ALBIN KURTI - LDKja TASH ËSHTË VAGON I PDKsë Kurti - Ta shpëtojmë Republikën prej kësaj qeverie
E Martë, 12.30.2014, 07:15am (GMT+1)
Qeveria ka shumë numra, por është e dobët. Ndërkaq, opozita i ka të pamjaftueshëm numrat, por është e fuqishme, thotë ndër tjerash lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për Radio Kosovën.
Zoti Kurti, Kosova tashmë ka institucionet e reja, për formimin e të cilave ju keni qenë mjaft kritik. Duke pasur parasysh krizën politike qe kaloi Kosova, a mendoni se ky koalicion ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën?
Albin Kurti: Përderisa kishim krizë institucionale kishim shpresë për qytetarët, kur u zgjidh ajo, atëherë u rrit emigrimi ilegal i qytetarëve të cilët mbetën pa shpresë se në të ardhme të afërt do të krijohen kushte për progres ne Kosovë. Kosova edhe në të kaluarën nuk ka lënguar nga mungesa e sukseseve individuale, ajo çka i mungon Kosovës është progresi shoqëror. Besoj që, po të formoheshin institucionet nga shumica parlamentare nuk do ta kishim këtë eksod dhe do të krijoheshin kushtet për një kurs të ri të shtetit, ku do të theksohej zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Si prisni të funksionojë Qeveria e re dhe cila do të jetë opozita e juaj karshi kësaj Qeverie?
Albin Kurti: Qeveria ka shumë numra, por është e dobët. Ndërkaq, opozita i ka të pamjaftueshëm numrat, por është e fuqishme. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes është grupi i deputetëve më të përgatitur në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe kjo tashmë është parë. Ne jemi të hapur dhe të interesuar që edhe deputetë tjerë opozitarë, edhe të pakënaqurit e PDK-së dhe LDK-së të bëhen bashkë me neve në iniciativat e ndryshme, në mënyrë që sa më parë t'ia shkurtojmë jetën kësaj Qeverie. Jam optimist se do t'i mbledhim 40 nënshkrime për komisione hetimore parlamentare apo seanca të jashtëzakonshme për të ngritur tema të cilat nuk i ngrit dot Qeveria. Po ashtu, jam optimist se do të mund ta pengojmë numrin prej 80 deputetëve të tyre, për t'i bërë ndryshimet kushtetuese për të keq, çfarë tanimë ata e kanë paraqitur si synim të tyre.
Keni kontakte me deputetët e pakënaqur të PDK-së dhe LDK-së?
Albin Kurti: Në kuadër të grupit tonë parlamentar ne kemi diskutuar edhe këtë çështje, dhe shefi i Grupit tonë parlamentar Visar Ymeri mban kontakte edhe me këta deputetë dhe mbetet të shihet në vitin 2015 se këto kontakte dhe kjo gatishmëri e jona sa do të mund të rezultojë me sukses kundër kësaj Qeverie.
Zoti Kurti, ju keni kundërshtuar deri tash bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çfarë do të jetë qëndrimi juaj ndaj këtij procesi tash e tutje dhe cili është qëndrimi i juaj rreth themelimit të Gjykatës speciale?
Albin Kurti: Gjykata Speciale për UÇK-në do ta kriminalizojë Kosovën në sytë e opinionit ndërkombëtar, kurse dialogu pa kushte me Serbinë do ta bosnjëzojë Kosovën. Në vend të luftimit të korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik, që janë të domosdoshme për qytetarët tanë, do të kemi dy procese tjera për të cilat diplomatët ndërkombëtarë na thonë se janë të domosdoshme e dyshja Thaçi-Mustafa është zotuar para tyre. Po del se ne çështjet e imazhit të Kosovës nuk i kemi për jashtë, por i kemi këtu për brenda, ndërkaq, në anën tjetër, politikat themeltare qeveritare nuk i kemi përbrenda vendit por i kemi për jashtë. Besoj që kjo duhet të ndryshojë rrënjësisht, pra Kosova t'i kthehet vetvetes, t'i kthehet zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, por kjo nuk është e mundshme pa e ndryshuar këtë Qeveri, e cila pikërisht këtë po e bën të pamundshme, siç e dëshmoi edhe projektligji i buxhetit për vitin 2015, i cili ishte i kopjuar nga ai i vitit të kaluar.
Nëse zoti Mustafa do t'ua besonte dialogun juve, a do ta pranonit ketë ofertë ?
Albin Kurti: Ne kemi pasur një marrëveshje me 10 shtator, në bazë të së cilës ne kemi ridefinuar çështjen e dialogut. Së pari, dialog me Brukselin për partneritet të Kosovës dhe marrëveshje kontraktuale. Së dyti, dialog me serbët e Kosovës për zhvillim dhe jo pajtim. Dhe, së treti, dialog në përgjithësi edhe me fqinjët mbi bazat e reciprocitetit për interesat e Kosovës. Kjo nuk mund të bëhet më, sepse Mustafa e ka shkelur marrëveshjen e 10 shtatorit, dhe ai ka një marrëveshje të re me Listën Serbe. Sa i përket dialogut me Serbinë, ai do ta vazhdojë aty ku ka mbetë Hashim Thaçi. Tashmë Mustafa ka marrë një kahje të ndryshme e të kundërt me marrëveshjen e 10 shtatorit dhe unë nuk i ndihmoj atij në këtë orientim të tij të ri, përkundrazi unë jam këtu si opozitë prijëse, që t'ia shkurtojmë jetën kësaj Qeverie.
Zoti Kurti, megjithatë ju para 6 muajve keni mbështetur LDK, keni pasur koalicion me LDK-në?
Albin Kurti: Po të respektohej marrëveshja e 10 shtatorit, LDK do të ishte tjetërfare. Tash kemi një LDK tjetër. Marrëveshjen e 10 shtatorit LDK e ka zëvendësuar me marrëveshjen e 9 dhjetorit. Me marrëveshjen e shtatorit LDK na ka pasur neve si Lëvizje Vetëvendosje, por edhe AAK dhe Nismën; me marrëveshjen e 9 dhjetorit ajo i ka PDK-në dhe Listën Serbe. Kriteret tona të drejta i ka rezistuar për 3 muaj rresht, prej 10 qershorit deri me 10 shtator, ndërkaq kushtet e Beogradit të shprehura përmes Listës Serbe i pranoi për një natë. Bëhet fjalë për dy LDK. LDK-ja e votoi Kadri Veselin për kryeparlamentar dhe u zotua që do ta votojë Hashim Thaçin për president. LDK-ja përmes Isa Mustafës e cila ka dhënë nënshkrimin te marrëveshja e 10 shtatorit do të ishte tjetërfare, me idenë e një kursi të ri të shtetit. Kjo LDK tash është vagon i PDK-së, drejt një gremine ku nuk ka urë. Parulla e parë e LDK-së në fushatën parazgjedhore ishte KTHESA, kurse parulla e dytë VETËM NE MUNDEMI. Pra, vetëm LDK-ja mund të bëjë këso kthese. Përfundimi përherë rikuptimëson, apo jo?
Keni kritikuar institucionet për korrupsion, për nxitje të migrimit të paligjshëm dhe mos zhvillim ekonomik. Sa keni arritur ju të ndikoni në zvogëlimin e këtyre dukurive?
Albin Kurti: Ne jemi një lëvizje politike, një subjekt i cili është i pakorruptuar dhe i pakorruptueshëm. Shumë analistë dhe gazetarë e politikanë thoshin se kur te vjen Vetëvendosja në institucione, në vitin 2011, do të bëhet si të tjerat, kjo nuk ndodhi. Thoshin se kur Vetëvendosja do të vijnë në qeverisje do të bëhet si të tjerat, sërish nuk ndodhi. Me shembullin tonë kemi treguar se është e mundur të merresh me politikë e të mos jesh i korruptuar. Tash, për ta luftuar korrupsionin, ajo çka duhet të ndodhë është çlirimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë nga ekzekutivi, por kjo nuk mund të ndodhë pa një ekzekutiv tjetër, i cili e kupton që Qeveria nuk është aty për të qeverisur me prokurorinë dhe gjyqësorin, por për t'i lënë ata të lirë që ta luftojnë krimin. Në një vend normal demokratik, kryeministri dhe ministrat duhet që t'i frikësohen kryeprokurorit, por te ne ndodhë e kundërta, kemi aq shumë prokurorë të cilët i frikohen Qeverisë, e kjo është arsyeja kryesore pse nuk ka luftim të krimit dhe korrupsionit.
Zoti Kurti, çka prisni nga viti 2015?
Albin Kurti: Viti 2014 ishte vit kur gabimisht e padrejtësisht Kuvendi i Kosovës e shkarkoi vetveten, vit i një kontrate të re me Bechtelin dhe shumë të shtrenjtë, vit kur e pamë qe mund ta dërgonim në opozitë PDK-në, por vetëm Vetëvendosja ishte e vendosur për një gjë të tillë, vit i skandalit të EULEX-it, vit kur Enver Hasani dhe Jahjaga u bënë militantë të PDK-së kundër shumicës parlamentare, dhe kur i kemi parasysh te gjitha këto të zeza në vitin 2014 atëherë ne nuk mund te presim ditë të bardha në vitin 2015 pa një ringritje te qytetarëve, të cilët duhet ta shpëtojnë Republikën prej kësaj Qeverie. Unë jam megjithatë optimist se në Kosovë nuk ka më njerëz te mashtruar sa i përket partive politike. Skena politike është qartësuar dhe këto afera e skandale të vitit 2014 tash duken më qartë në dritën e diellit si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Kjo më bën mua të besoj që Vetëvendosje si opozitë kryesore do të lidhet ngushtë e bashkë me qytetarët, do të veprojë brenda Kuvendit dhe jashtë tij, në mënyrë që kjo Qeveri e dy partive në rënie të bie bashkë me ato dy parti dhe për Kosovën viti 2015 të jetë një vit ku edhe kthehet shpresa edhe nis puna e ndershme.
www.voal-online.ch
|