HOXHA E KRAHASON KOALICIONIN PDK-LDK ME QENTË ENDACAKË
E Hënë, 12.29.2014, 10:17pm (GMT+1)
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Ylli Hoxha, ka reaguar ashpër për bllokimin e rregullore për qentë endacakë nga ana e asamblistëve të PDK-së dhe LDK-së.
Koalicionin PDK-LDK, Hoxha e ka quajtur të rrezikshëm po aq sa edhe qentë endacakë.
"Koalicioni PDK-LDK tregoi sot "dhembet" në Kuvendin Komunal të Prishtinës duke bllokuar rregulloren për qentë endacakë", ka shkruar Hoxha në profilin e tij në Facebook.
Asamblisti Hoxha thotë se Komuna e Prishtinës, e vetëdijshme për urgjencën e çështjes, ka disa muaj që ka iniciuar debatin publik në Kuvendin e Prishtinës mbi temën e qenve endacakë, ka zhvilluar dhjetëra konsultime me organizata profesionale të materies, është përfshi në punë me Asociacionin e Komunave për draftimin e propozim-rregullores me aplikim rajonal, dhe në koordinim me këtë Asociacion ka iniciuar procesin e vënies në jetë të kësaj rregulloreje duke e sjellë atë para Kuvendit Komunal.
Por, Hoxha thotë se edhe përkundër vullnetit të sinqertë të Ekzekutivit që rregullorja të absorbojë të gjitha amendamentet përmbajtësore të opozitës, "LDK dhe PDK nuk ofruan asnjë të tillë, por demonstruan vullnetin për të sabotuar qeverisjen e qytetit".
"Dhembet e koalicionit PDK-LDK, ashtu sikur dhembët e qenve endacakë, do t'kërcënojnë sigurinë e qytetarëve të Prishtinës", ka shkruar më tej Hoxha.
Në fund, asamblisti Hoxha ka thënë se "së paku, kjo është bërë transparente sot, dhe qytetarët e kanë të qartë adresën e përgjegjësisë në rast të fatkeqësive të mundshme".
www.voal-online.ch
|