VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MAQEDONI - NDASITË ETNIKE, EVIDENTE EDHE 13 VJET PAS MARRËVESHJES SË OHRIT

E Mërkurë, 08.13.2014, 08:15pm (GMT1)

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me rastin e 13-vjetorit të nënshkrimit të dokumentit paqësor, ka organizuar një tribunë, në të cilën kundrejt pjesëmarrjes së ministrave të BDI-së, ekspertëve dhe nënshkruesve të këtij dokumenti, si dhe diplomatë, kanë munguar aktorët kryesorë, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ish-përfaqësues politik i UÇK-së. 

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi gjatë hapjes së tribunës me titull "Dekada e dytë e Marrëveshjes së Ohrit, si obligim dhe përgjegjësi në rrugën drejt integrimit", ka theksuar nevojën e transparencës gjatë implementimit praktik të saj. 

"Këtu gjithmonë jemi përballur me dallime metodologjike, nga njëra anë mund ta trajtojmë Marrëveshjen e Ohrit përmes parametrave të saj kuantitativ dhe të shohim sa për qind e përfaqësimit të barabartë është arritur. Sa është përmbushur gjatë reformave në gjyqësor, në organet e sigurisë, Prokurori, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, por duhet ta kemi të qartë se sa këto reforma paraqesin vetëm mjet për arritjen e qëllimit dhe jo vetë qëllimin". 

"Fotografinë e vërtetë gjatë implementimit të Marrëveshjes së Ohrit mund ta fitojmë vetëm nëse bëjmë analizën cilësore të parametrave të saj dhe sa  është ajo e suksesshme në ndërtimin e besimit në ato institucione, sidomos në institucionet e sigurisë dhe ato të jurisprudencës", thotë Xhaferi.  

Ndërkaq, Vllado Popovski, një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit ka theksuar se kjo marrëveshje paqësore në asnjë mënyrë nuk duhet shikuar si listë detyrash të parëndësishme, meqë qartë është e përcaktuar dinamika e realizimit duke përfshirë përgjegjësinë e të gjitha etniteteve. 

"Marrëveshja e Ohrit nuk është listë e detyrave, me të cilën përfundon rëndësia e saj. Ajo ka një dinamikë, ka një proporcion me praninë e të gjitha bashkësive etnike, edhe pse nuk ka rezultate të barabarta në sfera të caktuara", vlerëson Popovski.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Shkup, Poll Volers, ka theksuar se edhe pas 13 vjetësh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, janë ende evidente ndasitë mes maqedonasve e shqiptarëve.

"Edhe pas këtyre vjetësh, ekzistojnë këto ndasi, ndërsa ftoj partitë politike të punojnë në tejkalimin e këtyre dallimeve. Më duhet të theksoj se në asnjë mënyrë nuk duhet të injorohen ndasitë, të cilat ekzistojnë mes etniteteve meqë ata paraqesin rrezik për të ardhmen e vendit", është shprehur Volers. 

Nga ana tjetër, Tritan Shehu, ka theksuar se shteti shqiptar konsideron se Marrëveshja e Ohrit mbetet shtylla kryesore në bazë të së cilës duhet të ndërtohet shteti demokratik .

"Shqipërisë, rajonit, Evropës, i duhet një Maqedoni stabile për t`u integruar në strukturat euro-atlantike. Kjo është një nevojë për të gjithë, por në fund të fundit është një domosdoshmëri për këtë vend", është shprehur politikani nga Shqipëria, Tritan Shehu. 

Ndërkohë, sipas ish-kryeministrit Vllado Buçkovski, Marrëveshja e Ohrit me vetë faktin se bojkotohet nga kryeministri Nikolla Gruevski duket qartë se ku qëndron problemi se pse ky dokument nuk ka dhënë rezultatet e duhura.

 "Maqedonia ballafaqohet me shoqëri të ndarë, atë maqedonase e shqiptare. Nga njëra anë, ky dokument në vazhdimësi trajtohet nga ana e shqiptarëve si "˜shpirt i mirë' ajo që kemi në filmat vizatimorë "˜Casper' - dhe nga ana tjetër, pala maqedonase merr rolin e përzënies së shpirtrave të këqij që nënkupton brendinë e këtij dokumenti", ka deklaruar ish-kryeministri i Maqedonisë, Buçkovski.

Ndryshe, Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni pas bisedimeve disa mujore të filluara në Shkup për t`u nënshkruar në Ohër më  13 gusht të vitit 2001, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, si garantues të këtij dokumenti kornizë. 


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.