SALI BERISHA
Dua t'ju falenderoj për nderin që me ofruat sot, që t'i drejtohem kësaj audience, Kongresit të Partive Popullore Europiane (EPP), që është një ngjarje shumë e madhe dhe levë shumë e fuqishme për një fitore të re të ardhshme të Partive Popullore në mbarë Europën, në interesin më të mirë të Europës.
Ne mblidhemi sot në një vit që shënon 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ngjarjes më të madhe në historinë e qytetërimit tonë, në historinë e lirisë së njerëzimit, pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë përvjetor, çdo qytetar i lirë i Europës i detyrohet kaq shumë dhe nderon sot dy burra të mëdhenj të kombit polak; Papa Gjon Pali i Dytë, i cili shndërroi kishën në një mburojë të vlerave fondamentale në shoqëritë e shtypura dhe Presidentin Leh Valesa, Davidi, i cili në Dansk, në emër të popullit të tij dhe të gjithë popujve të shtypur të Europës, luftoi dhe mundi goliathin. Presidenti Valesa! Ju përshëndes ju, me përshëndetjen që unë kam më shumë në zemër dhe është një përshëndetje tradicionale shqiptare; Tungjatjeta!
Një mirënjohje e thellë, falenderim i përzemërt, është për të gjitha partitë popullore dhe njerëzit, të cilët në besimin tim më të thellë, ishin promotorët e vërtetë të rënies të Murit të Berlinit. Nuk njoh asnjë qeveri të majtë të asaj kohe, që ishte e lumtur me rënien e atij muri, e kundërta është e vërtetë. Por gjithashtu, falenderimi është për ju, për të gjithë miqtë këtu, për ndihmën e madhe që i keni dhënë vendit dhe kombit tim në udhëtimin e tij të lirisë, demokracisë dhe integrimit.
Gjatë këtyre viteve, kam udhëtuar shumë në kryeqytetet e vendeve tuaja, kam takuar kryetarët e partive, shteteve dhe qeverive tuaja. Në këto udhëtime, unë kam mbajtur në shpirt dhe zemër, projektet ëndërr të kombit tim, apo ëndrrën e integrimin euroatlantik dhe europian. Këtë muaj, unë dhe kombi im, pamë në Strasburg, ëndrrën euroatlantike të bëhej realitet, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Dhe tre ditë më parë, bëmë një hap shumë të rëndësishëm në histori, tre ditë më parë, Shqipëria aplikoi për statusin e kandidatit në BE, me miratimin e vendeve dhe qeverive tuaja.
Kjo ishte e mundshme për shkak të ndihmës, mbështetjes, asistencës tuaj. Katër vite më parë, unë rierdha në pushtet. Kombi im po përballej me disa mure shumë të vështira që qëndronin para tij, mure, të cilat pothuajse po i mbyllnin dyert projektit të tij ëndërr, muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit.
U zotova para qytetarëve të mi, se do ta luftoj me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontoj atë mur dhe kështu bëra. Në 16 muaj ne çmontuam 206 grupe kriminale dhe arrestuam mbi 1000 anëtarë dhe bosë të këtyre organizatave dhe sot vendi im ka treguesit e kriminalitetit më të ulët se mesatarja juaj. Vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga 2.7 milion turistë të huaj nga vendet tuaja në siguri të plotë. Shqipëria është një vend i sigurt.
Muri i dytë ishte korrupsioni, u zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë. Shqipëria, që ishte në 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. Ne nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informantët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6% të vlerës që sjellin. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike.
Cilat janë rezultatet? Ne shkurtuam 1% shpenzimet operative të administratës, kursyem në prokurime 0.5 miliard euro, duke luftuar korrupsionin në dogana, taksa dhe tatime dhe duke ulur taksat, kemi arritur në tre vjet të kemi 3 miliard euro më shumë se qeveria e mëparshme. Korrupsioni është një kancer që duhet luftuar çdo ditë dhe ne jemi shumë të vendosur ta luftojmë atë. Por, këto rezultate janë rezultate të një programi të qendrës së djathtë, që ne së bashku ndajmë dhe i besojmë, reformave të ndërmarra, të bazuara në këtë program. Unë iu kam premtuar qytetarëve të mi taksa të ulta. Sot, vendi im është vendi me taksat më të ulëta në Europë, ju lutem, thuajuni investitorëve tuaj të vijnë në vendin tim, përfundimisht ata do të jenë të lumtur. Ata do të gjejnë një taksë të sheshtë 10%, 15% kontribut social dhe 1.5% taksa e biznesit të vogël. Unë do të vazhdoj me revolucionin fiskal. Por, cilat janë të ardhurat, mund të më pyesni ju? Ato rriten çdo vit me 22%, çdo vit unë kam dërguar në qershor një buxhet të dytë shtesë në Parlament. Taksat e ulta shpërblejnë më shumë se sa taksat e larta. Vendi im kishte një rritje 8%, këtë vit, si pasojë e krizës, ne përsëri po mbahemi në 4%.
Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve në qershor dhe unë bëj këtu një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe do ta mbaj këtë premtim, me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju, partive të PPE, të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet.
Por gjithashtu, ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t'ju informoj se ne do t'i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që, me ndihmën tuaj, do të shndërrohen në realitet përsëri".