
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimit të
veprimtarëve të saj. Në reagimin e saj, shpërndartë medieve thuhet se
pushteti aktual, përmes policisë dhe sistemit gjyqësor, që i ka kapur,
ka nisur fushatë kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Të
premten më 1 maj, në Aeroportin "Adem Jashari", arrestoi sekretarin
organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, pa asnjë
arsyetim; mbrëmë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë ka arrestuar
aktivistët Frashër Krasniqi dhe Etlevë Malushaj.
Për më tepër, ditëve të fundit, shumë aktivistëve të tjerë i janë
dërguar edhe ftesa nga gjykatat, për pjesëmarrjen e tyre në aksione
politike dhe protesta të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Qeveria LDK-PDK-Srpska po kalon nëpër ditë të vështira, duke u
përballur me greva e protesta të ndryshme, për shkak të gjendjes së
mjerueshme në të cilën e kanë sjellë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e
kësaj Republike. Thellimi i mjerimit social; koncesionet e vazhdueshme
me Serbinë në dëm të interesit shtetëror të Kosovës; si dhe vendimet e
tjera që pritet të merren nga kjo Qeveri, po e nxisin revoltën qytetare
të cilën ky pushtet po tenton ta shtypë paraprakisht, përmes kësaj
fushate të arrestimeve.
Lëvizja Vetëvendosje konsideron se aksionet politike dhe protestat
janë të drejta, legjitime dhe të domosdoshme karshi vendimeve të dëmshme
të kësaj qeverie. Nuk është dhe nuk mund të jetë demokratik asnjë shtet
e as pushtet që përndjek qytetarët e vet për shkak të pakënaqësisë që
ata kanë dhe për shkak të shprehjes së kësaj pakënaqësie.
Qeveria e Kosovës e ka për obligim t'ua materializojë vullnetin e ta
mbrojë interesin e qytetarëve të Republikës, e jo t'i arrestojë ata të
cilët ngulin këmbë në këtë obligim të Qeverisë. Përndjekjet dhe
arrestimet e tilla ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të
ndalen menjëherë, thuhet në reagim.