VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
BISEDIME JO, DIALOG PO Nga SKËNDER BUÇPAPAJ E Djelë, 03.13.2011, 07:33am (GMT1) "Procesi që do të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë nuk është proces bisedimesh, është një proces dialogu," tha zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA Tom Kantrimen në përgjigje të një pyetje të bërë në konferencën e shtypit të dhënë në ambasadën amerikane në Tiranë. Nuk do t'i kisha dhënë shumë peshë ndryshimit midis bisedimeve dhe dialogut nëse nuk do të kisha vënë re se, sidomos pas këtij saktësimi që ia bënte diplomati i lartë amerikan termit të procesit që do të ndodhë midis dy vendeve të pavarur dhe sovrane fqinje, Kosovës dhe Serbisë, të gjithë zyrtarët e lartë perëndimorë të përfshirë në këtë temë këto javët e fundit, i kam dëgjuar të përdorin vetëm termin "dialog" dhe asnjëherë termin "bisedime". Më herët, ndoshta për pakujdesi, ndoshta për shkak se termi ende nuk ishte përkufizuar, përdoreshin sa njëri, sa tjetri term, sa "bisedime", sa "dialog". Për dialog flet Kongresi Eliot Engel në letrën e nënshkruar nga 20 anëtarë të Kongresit të SHBA, demokratë dhe republikanë, ku i bën thirrje Presidentit Barak Obama që "Shtetet e Bashkuara të luajnë rol kryesor në ndërmjetësimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të jenë të pranishme në të gjitha fazat e tij së bashku me Bashkimin Evropian", pasi "pa praninë e Shteteve të Bashkuara, populli i Kosovës nuk do të ketë besim në këtë proces dhe se dialogu ka të ngjarë të dështojë". Dhe z. Engel e ndërmerr këtë iniciativë i shtyrë pikërisht nga fakti se procesi midis fqinjëve ka filluar me një favorizim në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe heqjes së regjimit të vizave ndaj Serbisë dhe duke e vënë Kosovën në atë pozicion që nesër ta bllokojë Kosovën në proceset e integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe ta shndërrojë Kosovën në vrimë të zezë të rajoni. Duke ia bërë këto favore Serbisë, de fakto, Bashkimi Evropian e ka minuar, ende pa nisur, procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Sepse Kosova nuk ka asnjë arsye të përfshihet në një proces i cili do të kishte si rezultat shndërrimin e Kosovës në një konflikt të ngrirë. Kosova do të kishte arsye të përfshihej në procesin e dialogut vetëm nëse rezultati i tij do të ishte njohja e ndërsjellët midis dy vendeve fqinje dhe anëtarësimi i njëkohshëm i Kosovës dhe i Serbisë në Bashkimin Evropian. Edhe Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Faith, në ditën e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës, në Zërin e Amerikës, në intervistën më të mirë që kam dëgjuar apo lexuar prej tij, flet për dialog midis dy vendeve, ku ai është i prerë që në asnjë mënyrë të mos përfshihet çështja e statusit të Kosovës dhe tërësisë tokësore të Kosovës. I pyetur për fatin e veriut të Kosovës në këtë proces, se a do të ketë një status të posaçëm, a do të mbetet konflikt i ngrirë apo cila mund të jetë e ardhmja e asaj pjese, si përfaqësues civil ndërkombëtar, tha se janë tri gjëra që duhet të shmangen me çdo kusht: "E para është të shmanget ndarja. E dyta është ajo që thatë ju, që veriu të përfundojë si konflikti ngrirë dhe e treta të shmanget dhuna që mund të shpërthejë si rezultat i përpjekjeve për ndryshimin e situatës. Ndryshimi është i domosdoshëm, meqë status quoja nuk është e qëndrueshme në veri. Ajo që do të donim të shihnim është që si rezultat i forcimit të sundimit të ligjit, të forcojmë sigurinë për njerëzit. Që të shohim sërish mbledhjen e taksave nga doganat që do të ishin me përfitim edhe për Serbinë edhe për Kosovën, që të hapen gjykatat. Mbase, çka është më e rëndësishmja që t'i japim më shumë frymë shoqërisë civile dhe forcave që aspirojnë ndryshimet demokratike. Ka shumë frikësim në veri." Dihet se shkaktare, sponsorizuese dhe imponuese e sundimit të xhunglës në veriun e Kosovës është Serbia. Gjatë procesit të dialogut, ku ballafaqohen Kosova dhe Serbia, i cili do të jetë i prirë doemos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Serbisë do t'i kërkohet që ta çmontojë praninë dhe rolin e saj në këtë pjesë të Kosovës, duke ia kthyer qetësinë, paqen, frymëmarrjen kësaj pjese të Kosovës, duke e lejuar shtetin e Kosovës t'i ndërtojë marrëdhëniet e saj me qytetarët e vet, duke filluar që nga mbledhja e taksave si detyrim i qytetarëve ndaj shtetit dhe duke vazhduar me të gjitha hollësitë e përditshmërisë. Duke hyrë në terrenin konkret të dialogut, z. Faith tha se ai do të ketë vijat e kaltra dhe vijat e kuqe. "Vijat e kaltra janë ato që Kosova duhet të synojë, ndërsa të kuqet ato që duhet të shmangen." Dialogu, pra, konsiston në rregullimin e mbarëvajtjes së çështjeve praktike në përditshmërinë e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje, që nga funksionimi i doganave midis dy vendeve, ku secili të përfitojë nga vjelja e të ardhurave, tek lufta kundër kriminaliteteve më të përhapura në rajon, të cilat e pengojnë jetën e qetë dhe zhvillimin normal të të dyja vendeve, tek kontrolli i plotë i kufirit shtetëror midis tyre. Pra, të gjitha këto do të jenë në dobi të funksionimit të Kosovës si shtet brenda kufijve të saj shtetërorë në fqinjësi të Serbisë dhe të funksionimit të Serbisë si shtet brenda kufijve të saj shtetërorë në fqinjësi të Kosovës. Ecuria e këtij dialogu nga njëra fazë në tjetrën, me zgjidhjen e të gjitha çështjeve praktike në marrëdhëniet midis tyre, do të përfundojë me njohjen e ndërsjellët midis dy vendeve dhe me përmbylljen e procesit të anëtarësimit të të dyja vendeve fqinje të pavarura dhe sovrane në mënyrë të njëkohshme në Bashkimin Evropian. Dialogu përkufizohet si diskutim mes palëve i orientuar për të gjetur zgjidhjen e një problemi. Me qenë se problemet për t'u zgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë janë të shumta, ato do të diskutohen një nga një dhe të zgjidhen një nga një. Këto diskutime dhe zgjidhjet që vijnë prej tyre, e përbëjnë procesin e dialogut. Një diskutim i ri fillon vetëm pasi të ketë përfunduar një diskutim i mëparshëm, një zgjidhje për një problem tjetër kërkohet vetëm pasi është arritur një zgidhje për një problem të shtruar më parë. Bisedimet janë trajta shqipe e termit negociata. Negociatat janë përpjekje për t'u arritur një marrëveshje ose një kompromis mes palëve nëpërmjet diskutimit. Midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka çështje të kësaj natyre për t'u diskutuar, pasi ato janë diskutuar dhe janë përfunduar në procesin e drejtuar nga Presidenti Ahtisari, i cili ishte proces bisedimesh. Nga ky proces buron zyrtarizmi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, ligjshmëria e të cilit është kurorëzuar përfundimisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në përgjigje të një padie që Serbia ngriti kundër ligjshmërisë së shpalljes së kësaj pavarësie dhe sovraniteti. Kush kërkon t'i përfytyrojë se si do të ishin bisedimet atëherë le të ketë parasysh procesin e drejtuar nga Ahtisari, prej nga doli në përfundim Pakoja Ahtisari dhe Plani Ahtisari. Zbatimi i këtij plani është realizuar në ato pjesë të Kosovës ku nuk ka ndërhyrë Serbia, ndërsa në pjesën tjetër nuk është realizuar, sepse ka ndërhyrë Serbia. Dialogu do të kërkojë që Serbia të heqë dorë nga ndërhyrjet dhe ta lejojë zbatimin e Planit të Ahtisarit edhe në veriun e Kosovës dhe kështu përfundimisht Plani Ahtisari të gjejë zbatim të plotë në gjithë tërësinë e tij. Derisa të jetë përmbyllur ky proces zbatues, atëherë pikëpyetjen që vë mbi Kosovën, Serbia e vë pashmangshëm edhe mbi veten e saj. (Botuar në Bota Sot më 19 shkurt 2011) POETIKA E DHIMBJES NË NJË ROMAN TË RI Romani "Imazh" i Zef Mulajt Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NJË SKEMË PA SENS KRIJUESNga SKËNDER BUÇPAPAJ A ËSHTË E PËRGATITUR LIDHJA DEMOKRATIKE PËR TA QEVERISUR KOSOVËN?
21 JANARI DHE INTELEKTUALËT LAKEJ
KUVENDI I RI: TIPOLOGJI, KAAKTERIZIME, PROGNOZA Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PËRSHPIRTNI NAZMI LUKAJT, MIKUT DHE KOLEGUT 21 JANARI NË RADARIN E JASHTËM MEDIATIK Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
NJË VERSION I NËNTËDHJETESHTATËS
BAJRAKU NË ÇARSHI OSE POLITIKA NË ANKAND
ROJA TË SOVRANITETIT Zotër shtëpie Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
PDK DHE LDK SHTRATIN ENDE TË NXEHTË KOLLITJET E STALINIT... ...nesër në "tri komunat heroike" Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
MARTY & THAÇI, THE PRECEDENT & SUBSEQUENT TË DUAN, PA TË QORTOJNË (Letër e mbyllur partive) Nga SKËNDER BUÇPAPAJ UKË RUGOVA DHE QYTETARIA E DINASTIVE NË DEMOKRACI SIMBOL I LUFTËS SË KOSOVËS ËSHTË SHTËPIA E JASHARAJVE, NUK ËSHTË "SHTËPIA E VERDHË" EVROPA NË ANËN E HUMBËSVE TË LUFTËS SË KOSOVËS MINUS NEXHATI, PLUS ALBINI, BARAS ÇKA? POLITIKËN MUND TA NDRYSHOSH VETËM DUKE MARRË PJESË NË POLITIKË SHKRIRJA E MEDIAVE NË PUSHTETIN POLITIK
Sot mbushen plot 17 vjet nga dalja për herë të parë në satelit e Radiotelevizionit Shqiptar NGASJET E PERSONALIZIMIT TË HISTORISË GREQIA DHE SHQIPËRIA, GREKËT DHE SHQIPTARËT
PDK DHE LDK SHAHEN... DERI PAS ZGJEDHJEVE AKSESI I KOSOVËS NË DOSJET E SPIUNËVE TË SAJ SINDROMI I THESARIT TË ALI PASHË TEPELENËS SI E KAPI GREQINË EMPATI E MBRAPSHTË E SOCIALISTËVE ME DEMOKRATËT
SHQIPTARIZMI NË KONTEKSTIN E EVROATLANTIZMIT DHE GLOBALIZMIT
VIZIONI YNË EVROPIAN I RIBASHKIMIT SHQIPTAR Nga SKËNDER BUÇPAPAJ HAMENDJET PARAZGJEDHORE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NUK KAM MALL PËR FUSHATAT E DORËHEQJEVE, LARG QOFSHIN FUSHATAT E DORËHEQJEVE A DO TË VAZHDOJË NJOHJET EDHE GJATË DIALOGUT?
MBYLLJA ME NDER E MISIONEVE NDËRKOMBËTARE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
A MUND ERDHËT PREJ NJU JORKU Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NË Ç'RRUGË KA HYRË PROCESI I NJOHJEVE NË LDK ASGJË E RE, ASGJË E RE NË LDK HISTORIA NUK ËSHTË E PARTIVE, PARTITË JANË PJESË E HISTORISË
E NGRIRË KOSOVA NUK MUND TË HYJË NË BISEDIME TË REJA Nga SKËNDER BUÇPAPAJ PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINË
PËR INAT TË KOSOVËS, SERBIA ËSHTË GATI TË BËJË ÇFARËDO HARAKIRI Nga SKËNDER BUÇPAPAJ LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH BALLKANIN, EVROPËN... KOSOVA DHE NJOHJET - GJEOPOLITIKA TJETËR
MË TEPËR SE NJË GJETJE FORMULE, NJË THYERJE TABUJE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ VERIU I KOSOVËS, FUSHËBETEJA E FUNDIT?
NË HORIZONTE ENDE ASNJË RRETHANË OPTIMALE PËR BISEDIME
MARRËDHËNIET ME NDËRKOMBËTARËT SHPREHIN AFTËSINË SHTETËRORE TË KOSOVËS SKËNDER BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |