E indinjuar me mungesën e përparimit në zbardhjen e
vrasjes së Elvis Pistës, familja e tij i ka shkruar një letër
kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga i cili kërkon të ushtrojë
ndikimin e tij "politik dhe institucional" ndaj organeve të hetuesisë
dhe të drejtësisë, që hetimet rreth vrasjes së Pistës të përmbyllen dhe
përgjegjësit për këtë krim të dalin para drejtësisë.
Në letër - një kopje të së cilës "Koha Ditore" e ka siguruar
nga familjarët e Pistës, dhe e cila u është drejtuar përfaqësuesve të
institucioneve të Kosovës, prej të cilëve në mënyrë eksplicite përmendet
vetëm kryeministri Thaçi shprehet besim tek institucionet e Kosovës
dhe kryeministri Thaçi, por paralajmërohet se "ky besim mund të zbehet
në rast se vazhdon të mos ketë rezultate konkrete nga hetimet. Ky besim
mund të shndërrohet në zhgënjim, e zhgënjimi është i madh edhe në mesin e
qytetarëve të Kosovës, e qytetarëve të Rahovecit".