KOSOVA PROPOZON NDËRTIMIN E HEKURUDHËS DURRËS-PRISHTINË
E Mërkurë, 12.24.2014, 10:26am (GMT+1)
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, priti ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi. Gjatë bisedës ministri Zharku e informoi ambasadorin për zhvillimin e fushave që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), për problemet që po paraqiten në autostradën Morinë-Merdar "Ibrahim Rugova", si dhe përmendi propozimin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, si mundësi konkretizimi në të ardhmen.
Ai po ashtu, falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e sidomos të sektorëve që janë përgjegjësi e kësaj ministrie. Ambasadori Minxhozi e uroi Zharkun për emërimin e tij dhe u zotua se Ambasada e Shqipërisë do të vazhdojë të përkrahë këtë ministri duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen.
Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shqipërisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore përmes projekteve të përbashkëta rajonale. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për bashkëpunim të ndërsjellë në mes të dy shteteve, përkatësisht në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.
www.voal-online.ch
|