VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
ZËRI I AMERIKËS - LDK, AAK DHE NISMA PËR KOSOVËN - DUAN QEVERI PA PDK-në E Hënë, 08.18.2014, 05:46pm (GMT1) Debatet rreth formimit të institucioneve të reja në Kosovë kanë nxjerrë edhe idetë për një qeveri gjithëpërfshirëse në funksion të tejkalimit të ngërçit politik. Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thanë të hënën se nuk do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse në të cilën do të bënte pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Udhëheqësit e këtyre partive i bënë këto komente pak ditë para seancës dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila të enjten do të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për "vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit parlamentit në seancën e 17 korrikut". Në seancën e së enjtes pritet të marrin pjesë parashtruesi i kërkesës, si dhe përfaqësuesit zyrtar të 14 subjekteve të tjera politike në Parlamentin e Kosovës. Kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa tha se themelimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit duhet të ndodhë sa më parë. "Ka shumë fusha që kanë ngecur deri tani dhe po ashtu vendi ka nevojë që të hapet perspektiva zhvillimore dhe po ashtu të forcohet shteti ligjor", tha zoti Mustafa. Më 23 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme me të cilën pezulloi vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike Isa Mustafa në postin e kryetarit të Parlamentit më17 korrik. Zgjedhja kishte ndodhur pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila më pas kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi. Partia Demokratike e Kosovës, doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit duke fituar 37 vende në parlamentin 120vendesh të Kosovës. Përfaqësues të saj thonë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si i tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re. Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata siguruan një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje dhe te pakicave kombëtare, ata pretendojnë se u takon posti i kryetarit të parlamentit dhe kanë numrat e mjaftueshëm edhe për ngritjen e qeverisë së re, nëse këtë nuk mund ta bëjë Partia Demokratike, e cila ka të drejtën që e para të provojë një gjë të tillë. Vështirësitë e shfaqura në procesin e formimit të institucioneve të reja kanë shtuar zërat për një qeveri gjithëpërfshirëse, madje edhe zyrtarë të Partisë Demokratike kanë hedhur idenë e një qeverie me përfaqësim të gjerë. Por, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që synon postin e kryeministrit dhe udhëheqësi i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, hodhën poshtë një mundësi të tillë. "Vendimi i LDK-së, AAK-së, Nismës, por edhe subjekteve tjera politike për "jo Thaçi tre" është serioz. Ka në bazë ndryshimet që duhet të ndodhin në vend, pra jo vazhdim. PDK-ja kur flet ose për numra, ose për koalicione gjithëpërfshirëse, kuptohet se nuk do të ndodhë ashtu. Pra, do të ketë institucione të vendit dhe do të ketë ndryshim të plotë të qeverisjes në vend", tha zoti Haradinaj "Kjo është një teme shumë serioze. Kjo është verifikuar në seancën e kaluar dhe kështu do të qëndrojmë. Një gjë duhet ta kemi të qartë: në asnjë variant, pavarësisht vendimit të gjykatës kushtetuese, nuk do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse, siç po pretendohet. Qeveri gjithëpërfshirëse po, por pa PDK-në", tha zoti Limaj. Sido qoftë, java e fundit e këtij muaji mund të jetë periudhë e sqarimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese, nga vendimet e së cilës do të varen hapat tjerë për formimin e institucioneve. Zhvillimet e deritashme e kanë bërë shumë sfidues procesin e formimit të institucioneve të reja dhe kanë lanë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |