VËLLEZËR E MOTRA, GËZUAR - QOFTË PËR NE VITI 2015 KAMPION I ARRITJEVE TË MËDHA, KAMPION I PËRMBUSHJEVE TË MËDHA!
E Mërkurë, 12.31.2014, 09:40am (GMT+1)
Bashkëkombësve tanë të dashur shqiptarë, emër për emër, të gjithë të afërmve tanë emër për emër, të gjithë mikeshave dhe miqve tanë emër për emër, të gjithë të njohurve tanë, emër për emër, të gjithë atyre që i kemi pasur përkrah e do t'i kemi përkrah në idealet tona, përkushtimet tona, ngado u ndodhshin, kudo qofshin ju urojmë nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2015!
Qoftë ky një vit kampion i arritjeve domethënëse në jetën e secilit prej nesh, vit kampion i përmbushjeve të mëdha si indvidë, si familje, si shoqëri dhe si komb, në një kontekst gjithnjë e më paqësor, gjithnjë e më konstruktiv, gjithnjë e më fatsjellës për të gjithë ne, për të gjitha familjet tona, për të gjithë brezat! Si Europianë!
Qoftë ky vit shëndetbardhë e shëndetplotë pasuria më e madhe për njeriun. Kush ka probleme me shëndetin, Zotit t'i lutemi së bashku që t'i zgjidhë sa më mirë.
Sfidat që na presin gjatë këtij viti janë të ndryshme, për secilin nga ne, për ata që janë në atdhe, si dhe për ata që ndodhen nëpër botë. Urojmë dhe lutemi njëkohësisht që Zoti të na e japë fatin e duhur, vullnetin e duhur, forcën e duhur, kthjelltësinë e duhur, në mënyrë që të gjithë këto sfida ne t'i përballojmë me sukses sa më të plotë, në mënyrë që, të gjithë ne, veç e veç dhe së bashku, të dalim faqebardhë para vetes, para familjeve tona, pra atdheut, para kombit, para Zotit!
Në urimin tonë dhe lutjen tonë ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni, me zemrat hapur dhe shpirtërat e kthjellët, në mënyrë që Zoti të jetë me ne kudo e përherë, në çdo çast në vitin që vjen dhe në të gjitha vitet që vijnë, për hir të përparimit të të gjithë ne shqiptarëve, lartësimit të të gjithë ne shqiptarëve.
Për një botë sa më të mirë dhe sa më miqësore, sa më humane, sa më solidare, sa më vëllazërore, sa më të pastër, larg makutërisë, pangopësisë, larg intrigave, passhpinësisë.
Sepse jemi të gjithë një gjak e një farë!
Jemi Vëllezër e Motra.
Jemi Shqiptarë e Shqiptare.
Gëzuar!
ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ
|