LUGINA E PRESHEVËS - SHQIPTARËT E MAQEDONISË TA RUAJNË QETËSINË
E Shtunë, 05.09.2015, 11:47am (GMT+1)
Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, që në këtë kohë të mbeten të unifikuar dhe neutralë e të mos rreshtohen nga asnjëra anë e dy taborëve maqedonasë.
Kjo lëvizje nëpërmjet një komunikate thotë se Shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm për politikat antishqiptare të qeverisë aktuale, por nuk duhet lejuar që të përdoren as nga opozita.
Ja komunikata e plotë:
Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës po i ndjek me interes dhe vëmendje të veçantë zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe është e brengosur me situatën e re të krijuar atje.
Shqiptarët e Maqedonisë sikur edhe ata të Luginës së Preshevës në vazhdimësi jetojnë në trojet e veta, historikisht dhe territorialisht kompakte e që padrejtësisht janë lënë jashtë kufijve administrative të Shqipërisë dhe Kosovës. Andaj bashkëndjejmë dhe solidarizohemi me ta në këtë situatë të pasigurisë, diskriminimit sistematik dhe defokusimit nga problemet e vërteta që kanë shqiptarët atje.
Iu bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, që në këtë kohë të mbeten të unifikuar dhe neutralë e të mos rreshtohen nga asnjëra anë e dy taborëve maqedonasë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për politikat antishqiptare të qeverisë aktuale, por nuk duhet lejuar që të përdoren as nga opozita. Fakti që ajo për qëllimet e veta dhe të interesit shtetëror maqedonas po demaskon politikat qeveritare, nuk do të thotë se atë po e bën për shqiptarët dhe se atyre do t'u krijohet një status i barabartë me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, si të privilegjuar, në një shtet unitar atipik, siç është Maqedonia.
Apelojmë te shqiptarët në Maqedoni ta ruajnë qetësinë por të jenë vigjilentë. Ndërkaq lusim subjektet politike shqiptare të bëjnë përpjekje për përafrimin dhe unifikimin e qëndrimeve dhe krijimin e një plani unik të veprimit lidhur me situatën e krijuar në këtë vend.
Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës
Fatmir Arifi, kryetar
www.voal-online.ch
|