
VOAL - Mesila Doda, deputetja demokrate që mori
nismën për të dërguar në Kuvend, bashkë me shoqërinë civile, një draft
tjetër për hapjen e dosjeve, ka kundërshtuar ligjin e qeverisë, duke
hedhur dyshime se ai po bëhet për të mbrojtur pikërisht spiunët dhe
krimin politik.
"Kemi nevojë që të shikojmë se
xhelatët duhet të dalin jashtë piramidës shtetërore. Duke i konsideruar
një për një, ashtu siç paraqitet edhe në ligjin tonë, e jo ashtu siç po
kërkohet sot të shitet nëpërmjet shashkave që ministri hedh, duke
tentuar të tregojë nëse një ligj është kushtetues ose antikushtetues. Në
qoftë se ka dyshime se ligji i paraqitur prej nesh është
antikushtetues, atëherë ta çojnë në Komisionin e Venecias dhe merrni
mendimin e atij komisioni për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje.
Por me mënyra të tilla të tërthorta dhe ligje që tentojnë thjesht të
shantazhojnë një pjesë të atyre që mundet dhe të mbrojnë xhelatët që
janë në majë të piramidës shtetërore, ne nuk do kemi bërë gjë tjetër
veçse do kemi afruar amnistinë më të mirë krimit politik. Protektorë të
të cilëve sot i kemi në majë të qeverisë. Absolutisht i keni sot në
Ministrinë e Brendshme, në majë të grupit parlamentar, kryetarë
komisionesh, dhe ju dini gjithçka lidhur me të gjitha veprimtaritë që
ata kanë pasur në të kaluarën dhe në të sotmen. Të gjitha këto raste do
të shkojnë pranë strukturave të NATO-s, Parlamentit Europian dhe
Këshillit të Europës. Le ta dinë të gjithë që kjo është një farsë, me të
cilën po mundohet që të shpëtojë sistemi i sotëm politik", deklaroi
deputetja Doda./ Top Channel
Doda: Qeveria mbron xhelatët e së kaluarës, do t'i drejtohemi NATO-s, PE-së dhe KiE-s
Drafti i Dosjeve
"Po i shmangen lustracionit, Meta ka bllokuar nismën e shoqërisë civile"
"Protektorët e krimit politik godasin edhe njëherë procesin e pastrimit të shtetit nga kriminelët"
"Theksimi i Kryeministrit për të mos trajtuar lustracionin, nxjerr qartazi qëllimin e futjes së një ligji paralel për dosjet"
"Do duhet që t'ia dërgojnë Parlamentit Europian dhe Këshillit të
Europës mënyrën se si qeveritarët e sotëm i shmangen lustracionit"
"Të dhënat do ia dërgojmë NATO-s që ta dijë se ju punoni dhe drejtoni me sigurimsa e spiunë"
HERION MESI
Nismëtarja
e draftit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Mesila
Doda, u shpreh kundër variantit të propozuar nga qeveria. Në një
prononcim për mediat, deputetja demokrate akuzoi mazhorancën socialiste
si protektore e krimit politik, e cila sipas saj, po godet edhe njëherë
procesin e pastrimit të shtetit nga kriminelët. "Protektorët e krimit
politik godasin edhe njëherë procesin e pastrimit të shtetit nga
kriminelët. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua
dhe ligji i dosjeve i përgatitur me qëllimin e pastër për të mbrojtur
krimin politik të djeshëm dhe për të hapur e rënduar vetëm ata që dikur u
shtrënguan nga sistemi", u shpreh Doda. Për ligjvënësen e djathtë,
projektligji i qeverisë nxjerr qartazi qëllimin e një ligji paralel dhe
ndër të tjera ai mbron figurat e së kaluarës, të cilat janë në postet më
të larta të piramidës shtetërore. "Ligji që u miratua sot dhe theksimi i
Kryeministrit për të mos trajtuar lustracionin, pasi ky nuk ishte
këndvështrimi i tij, nxjerr qartazi qëllimin e futjes së një ligji
paralel për dosjet. Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin ka më se
një muaj që është i depozituar në Parlament dhe ende nuk merret në
konsideratë. Sot ndeshemi edhe me deklaratën e ministrit që në orvatjen
për të amnistuar krimin politik, pjesë drejtuese e shtetit dhe partisë
në pushtet, tashmë është bërë edhe Kryetar Parlamenti edhe kryetar i
Gjykatës Kushtetuese, duke treguar edhe njëherë atë tendencë
diktatoriale të kësaj qeverie për të uzurpuar çdo pushtet tjetër, atë të
legjislativit dhe të drejtësisë", u shpreh ajo. Duke vijuar më tej,
Doda i cilësoi të paqena deklaratat e ministrit të Mirëqenies Sociale
dhe Rinisë, Erjon Veliajt, i cili sipas saj, e ka etiketuar
projektligjin e propozuar një muaj më parë nga ajo dhe kreu i PDIU-së,
Shpëtim Idrizi, si antikushtetues. Doda tha se Veliaj po thotë gjëra të
paqena dhe se mund ta dërgojë në Komisionin e Venecias për verifikim.
"Ligji që fle në protokollin e Parlamentit prej një muaji nuk ka asnjë
element antikushtetues dhe ministri vetë është në dijeni dhe i
ndërgjegjshëm se thelbi i shqyrtimit të lustracionit në këtë ligj është
trajtimi, një për një i veprimtarisë së spiunëve, drejtuesve të
Sigurimit të Shtetit dhe organeve të tjera të dhunës dhe të
politikbërjes diktatoriale dhe jo dënim kolektiv siç po përpiqet të
hedhë shashka, kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese, Veliaj", u shpreh
Doda. Ndërkaq, deputetja e PD-së u bëri apel dhjetoristave t'i bashkohen
kauzës së lustracionit dhe të vihen në lëvizje për t'i njohur dhe
partnerët ndërkombëtarë jo vetëm me mënyrën se si po e trajton këtë
çështje qeveria e sotme, por edhe për t'i prezantuar ata me spiunët e së
kaluarës komuniste shqiptare. "Në këto kushte, grupi i shoqërisë civile
dhe mbështetësit politikë të këtij ligji, Studentët e dhjetorit dhe
deputetët mbështetës do duhet që t'ia dërgojnë Parlamentit Europian dhe
Këshillit të Europës mënyrën se si qeveritarët e sotëm i shmangen
lustracionit dhe se si vazhdojnë të qeverisin me punonjësit e sigurimit
që dikur rekrutonin e drejtonin spiunët", apeloi Doda. Por deputetja
demokrate do të shkonte dhe më tej në "kërcënimet" e saj, teksa
paralajmëroi se të dhënat për ish-bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të
Shtetit të asaj kohe do t'i dërgohen edhe Aleancës së Atlantikut të
Veriut, ku bën pjesë dhe Shqipëria. "Të dhënat do ia dërgojmë NATO-s që
ta dijë se ju punoni dhe drejtoni me sigurimsa e spiunë. Do t'i
drejtohem me një apel gjithë deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë,
personalisht dhe një për një, veçanërisht atyre që janë pjesë e një
sistemi që shembi komunizmin dhe që kanë të persekutuar e të vrarë në
familjet e tyre dhe rrethin e tyre. U kërkoj t'i bashkohen një vetëdije
të re politike për të mos mbrojtur kriminelët e djeshëm që sot vazhdojnë
të jenë në majën e politikës qeveritare. Ligji që kërkon të shitet si
risi, është vetëm një mënyrë për të shantazhuar spiunët e nivelit të
ulët, por njëherazi të mbrojnë xhelatët dhe shefat e qeverisë dhe
partisë", deklaroi ajo. Në përfundim të deklaratës së saj, deputetja
demokrate u bëri sërish apel deputetëve, ish-aktivistë të "Lëvizjes së
dhjetorit", si dhe ish të persekutuarve, që t'i bashkohen për të kërkuar
largimin e xhelatëve nga piramida shtetërore. "I drejtohem shoqërisë
civile, studentëve dhe veçanërisht të persekutuarve të mos lejojnë që
xhelatët t'i trajtojnë si numra në dëmshpërblime dhe të tallen duke
vazhduar të nderojnë e dekorojnë xhelatët e komunistët. Më së fundi, ju
kujtoj se nuk mund të ketë spastrim të politikës nga krimi ordiner pa u
spastruar njëherë e mirë nga krimi politik, i cili është rrënja e
monstruoziteteve të djeshme e të sotme", u shpreh dje Mesila Doda në
reagimin e saj pas miratimit nga qeveria të draftit për hapjen e
dosjeve, që sipas Ekzekutivit, synon dhënien fund të shantazheve. Dhe
për këtë arsye, qeveria në projektligjin e saj bën me dije se do të
ngrihet Autoriteti për Informim Publik.
Drafti Doda-Idrizi
Projekti për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe procesin e
lustracionit, i depozituar nga Doda dhe Idrizi rreth një muaj më parë, i
mbështetur gjithashtu edhe nga shoqëria civile, përmban 36 nene
gjithsej dhe parashikon që të vërë në dispozicion të personave dosjet e
Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist nga periudha
24.10.1944 deri më 31.03.1991. Drafti në fjalë parashikon një gamë të
gjerë personalitetesh që do të verifikohen për pastërtinë e figurës së
tyre duke filluar që nga Presidenti, te krerët e partive, apo dhe
ambasadorë e drejtues të lartë institucionesh. Zbatimi i këtij ligji
parashikohet të veprojë deri më 31 dhjetor të vitit 2030. Në nenin 17 të
këtij drafti është përcaktuar se cilët janë funksionarët që nuk duhet
të jenë më në poste drejtuese apo të zgjidhen si deputetë. Në draft janë
futur dhe sekretarët e parë të rinisë të rretheve. Në këtë sanksionim
pritet që të preken disa deputetë të PS-së. "Funksionarët publikë me
mandat kushtetues dhe çdo person tjetër i zgjedhur nga Kuvendi janë
subjekte të verifikimit sipas këtij ligji. Ata nuk e ndërpresin mandatin
kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur, por të dhënat e grumbulluara
nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në çdo rast, një funksionar
publik i tillë mund të dorëhiqet përpara përfundimit të mandatit të tij
dhe në këtë rast dosja e tij nuk publikohet", thuhet në pikën dy të
nenit 17.
Projektligji i deputetëve Doda-Idrizi
Neni 17/ Kush do të ndalohet të marrë poste shtetërore
1. Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen
prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri më 31.3.1991
të një prej detyrave të mëposhtme:
a) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe
anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij,
para zgjedhjeve të 31 marsit 1991.
b) Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit,
sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës
së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të
rrethit.
c) Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të
Shtetit, si dhe kryetar dege; punonjës operativë, legalë apo ilegalë,
bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka
bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më
2.07.1991.
d) Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare.
e) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit, si dhe prokuror,
gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra
penale politike;
f) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike.
2. Funksionarët publikë me mandat kushtetues dhe çdo person tjetër i
zgjedhur nga Kuvendi janë subjekte të verifikimit sipas këtij ligji.
Ata nuk e ndërpresin mandatin kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur,
por të dhënat e grumbulluara nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në
çdo rast, një funksionar publik i tillë mund të dorëhiqet përpara
përfundimit të mandatit të tij dhe në këtë rast dosja e tij nuk
publikohet.