
Diaspora
shqiptaro amerikane kërkon dorëheqjen urgjente të zëvendësministrit
të Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, informon INA.
Kjo kërkesë
bëhet përmes një iniciative nga aktivistë dhe lobues shqiptarë në SHBA,
të cilët kanë nisur aktivitete dhe kanë ngritur zërin për dorëheqjen e
Selimit, pas deklaratës së tij fyese dhe nënvlerësuese ndaj
ish-kongresmenit shqiptaro amerikan dhe kryetarit të Ligës Qytetare
Shqiptaro Amerikane, Joe DioGuardi.
Zëvendësministri i Punëve të
Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se DioGuardi nuk është më
politikan dhe person që mbron interesat e Kosovës në Kongresin amerikan
dhe se ai po ndjek politikën e opozitës kosovare në raport me Qeverinë,
por se po jep edhe deklarata si të liderëve serb.
"Nuk janë
befasuese këto deklarata të Joe DioGuardit. Ai më nuk është politikan,
por një person privat dhe një pensionist. Ai tashmë po ndjek linjën
opozitare të Kosovës. Ju kujtoj se Hashim Thaçi nga Kongresi amerikan e
kanë nominuar për çmimin "˜Nobel për Paqe'. DioGuardi nuk është më avokat
i Kosovës, por partiako-politik duke u përzier në çështjes e Kosovës.
Ai këto dy vite ka treguar se është ekskluzivisht kundër PDK-së. Para 30
viteve ai kishte merita të mëdha, kurse tani është duke folur si
Jeremiqi (ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq),
Gjuriqi (Marko Gjuriq, shef i ashtuquajturës Zyres për Kosovën në
Serbi). Ne kemi besimin e popullit dhe nuk jemi qeveri shantazhi", ka
thënë Selimi në Info Magazinë të Klan Kosovës.
Ky reagim kishte
pasuar pasi që DioGuardi në Komitetin për politikë të jashtme në
Kongresin amerikan kishte akuzuar Qeverinë dhe Hashim Thaçin për
shantazhe dhe zhvatje, duke e ndërlidhur me vepra korruptive.
Aktivistë
të diasporës fushatën e tyre po e udhëheqin edhe në rrjetet sociale me
moton "Respekt Joe DioGuardit dhe dorëheqje të jap Selimi", ku thuhet se
nëse ndokush e ka rrenuar kasapin e Ballkanit dhe i ka hape dyert e
Washingtonit per shqiptaret, ai ka qene pikerisht Joe DioGuardi dhe lobi
shqiptar ne SHBA.