TIRANË - AKSIDENTOHET FAMILJA E ISH ZËVENDËSMINISTRIT AVENIR PEKA, HUMB JETËN I BIRI 11 VJEÇAR, U GODITËN NGA NJË 'BENZ'
E Hënë, 12.29.2014, 10:25pm (GMT+1)
TIRANE Familja e ish-zv/ministrit të Brendshëm, Avenir Peka është përfshirë mbrëmjen e sotme në një aksident tragjik, në afërsi të Kopshtit Botanik në Tiranë. Burime nga policia bëjnë të ditur se automjeti tip "Chrysler" me targë AA200AR, me të cilin udhëtonin bashkëshortja e Pekës, dy djemtë e tij dhe një tjetër fëmijë, është goditur nga pas nga një makinë tip "Benz" me targa angleze, e cila drejtohej nga një vajzë që dyshohet se ishte në gjendje të dehur, Uarda Çota, 26 vjeçe. Si pasojë e përplasjes të dyja mjetet kanë përfunduar në një gropë në anë të rrugës e cila është ende në ndërtim e sipër.
Gazetari Spartak Koka bën të ditur nga vendi i ngjarjes se përplasja ka qenë e fuqishme, aq sa njëra nga mjetet është përmbysur. Mësohet se viktimë ka mbetur 11-vjeçari Rubin Peka, ndërsa të plagosurit janë nëna dhe vëllai i tij, Enkelejda Peka dhe 8-vjeçari I.Peka. Gjithashtu i lënduar është edhe një fëmijë 11-vjeçar, i identifikuar si A.Bylykbashi dhe dy vajzat që udhëtonin me automjetin tip "Benz".
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimi zjarrfikës dhe forcat e policisë, të cilat po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik. bw
www.voal-online.ch
|