TIRANE - Shënjestra e atentateve mafioze për vitin 2014 kanë qenë biznesmenët, pasi shumë prej tyre janë ekzekutuar. Për 12 muajt që po lëmë pas, vendi në jo pak raste është tronditur nga shumë ekzekutime dhe atentate mafioze, pa harruar shpërthimet me tritol, në qendër të të cilave kanë qenë personat e implikuar më parë me krimin apo edhe njerëz të njohur të biznesit në vend. Vrasja bankierit Artan Santo ishte ajo që padyshim do trondiste mbarë opinionin publik, pasi ekzekutimi i tij u bë në qendër të Tiranës, në mes të ditës dhe në një vend të rrethuar nga efektivët e policisë. "Gazeta Shqiptare" ka përzgjedhur 12 nga ngjarjet më të bujshme që kanë tronditur mbarë vendin për vitin që po lëmë pas, nga të cilat vetëm dy janë zbardhur nga policia.
NGJARJET
16 janar 2014 Ekzekutohet në pritë Astrit Gjepali dhe Halil Fici. Në atë kohë policia raportoi se dy emrat e njohur të botës së krimit po udhëtonin me makinën e kunatit të Gjepalit, Ilir Sukja, në momentin që persona të panjohur u zunë pritë në Rrogozhinë dhe i ekzekutuan. Gjepali rezultonte si i dënuar me 25 vite burg për krimet e kryera në vitin 1997, ndërkohë që në momentin e ekzekutimit ka qenë duke u kthyer nga një leje disaditore në vendin e kryerjes së dënimit.
Ngjarja, ende pa autor. 24 janar 2014 Vdes pas atentatit me tritol biznesmeni Xhemal Çela.Ngjarja është shënuar teksa biznesmeni ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij në qytetin e Durrësit, në momentin që makina e tij është hedhur në erë. Ngjarja, pa autor.
27 shkurt 2014 Hidhet në erë makina e 40-vjeçarit Baki Xhabafti, i cli gjeti vdekjen e menjëhershme pas këtij atentati. Policia u shpreh se sasia prej 500 gramë eksploziv C4 ishte vendosur poshtë automjetit, ndërkohë që ende nuk ka autor për ngjarjen.
4 prill 2014 Vritet në një atentat Gjin Nika, i njohur si biznesmen në fushën e kromit, por edhe si i përfolur në botën e krimit. Ngjarja u shënua mëngjesin e 4 prillit në Tapizë, teksa Nika ishte duke u kthyer në kryeqytet. Edhe për këtë ngjarje, nuk ka asnjë person të arrestuar.
24 prill 2014 Ekzekutohet me armë zjarri 36-vjeçari Ariel Zanga. Ai njihej si pronari i një lokali shumë të frekuentuar në kryeqytet, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është 40-vjeçari Agron Goxhaj.
1 qershor 2014 Ekzekutohet me breshëri automatiku në kryeqytet, ish-drejtori i CEZ-Shpërndarje në qytetin e Laçit, Viktor Skeja. Ngjarja u shënua në rrugën "Riza Cerova" pranë "Shkollës së Kuqe", teksa Skeja ka qenë në makinën e tij të parkuar pranë banesës së tij. Policia as për këtë ngjarje nuk ka asnjë person të arrestuar.
26 qershor 2014 Ekzekutohet me breshëri plumbash biznesmeni Artan Santo. Ngjarja ndodhi në zonën e ish- Bllokut në kryeqytet, teksa i ndjeri ishte duke u futur në ndërtesën e bankës që ai drejtonte. Nga policia u raportua se dy persona me motor i janë afruar biznesmenit dhe e kanë qëlluar nga afër, ndërkohë që akoma nuk ka autorë për këtë ekzekutim, i cili ndodhi në mes të ditës dhe në zemër të Tiranës.
28 gusht 2014 Vdes biznesmeni vlonjat Isuf Brahimaj, pas atentatit me eksploziv. Ngjarja ndodhi në lagjen "28 Nëntori" në Vlorë, teksa biznesmeni ishte duke udhëtuar me makinën e tij, e cila u hodh në erë nga persona që ende nuk janë identifikuar.
4 nëntor 2014 Krimi i katërfishtë trondit kryeqytetin, ku djali i ish-deputetes Luiza Xhuvani, Kostandini, vrau katër persona. Pas një zënke në një lokal nate tek Rruga e Elbasanit, viktima mbetën 36-vjeçari Edison Jaho, 38-vjeçari Enea Xhaj, 19-vjeçari Arbër Demiraj dhe italiani, Giampaolo Azzola.
19 nëntor 2014 Ekzekutohet në qendër të Durrësit, Leonard Murataj. Ish-anëtari i bandës së Lul Berishës, më vonë edhe kundërshtar i saj, u qëllua ndërsa ishte në lokalin tij. Ngjarja, pa autorë. 5 dhjetor 2014 Vritet Shkëlzen Leka, 34 vjeç, me banim në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku viktima ka qenë duke pushuar me shokët e tij në momentin që është qëlluar nga persona ende të panjohur.
16 dhjetor 2014 Atentat me armë zjarri 50-vjeçarit Qerim Skaçaj. Ngjarja u shënua në Kamëz, teksa viktima ka qenë duke çuar djalin e tij në kopsht. Edhe për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë autor të arrestuar.(BW)