Do të mbetet e paharruar mbrëmja e 11 Prillit 1999, kur teksa dëgjonim Zërin e Amerikës, mësuam se Agim Ramadani nuk është më. Nuk e besuam. Nuk u besuam veshëve. Agim Ramadani nuk mund të vritet. Katanën nuk mund ta kapë plumbi, sepse trimat as nuk vriten dhe as nuk vdesin.
Tri ditë më parë, më 8 Prill 1999 nën komandën e Katanës, trupat e UÇK-ës në Betejën e Koshares, kishin çliruar nga këmba e okupatorit kufirin shqiptaro-shqiptar, ndërsa vetë ai, me duart e tij kishte shkulur nga vendi piramidën që e kishte ndarë kombin shqiptar për së gjalli.
Kjo kishte qenë ëndërra më e madhe e jetës së Agim Ramadanit. "Ta çliroj kufirin shqiptaro-shqiptar, e pastaj le të rroj, por kurrsesi të vdes." Sepse jeta e vërtetë e Agim Ramadanit do të fillonte pikërisht pas çlirimit të tokës shqiptare.
Aq i pakalueshëm ishte bërë ai kufi për shqiptarët. Muri i Berlinit ishte si një liliput përpara murit ndarës që iu ishte diktuar shqiptarëve. Kufiri ndarës shqiptaro-shqiptar ishte shumë më tragjik se Perdja e Hekurt që i ishte diktuar Europës. Ka ndarje ideologjike, ka ndarje prej regjimeve, ka ndarje midis religjionesh, qytetërimesh, por ndarja që iu ishte bërë shqiptarëve mu në zemër të Europës ishte më makabërja e shekullit, prandaj unë e kuptoj më mirë se kushdo ankthin e Agim Ramadanit për ta çrrënjosur nga vendi këtë ndarje shekullore, me qëllimin e ndritur për t'i bashkuar shqiptarët.
Prandaj kishte lindur Agim Ramadani, prandaj jetonte, prandaj ishte martuar me shoqen e tij Shukrien, prandaj i kishte lindur Jetonin, Edonin dhe Laurinën. Sa nuk kishte nisur lufta, mendjen e mbante tek ai kufi ndarës, që e grryente dhe nuk e lindte të qetë shpirtin e artistit, poetit, intelektualit dhe strategut ushtarak.
Agim Ramadani e kishte çliruar me mijëra herë me mendje atë kufi. Betejën e Koshares ai e kishte luftuar dhe fituar mijëra herë në nënvetëdijën e tij. Po ashtu edhe gurin absurd të piramidës në idealet e tij ai e kishte flakur tej e përtej, përpara se të shkonte në akademinë ushtarake në Zagreb, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera.
Agim Ramadani ishte artist i madh, piktor brilant, poet i talentuar, njeri i kulturuar dhe i kultivuar që shumëkush mund të mendonte se asgjë nuk e lidhte atë me luftën. Dhe ashtu është e vërteta. Kurrë nuk kishte për të shkuar në luftë Agim Ramadani nëse nuk ishte fjala për idealin më të madhe të jetës së tij. Vetëm për hir të këtij ideali, ai mund të linte familjen e tij, penelat dhe tablotë e tij, të pushtuara nga e kuqja e flamurit dhe e zeza e shkabës, të cilat i vizituam në ekspozitën e tij të fundit që piktori hapi në Lozanë. Ishte takimi i fundit që patën me Agim Ramadanin në tokë. Nuk do ta kishim menduar kurrë as ai, as Shukria dhe as ne që nuk do të takoheshim më.
Pastaj e mësuam se Agimi shkoi në luftë duke u bërë një nga strategët e UÇK-së. Në dhjetorin e 1998, në prag të Vitit të Ri 1999, ashtu siç e tregon edhe kënga e Jetonit, Agim Ramadani u kthye në Zvicër për të takuar familjen dhe për të bërë disa takime sensibilizuese për luftën. Nuk u ndodhëm atë ditë në gazetë në Zürich, kur ai kishte ardhur për të na takuar. Na mbeti peng, por gjithsesi besuam se do të takoheshim me Agim Ramadanin, pas luftës, me çlirimin e Kosovës, për ta festuar fitoren.
Kështu besuam deri më 11 Prillin e 1999, kur gazetari tek Zëri i Amerikës kumtoi lajmin se Katana nuk është më. Ishte rrenc i madh ai gazetari i Zërit të Amerikës. Sepse Katana as nuk vritet dhe as nuk vdes. E si mund të vritej Katana më 11 Prillin e 1999, kur më 8 Prillin e 1999, ai me shokët e tij kishte çliruar kufirin shqiptaro-shqiptar, duke plotësuar kështu ëndërrën dhe idealin e jetës së tij, për realizimin e së cilës ai kishte që kishte qënë gati të jepte në çdo çast jetën, ashtu edhe siç e dha.