Hetim ndërtimeve të tranzicionit
E Enjte, 04.09.2009, 09:57am (GMT+1)
Voal-online - Do të jetë një punë që do të vazhdojë për muaj të tërë. Do të bëhen verifikimet teknike, pastaj do të kontrollohen ato në fazën e projekteve dhe më tej. Është fjala për hetimet që ka ndërmarrë prokuroria e Abrucos, provincës ku ndodhet Akuila dhe qendrat e tjera të goditura nga tërmeti në Itali. Shkrime në mediat shqiptare këto ditë tërhiqnin vëmendjen rreth ndërtimeve të bëra në anën e këndejme të Adriatikut, në Durrës, Tiranë e aty rrotull. Prokuroria e Abrucos do të marrë nën hetime të gjitha ndërtimet e bëra prej vitit 1974. Në rastin e Shqipërisë, dihet se në stihinë marramendëse të ndërtimeve, dukuri aq e njohur në këto rreth njëzet vite të tranzicionit shqiptar në vazhdim, duket gati e pamundur që të ketë mbretëruar gjithnjë logjika dhe ndërtimet të jenë bërë mbi bazën e normave antisizmike. Ndoshta organet në Shqipëri janë ende në kohë për të pasur një dijeni të saktë rreth kësaj dukurie, në mënyrë që Shqipëria të mos përballet me një të papritur të padëshirueshme, larg qoftë, si ajo e fqinjve tanë të përtej detit. Mediat italiane bëjnë ndërkohë të ditur se sidomos ndërtimet publiket si spitalet, konviktet, ndërtesat arsimore e kulturore, kazermat ushtarake e tjerë janë ato që më së shumti nuk iu kanë rezistuar lëkundjeve të tokës të këtyre ditëve. Më vonë përgjegjësia do të jetë e përbashkët si për ndërtuesit ashtu edhe për organet hetuese dhe për drejtësinë në përgjithësi në Shqipëri.
|