VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

2014 ISHTE NJË VIT ME KRIZA PËR UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

E Enjte, 01.01.2015, 11:12pm (GMT1)



Fillimi dhe fundi i vitit 2014 universitetin publik "Hasan Prishtina" në Prishtinë, e përcolli më protesta të studentëve, duke filluar për siç është thënë, padrejtësitë e kandidatëve për doktoraturë, kërkim të dorëheqjes se rektorit, keqpërdorimet dhe keqmanaxhimet në këtë institucion, e deri tek protestat e fundit, kur veteranët e luftës kërkonin pranimin e 1000 studentëve në këtë institucion pa përmbushur kriteret.

Protestat e studenteve filluan në fund të janarit, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi, pas raportimeve se gradimet e tij, janë jashtë standardeve profesionale pasi sipas tyre, publikime shkencore janë publikuar në revista të dyshimta.

Ibrahim Gashi në korrik të vitit 2012, ishte zgjedhur rektor i Universitetit të Prishtinës për një mandat katërvjeçar për periudhën 1 tetor 2012 - 1 tetor 2016.

Në protestat e studentëve, të cilët edhe bllokonin hyrjen në rektorat, që zgjatën më shumë se 10 ditë, kishte pasur përleshje në mes tyre dhe organeve të rendit.

Gjatë kësaj periudhe kishte pasur të lënduar nga të dyja palët, kurse policët kishin shoqëruar në stacione policore disa studentë.

Kriza në Universitetin e Prishtinës, ishte bërë temë debatesh në mes shoqërisë civile dhe opozitës. Kjo situatë "detyroj" edhe deputetët që të debatohet në Kuvendin e Kosovës.

Partitë opozitare në atë periudhë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kërkonin që universiteti mos të politizohet.

Kurse në atë kohë partia në pushtet vetë ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati kërkuar nga të gjithë deputet që të verifikohen të gjitha gradat shkencore prej vitit 1991 deri më tash.

"Kërkoj nga ju të gjithë, mbështetjen në propozimin tim si kryeministër që të kërkojmë sot, qoftë deklaratë, qoftë rezolutë të gjithë të bashkuar si skenë politike, nëse nuk kemi frikë për njerëzit që i kemi brenda partive politike dhe nëse kemi guxim të marrim atë vendim që të kërkojmë nga senati i UP-së verifikimin e të gjithë titujve dhe gradave shkencore të njerëzve të politikës kosovare, që nga viti 1991 deri më sot", tha Thaçi.

Pavarësisht kësaj, prostatat vazhduan edhe në muajin shkurt, në të cilat pati përplasje në mes protestuese dhe policëve dhe nga të dyja palët u raportuan lëndime.

Zgjidhje të problemit përmes një dialogu konstruktiv kishte kërkuar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për mes zëdhënësit të saj Arbër Vllahiu.

Pas të gjitha këtyre, rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, më 8 shkurt vendosi të jap dorëheqje.

Në letrën për dorëheqje drejtuar anëtareve të këshillit drejtues, Ibrahim Gashi, ka sqaruar arsyen e dorëheqjes.

"Duke qenë së situata në Universitetin e Prishtinës, kjo edhe si pasojë e zhvillimeve jashtë tij, është ndërlikuar tej mase, dhe me qëllim të normalizimi të saj, ju paraqes dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".

Kam vendosur për këtë hap, pas një presioni të vazhdueshëm, shpeshherë edhe të pandershëm dhe me implikime të thella politike të një grupi të studentëve, një pjese të shoqërisë civile dhe të qarqeve të caktuara politike", kishte thënë në letrën e tij Ibrahim Gashi,

Ndryshe, gjatë periudhës se rektorit Gashi kishte pasur pezullime dhe shkarkime të disa zyrtarëve dhe profesorëve në Universitetin e Prishtinës, nën dyshimet për afera korruptive

Në anën tjetër Këshilli i Universitetit të Prishtinës, emëroi Naser Sahitin ushtrues detyrës se Rektorit, i cili jep dorëheqje pa u bërë 24 orë.

Pas ndalimit të protestave dhe një muaj pas dorëheqjes se Ibrahim Gashi, me shumicë të votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues, Anton Berishaj profesor në Fakultetin Filozofik, është zgjedhur u.d i rektorit të UP-së.

Me zgjedhjen e ushtruesit të detyrës se rektorit, gjendja u normalizua dhe punët shkonin në heshtje.

Por, në muajin shtator më zgjedhjen e rektorit të ri, profesorit të matematikës, Ramadan Zejnullahu, rikthehen protestat. Ato filluan nga një grup i vogël studentësh ku kërkonin dorëheqjen e tij, pasi sipas tyre ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme.

Kurse në muajin nëntor dhe dhjetor organizatat e Veteranëve të Luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizuan protestë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke i shprehur pakënaqësitë, për siç thanë ata, moszbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta, në Universitetin e Prishtinës.

"Nuk po kërkojmë shumë. Ata që janë pranuar në afate të rregullta sipas meritës janë sistemuar nëpër Fakultete, por konsiderojmë se nuk i është bërë padrejtësi askujt por kërkojmë që vetëm të ngushtohen pak e të lëshojnë vend edhe për fëmijët e atyre që dhanë gjithçka që ne sot të kemi universitet të lirë, shtet dhe institucione të lira", pati thënë Smajl Elezi, drejtues i kësaj organizate.

Regjistrimi i tyre, sipas Memorandumit, bëhet pa përmbushjen e kritereve të përcaktuar për pranim të rregullt në UP.

Zbatimin e këtij memorandumi, i nënshkruar në vitin 2009, në mes të Universitetit të Prishtinës dhe shoqatave të dala nga lufta, e ka kundërshtuar rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, sipas të cilit është i paligjshëm.

Në mbështetje të rektorit kanë dalë edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe shefat e misioneve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë të përbashkët përfaqësuesit e BE-së në Kosovë kanë thënë se shmangja e kritereve për pranim në Universitet  "dëmton jo vetëm universitetin, por edhe të drejtën e studentëve që të kenë një arsim cilësor, të cilin e meritojnë".
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.