RRUGA E KOMBIT BËHET E PAKALUESHME NGA BORA
E Djelë, 12.28.2014, 04:32pm (GMT+1)
Bora që ka filluar të bjerë ditëve të fundit, ka shkaktuar jo pak telashe nëpër rrugë, si në vendin tonë, ashtu edhe në Shqipëri.
Koha.net merr vesh se Rruga e Kombit, kryesisht nga Kalimashi e në drejtim të kufirit me Kosovën, është pothuajse e pakalueshme për makina.
"Rruga e Kombit, përtej Kalimashit, është e pakalueshme. Po ashtu edhe para Kalimashit është e mbushur me borë dhe nuk po pastrohet. Mezi kemi mbërri në kufi, me shumë peripeci", ka thënë një lexues i Koha.net i cili sot është kthyer nga Shqipëria.
Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme në komunikacion në shumë qytete të Kosovës. Rrugët në qytetin e Gjakovës, në Rahovec, në Klinë e në rajonin e Drenicës, siç ka raportuar gjatë ditës Koha.net, mësohet se janë bllokuar pothuajse tërësisht dhe kalimi nëpër to mund të bëhet vetëm me makina të mëdha.
Për dallim nga këto komuna, në Prishtinë mbretëron gjendje tjetër, pasi që kompanitë e angazhuara për pastrim të rrugëve kanë qenë në gjendje gatishmërie që nga dita e parë kur nisën të reshurat e borës, duke pastruar rrugët kryesore. Ankesa ka pasur nga qytetarë të lagjeve më të thella të kryeqytetit të cilët thonë se ende nuk janë pastruar rrugët dhe po kanë telashe për të kaluar nëpër to.
www.voal-online.ch
|