Lëvizja e lirë është një nga karakteristikat themelore që e përkufizon sot Europën e Bashkuar, duke nënkuptuar hapjen e kufijve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve pa dallim nacioni, religjioni apo bindjesh politike. Qytetarët e thjeshtë nuk interesohen aspak të dinë përfitimet e ndërsjellta, bilaterale apo ndërlaterale që gëzojnë vendet pjesëtare në këtë hapësirë, atyre u intereson vetëm që me pasaportën apo me kartën e tyre të identitetit të kalojnë nga shteti në shtet nëpër ata kufij që dikur ishin kthyer në barriera të pakalueshme, për një pjesë të vendeve të reja të BE-së.
Nocioni i lëvizjes së lirë të çdo qytetari është shprehje e lirisë së individit në atë masë që tashmë ajo ekziston në vendin prej nga qytetari e ka prejardhjen. Kështu qytetarët e Europës të Bashkuar e kanë të garantuar qarkullimin e lirë, sepse ata gëzojnë standardet e qytetarëve që të mundëson shteti demokratik i së drejtës.
Disa vende të Ballkanit, për t'iu paraprirë proceseve integruese në BE i kanë hapur kufijtë ndërsjelltas për qytetarët e tyre. Kështu është sanksionuar lëvizja e lirë e shtetasve të Maqedonisë në territoret e Shqipërisë dhe anasjelltas apo e shtetasve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë respektivisht në vendet e njëri-tjetrit.
Kjo hapje ka pasur një impakt shumë pozitiv jo vetëm për shqiptarët, që duken të privilegjuar nga fati, si një komb që popullon gjashtë-shtatë shtete në Ballkan, por të privilegjuar janë të gjithë shtetasit e këtyre vendeve, pavarësisht çfarëdo përkatësie natyrore, shpirtërore apo shoqërore.
U bë shtysë e këtij parashtrimi debati që ka ngjallur këtyre ditëve në Prishtinë lejimi i vizitës së presidentit të Serbisë, Boris Tadiçit në Manastirin e Deçanit, me rastin e Pashkëve Ortodokse. Në këtë pikëvështrim, e konsideroj të matur reagimin e Kryeministrit të Kosovës, kur thotë se ai nuk vuan nga deficiti i patriotizmit. Dhe shton se vizita e Tadiçit është në kontekstin e një vizite private gjatë një feste fetare në një shtet demokratik si Kosova, ku liritë e njeriut janë të garantuara nga kushtetuta e një vendi i cili pretendon të integrohet sa më shpejt në NATO dhe BE.
Sa herë që Kosova përballet me sfida si kjo me Tadiçin, pra sa herë që Tadiçi do ta vizitojë Kosovën, aq më tepër do të konfirmohet realiteti i shtetit më të ri të botës, si realiteti i një vendi të lirë dhe demokratik që e ka si prioritet tolerancën dhe respektimin e pakicave.
Po t'i hedhim një sy të shkuarës së afërme, ishte një kohë kur marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, ishin tepër të ndera. Sot kemi përpara syve një realitet krejt të ri, ku Greqia është vend partner që e përkrahu dhe mbështeti Shqipërinë si për anëtarësim e saj në NATO, ashtu edhe për Marrëveshjen e Asosacim Stabilizimit.
Po të kundrojmë më tej, në një kohë pak më të largët, mund të themi se Franca dhe Gjermania ishin dy armiq të papajtueshëm, sot ata janë dy partnerë të fuqishëm të NATO-s dhe BE-së.
Në këtë kahje, do të rrjedhin ujërat edhe për vendet e Ballkanit. Kjo do të jetë magjia e integrimit. Kjo e bën edhe më të besueshëm proverbin popullor që thotë "mikun e zgjedh, ndërsa fqinjin ta cakton Zoti", në kuptimin se nuk e ndryshon dot. Nëse ka hapësirë për të ndryshuar, kjo është hapësira e mentaliteteve të reja, që kërkon me rigorozitet Shekulli XXI, sipas prerogativave të Europës së Bashkuar, ku Ballkani, pa përjashtime është pjesë integrale e saj.
Kështu që kritikat në adresë të Thaçit më duken jashtëkohore, po aq jashtëkohorë sa u duken sot qytetarëve të Europës të Bashkurar kufijtë ndërshtetërorë.
Dikush do të thotë, se Tadiçit megjithëse i ishte kërkuar që të shmangte retorikën nacionaliste, ai nuk hoqi dorë edhe kësaj here prej saj. Kësaj here nuk hoqi, por do të jetë i detyruar që të heqë, jo se do t'ia diktojnë shqiptarët, por se do t'ia diktojnë patjetër prirjet e reja rajonale, europiane dhe globale, do t'ia diktojnë brezat e rinj të vendit që përfaqëson, të cilëve nuk u intereson aspak kjo retorikë, por ata do të duan një orë e më parë që të integrohen në Europë.