GJILAN - SOT MARSHIM PROTESTE KUNDËR IKJEVE NGA KOSOVA
E Djelë, 12.28.2014, 10:23am (GMT+1)
Të rinjtë e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Gjilan do të organizojnë një aktivitet simbolik për t'i, siç thonë ata, kritikuar ikjet e të rinjve në mënyrë ilegale nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian si dhe mos intervenimin e Qeverisë për t'i krijuar kushte më të mira qytetarëve të saj, në mënyrë që mos të kërkojnë zgjidhje jashtë Kosovë.
Ky Këshill, përmes një komunikate për media, thotë se do të organizojnë një aktivitet simbolik para teatrit të qytetit të Gjilanit me të rinjtë e Komunës nën ombrellën e Këshillit, ku do ta improvizojnë gjendjen e qytetarëve të ikur nga Kosova nëpër kampet e mbajtjes në shtetet e Bashkimit Evropian.
"Në të njëjtën kohë do të jetë edhe pema e mesazheve, ku kalimtarët e rastit do të kenë mundësi që të shkruajnë mesazhe kundër ikjes së të rinjve nga Kosova në mënyrë ilegale", thuhet në njoftimin për media të këtij Këshilli.
Një grup tjetër i Këshillit nga ora 12:00 do të niset nga Universiteti Publik i Gjilanit në drejtim të kampit të improvizuar tek Teatri i qytetit duke bërë një marsh, si improvizim i rrugës së vështirë të qytetarëve gjatë ikjes nga Kosova.
www.voal-online.ch
|