
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori sot
pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe foli
rreth progresit të arritur të vendit në agjendën evropiane.
Në
këtë takim përveç presidentes Atifete Jahjaga, kryeparlamentarit Kadri
Veseli si dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Europian, Samuel
Zhbogar, merrnin pjesë edhe deputetë të Kuvendit, ministra, përfaqësues
të organeve të drejtësisë, prokurorisë, të asociacionit të bizneseve e
të shoqërisë civile.
Kryeministri Mustafa pasi theksoi se sot po bëhej bilanci progresit
të arritur në agjendën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë sa i
përket liberalizimit të vizave, përmendi miratimin e propozimit të
Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana e Komisionit Evropian si një
arritje shumë e madhe për Kosovën. Kjo tregon përkushtimin e
institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në
kuadër të agjendës evropiane dhe në anën tjetër heq çfarëdo dyshimi
rreth perspektivës evropiane të Kosovës, thoi ai.
Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit
Evropian dhe më pastaj nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të
vitit të ardhshëm paraqet marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet
Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim
Asociim kërkon një angazhim të madh të gjitha institucioneve të vendit
dhe mund të them, me përkushtimin më të madh, që puna do të vazhdoj edhe
më tutje me ritëm të shtuar dhe në mënyrë konkrete në mënyrë që ne të
ballafaqohemi dhe t'i mundim të gjitha sfidat me të cilat do të
ballafaqohemi gjatë kësaj periudhe.
Po ashtu, jemi dëshmitar të një përkushtimi të të gjitha
institucioneve të Kosovës për zbatimin e të gjitha kritereve nga
udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave si dhe për zbatimin e
rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian.
Progresi i cili është arritur viteve të fundit qoftë në konsolidimin e
kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave
institucionalë dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha
blloqet e udhërrëfyesit, është reflektuar në raportet e fundit të
Komisionit Evropian.
Njëkohësisht dëshiroj të theksoj se ky progres është vlerësuar edhe
nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Megjithatë,
jemi po ashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të paadresuara
për të cilat institucionet tona janë zotuar t'i përmbyllin deri më 15
maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta dorëzojnë raportin final deri
në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e
kritereve të mbetura.
Pakoja e ligjeve të gjyqësorit, të drejtave të njeriut, të prokurimit
publik do të kalojë në Kuvend së bashku me Ligjin për përgjimet dhe
krahas aprovimit do të merren masa të menjëhershme për zbatimin e këtyre
ligjeve sepse ndërlidhen me aspekte të caktuara të liberalizimit të
vizave.
Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për efektet që mund të ketë pasur
fluksi tepër i lartë i migrimit nga Kosova në fillim të këtij viti drejt
vendeve të Bashkimit Evropian, por po ashtu dua të theksoj se ne kemi
arritur ta ndalim këtë fluks dhe ta normalizojmë gjendjen dhe kemi
treguar gatishmërinë tonë që t'i pranojmë të gjithë ata që kanë migruar.
Po marrim masa të politikave ekonomike për të krijuar kushte për jetë
dhe punë në Kosovë, dhe perspektivë afatgjate të qytetarëve tanë. Mund
të them se të gjitha ministritë po e bëjnë punën e tyre në këtë proces.
Marrja e vizave në Kosovë është një proces shumë i vështirë dhe i
ndërlikuar, si për ata që bëjnë biznese, si për ata që dëshirojnë të
shkojnë dhe të shkollohen dhe të studiojnë jashtë, ata që kanë nevojë të
shërohen kur nuk gjejnë zgjidhje në Kosovë, e po ashtu edhe ata që
shkojnë të vizitojnë të afërmit e tyre.
Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që kosovarët të mbesin edhe një
kohë në geto, sepse vazhdimi i një gjendjeje të tillë do të ishte i
dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Qeveria e
Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që t'i përmbush të gjitha
detyrimet, që t'i kryejë detyrat që i ka bazuar në udhërrëfyesin për
liberalizimin e vizave. Prandaj, vlerësoj se Komisioni Evropian dhe
vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t'i sigurojnë Kosovës një
vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, as më shumë as më pak
se sa çfarë është bërë me vendet tjera të rajonit, përfundoi
kryeministri Isa Mustafa fjalën e tij në takimin e Këshillit Kombëtar të
Integrimeve Europiane.