Editorial: Politika duhet të jetë më e bashkuar se kurrë
E Djelë, 05.03.2009, 11:16am (GMT+1)
Voal-online Tronditja që ka shkaktuar vrasja e anëtarit të Kuvendit të Shqipërisë, deputetit socialist Fatmir Xhindi, është përjetuar tejet rëndë në opinionin shqiptar. Kështu do të përjetohej një ngjarje e tillë kurdo e kudo që të ndodhte në Shqipëri. Konteksti kohor domosdo që e ngarkon edhe më shumë gjendjen në vend. Shteti ligjor është vënë para një prove vendimtare. Përballimi i situatës mund të arrihet me sukses vetëm nëse politika do të jetë më e bashkuar se kurrë. Vetëm kështu politika mund të ngrihet mbi vetveten dhe të jetë në lartësinë e qytetarëve shqiptarë, në lartësinë e shoqërisë shqiptare. Dhe do të ketë qartësinë e vendosmërinë e duhur për të vënë gishtin mbi çdo plagë që ekziston në trupin e kësaj politike. Do të ketë vizionin për t'u shkëputur nga e kaluara, për të ecur vetë përpara dhe për ta prirë vendin përpara, në integrimet evropiane. Veç e veç pjesët e politikës nuk mund të arrijnë asnjë hap të rëndësishëm, të bashkuar mund të arrijnë gjithçka. Gara, në kontekstin e rajonit e më gjerë, do të jetë gjithnjë e më e vështirë, gjithnjë e më e ndërlikuar. Shqipëria nuk e meriton që politika e saj ta pengojë drejt së ardhmes të cilën ajo e meriton po aq, ndoshta më shumë se çdo vend në rajon. Për asnjë çast politikës nuk i lejohet të harrojë se ajo është në konkurencë jo vetëm brenda vetvetes, jo vetëm brenda sistemit pluralist, por është në konkurencë edhe me vetë shoqërinë shqiptare, është në konkurencë edhe me prirjet e shoqërisë shqiptare për të përmbushur sa më shpejt objektivat e saj, është në konkurencë me vetë kohën. Vetëm e bashkuar, në kuadrin e një transparence të plotë në marrëdhëniet mes vetes, politika mund të jetë kompatibile me shoqërinë prej nga ka dalë e së cilës i përket, mund të jetë kompatibile me prirjet bashkëkohore në vend dhe jashtë tij. Vetëm e bashkuar, politika mund të ketë vizionet moderne pa të cilat ajo nuk mund të përballet me sifdat, të pritura apo të papritura, të parashikuara apo të paparishikuara. Përgjegjësi numër një dhe urgjente është që politika në Shqipëri t'i japë vendit zgjedhjet shembullore që ia ka premtuar. Dhe këtë ajo mund ta kryejë vetëm duke qenë e bashkuar. Format, mënyrat më të mira për të qenë e bashkuar, politika mund t'i gjejë vetëm kur të ketë vënë mbi gjithçka interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
|