2014 - RRITEN ME 269% KËRKESAT PËR AZIL NGA SHQIPËRIA
E Mërkurë, 12.31.2014, 08:59am (GMT+1)
Tiranë - Në 10 muajt e parë të 2014 kërkesat për azil nga shqiptarët në vendet Shengen vijuan tendencën e dëshmuar në janar të këtij viti.
Në këtë periudhë, sipas raportit më të fundit të agjencisë europiane, FRONTEX, siguruar nga TCH, Shqipëria regjistron përqindjen më të lartë, 266 për qind më shumë se në 2013, e ndjekur nga Mali i Zi me 164 për qind, Bosnja 65 për qind, Serbia 44 për qind, ndërsa Maqedonia regjistron një rënie prej 6 për qind të kërkesave për azil në Europë.
Dyndja më e madhe e azilkërkuesve shqiptarë vërehet nê Gjermani me 5970 kërkesa gjithsej, që vlerësohet gati 662 për qind më shumë se një vit më parë. Dokumenti i Varshavës daton më 17 Nëntor dhe vlerëson prurjet e raportuara nga shtetet anëtare nga 29 shtatori deri në 2 Nëntor.
Shqipëria renditej në Tetor e dyta me 19 përqind, pas Serbisë (48%) që kryesonte për gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të kërkesave për azil nga 5 vendet ballkanike përfituese të regjimit pa viza. Bosnja dhe Maqedonia ndanë të njëjtën pjesë torte, 15%, ndërsa Mali i Zi shënoi numrin më të ulët të kërkesave, vetëm 3 për qind.
Nga 33 706 azilkërkues të regjistruar në tërësi përgjatë 10 muajve në 5 vendet më të prekura të Shengenit, Gjermania mbetet vendi më i synuar nga rajoni me 77 për qind kërkesa më shumë se një vit më parë, ndërsa Suedia pati ngjashëm raste sa viti i kaluar, por FRONTEX analizon se kjo u shkaktua nga rritja prej 59 për qind e numrit të azilkërkuesve shqiptarë, ku numërohen 1352 aplikime të reja këtë vit.
Ulja e regjistruar gjatë Tetorit në Belgjikë e Zvicër, respektivisht me -13 për qind dhe -15 për qind solli një rritje mospërfillëse të aplikimeve vjetore në tërësi në këto dy vende, posaçërisht prej 1% dhe 10%, krahasuar me 2013.
Për të njëjtën periudhë (10muajt e parë të 2014), në Luksemburg vlerësohet një rritje prej 90 për qind e numrit të azilkërkuesve shqiptarë, me 116 kërkesa të reja gjithsej. Në Tetor, 898 veta u kthyen në Tiranë, forcërisht ose vullnetarisht, duke u pozicionuar të dytët edhe për këtë tregues, pas Serbisë ku regjistrohen 2305 riatdhesime.
Me përjashtim të Suedisë e Luksemburgut që nuk kanë kthyer asnjë shqiptar me forcë, por vetëm vullnetarisht, përkatësisht 4 dhe 44 shqiptarë, Belgjika detyroi 31 persona të kthehen pa dëshirën e tyre dhe 61 të tjerë vullnetarisht, Gjermania ktheu 71 me forcë dhe 5 me vullnet të lirë, ndërsa nga Zvicra u kthyen me detyrim 41 shqiptarë dhe nuk u regjistrua asnjë kthim vullnetar.
Në grafikun për Shqipërinë nga Njësia e Analizës për Riskun vërehet se kërkesat për azil përgjatë2014 janë më të larta se në dy vitet e mëparshme, sikundër parashikohet tendenca për rritje të azilkërkuesve në javët vijuese të dimrit, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike.
Ky dokument u paraqit nga komisioni ndaj Këshillit të BE-së në Dhjetor dhe raporti i ardhshëm i FRONTEX mbi 5 vendet e Ballkanit që përfitojnë nga regjimi pa viza pritet të dorëzohet në fund të Janarit./Shekulli
www.voal-online.ch
|