BERISHA - TË NDALET MENJËHERË DHUNA E TERRORI SHTETËROR NË KUMANOVË
E Shtunë, 05.09.2015, 03:59pm (GMT+1)
Ish presidenti e ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka bërë thirrje që të ndalet ajo që e ka quajtur dhuna shtetërore në Kumanovë.
Ky është prononcimi i plotë i Berishës, në profilin e tij në Facebook:
Të dashur miq, në orët e para të mëngjesit, njësi të blinduara të policisë së Maqedonisë kanë vënë papritmas në shtetrrethim dhe sulmuar me armë automatike, mitroloza, granatahedhëse një lagje te Kumanovës që banohet krejtësisht nga shqiptarët. Ndërkohë që autoritetet maqedonase nuk japin të dhëna, mediat e ndryshme dhe dëshmitarë nga vendngjarja informojnë për vrasje të disa civilëve të pafajshëm, fëmijë 8 vjeç, gra, të moshuar dhe shumë të tjerë të plagosur, çka dëshmon për krime të shëmtuara shtetërore ndaj popullësisë civile shqiptare në këtë qytet.
Shkaqet e këtij sulmi policor të njësive të blinduara të policisë së Maqedonisë janë ende të paqarta. Natyrisht element delinkuent mund të ketë dhe në lagjen e sulmuar por asgjë nuk përligj dhe nuk justifikon kurrë terrorin vrasjet e njerëzve të pafajshëm.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë terror shtetëror të egër të autoriteteve maqedonase dhe kërkoj ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe terrorit në Kumanovë si dhe vendosjen para ligjit të gjithë autorët, organizatorët e krimeve të shëmtuara ndaj popullatës shqiptare civile te Kumanovës. Ju bëj thirrje qytetarëve të Kumanovës të ruajnë gjakftohtësinë, të shmangin çdo provokim, akt tjetër destabilizues për qytetin e tyre!
www.voal-online.ch
|