INVESTITORËT IKIN NGA KOSOVA
E Premte, 01.02.2015, 09:59am (GMT+1)
Investimet e huaja direkte edhe gjatë vitit 2014-të kanë pësuar rënie. E tërë kjo si pasojë e një ambienti jo të favorshëm dhe aspak atraktiv për të bërë biznes dhe tërheqje të investitorëve potencial.
Mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsionit, për të cilët raportohet çdo ditë, kanë dekurajuar investitorët potencial për ta shikuar Kosovën si një vend për të investuar kapitalin e tyre.
Kështu pohojnë ekspertë të ekonomisë sipas të cilëve Kosova jo që nuk po arrin të tërheq investime nga jashtë por po i humb edhe ata pak investitorë që ka.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se viti 2014, ka reflektuar më shumë me tkurrje të investimeve të huaja se sa me zgjerimin e tyre. E tërë kjo sipas tij, vie si pasojë e dështimeve ekonomike, të cilat kanë bërë që edhe investitorët e huaj, që kanë qenë këtu të largohen për në vendet tjera. Ndërsa thotë se institucionet e vendit, shumë pak po bëjnë për investitorët e huaj, e aq më pak për ata vendor.
Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin "Riinvest", thotë për KP se investimet e jashtme në Kosovë po bien nga viti në vit. E arsye për këtë sipas tij mbetet ambienti i rënduar i të bërit biznes, burokracia, korrupsioni, mos funksionimi i gjykatave dhe risku i lartë politik.
Abdixhiku madje thotë se Kosova nuk po arrin të ketë një shembull të mirë të investitorëve të huaj që të nxit njëfarë besimi për Kosovën. Madje thotë se për arsye nga më të ndryshmet, bizneset që po vijnë në Kosovë po përfundojnë në vendet përreth nesh. Ai thotë se duhet të ndërpritet korrupsioni, të zhbëhet burokracia dhe të bëhen politika më atraktive, të cilat mund t'i tërheqin investitorët.
"Bizneset që nuk vijnë në Kosovë përfundojnë në Maqedoni, Shqipëri apo Serbi. Për arsye nga me të ndryshme. Ne e kemi shembullin e kërkesës për korrupsion në Kosovë dhe zhvendosjen e një firme gjermane në Maqedoni që sot ka hapur 5 mijë vende të reja të punës. Pra kjo praktikë e tërheqjes së investimeve është e paparë.
Në këtë praktikë Kosova humb me vendet e rajonit. Kjo duhet me u ndërpre. Pra, duhet të ndërpritet fillimisht korrupsioni, duhet të zhbëhet burokracia dhe duhet të mendohen politika atraktive që bëjnë investimin në Kosovë të lehtë dhe të mundshëm", tha ai.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, pohon se investimet e huaja janë në normat më të ulëta se 50 për qind krahasuar, me ato të vitit të kaluar. Sipas tij, barrierë kryesore për investuesit e huaj në Kosovë mbetet pasiguria dhe situata e paqartë politike,e cila dekurajon investitorët serioz që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, duke i bërë që të orientohen në tregjet tjera.
"Barriera kryesore natyrisht është pasiguria që përcjell një investitorë potencial gjatë tërë kohës dhe kjo është për shkak të situatës së paqartë politike. Meqenëse faktorët politik janë faktorë të rëndësishëm në marrjen e vendimeve për investime. Pra, kemi një jo stabilitet politik....Kemi pasur qindra kompani amerikane të cilat kanë ardhur në Kosovë e realisht sot një pjesë e madhe e tyre janë larguar. Për shkak të mos ofrimit të kushteve të duhura për të bërë biznes", thotë ai.
Por me një gjë të tillë nuk pajtohet kryeshefi i agjencisë për promovimin e Investimeve Valdrin Lluka. Ai thotë se nuk ka ankesa nga investitorët për një ambient jo të mirë për biznes. Ndërsa thotë se nuk janë ballafaquar asnjëherë me raste kur investitorët ikin nga Kosova.
www.voal-online.ch
|