ndasi, ndërsa ftoj
partitë politike të punojnë në tejkalimin e këtyre dallimeve. Më duhet
të theksoj se në asnjë mënyrë nuk duhet të injorohen ndasitë, të cilat
ekzistojnë mes etniteteve meqë ata paraqesin rrezik për të ardhmen e
vendit", është shprehur Volers.
Nga ana tjetër, Tritan Shehu, ka theksuar se shteti shqiptar
konsideron se Marrëveshja e Ohrit mbetet shtylla kryesore në bazë të së
cilës duhet të ndërtohet shteti demokratik .
"Shqipërisë, rajonit, Evropës, i duhet një Maqedoni stabile për
t`u integruar në strukturat euro-atlantike. Kjo është një nevojë për të
gjithë, por në fund të fundit është një domosdoshmëri për këtë vend", është shprehur politikani nga Shqipëria, Tritan Shehu.
Ndërkohë, sipas ish-kryeministrit Vllado Buçkovski, Marrëveshja
e Ohrit me vetë faktin se bojkotohet nga kryeministri Nikolla Gruevski
duket qartë se ku qëndron problemi se pse ky dokument nuk ka dhënë
rezultatet e duhura.
"Maqedonia ballafaqohet me shoqëri të ndarë, atë maqedonase e
shqiptare. Nga njëra anë, ky dokument në vazhdimësi trajtohet nga ana e
shqiptarëve si "˜shpirt i mirë' ajo që kemi në filmat vizatimorë "˜Casper'
- dhe nga ana tjetër, pala maqedonase merr rolin e përzënies së
shpirtrave të këqij që nënkupton brendinë e këtij dokumenti", ka deklaruar ish-kryeministri i Maqedonisë, Buçkovski.
Ndryshe, Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur në
Maqedoni pas bisedimeve disa mujore të filluara në Shkup për t`u
nënshkruar në Ohër më 13 gusht të vitit 2001, me ndërmjetësimin e
përfaqësuesve ndërkombëtarë të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe
Xhejms Perdju, si garantues të këtij dokumenti kornizë.