Voal-online Dëbimi nga Kolumbia i ish Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish Kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, gjithnjë aktiv në politikën dhe në jetën e Kosovës, ka bërë bujë në opionin botëror, domosdo edhe në opinionin shqiptar. Buja nuk lidhet aq me faktin se dëbimi është bërë mbi bazën e fletarrestit të lëshuar nga Serbia, sa lidhet me faktin se strukturat ndërkombëtare vazhdojnë t'i konsiderojnë qytetarët e Kosovës qytetarë të Serbisë, rrjedhimisht, vazhdojnë ta shikojnë Kosovën juridiksion të Serbisë. Ngjarja me Agim Çekun ndodh në një periudhë kur Serbia është më sulmuese se kurrë, më agresive se kurrë dhe më e nervozuar se kurrë në mësymjen e saj të gjithanshme kundër Kosovës. Kjo duhet të përbëjë alarm për Kosovën dhe për të gjithë faktorët në bashkësinë ndërkombëtare të interesuar për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe për stabilitetin në Evropën Juglindore. Është koha që të kuptohet përfundimisht se ky rajon nuk stabilizohet duke i krijuar hapësirë Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por duke ia mbajtur sa më me pikatore Serbisë çdo hapësirë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sjellja ndaj Agim Çekut tregon se asnjë qytetar i Kosovës, asnjë lider i Kosovës nuk ka asnjë lloj imuniteti në asnjë hap që ai hedh, në fakt, në vendin e tij apo jashtë vendit të tij. Kjo që i ndodhi Agim Çekut, pra, mund t'i ndodhë cilitdo nga qytetarët apo zyrtarët e Kosovës, mjafton që Serbisë t'i teket një gjë e tillë. Agim Çeku ishte në Kolumbi, e cila e ka njohur Kosovën e pavarur dhe sovrane. Prandaj u mjaftua gjithçka me dëbimin e tij. Përndryshe ai do të përfundonte i arrestuar. Kjo ngre alarmin që vendet e fuqishme, të cilat e kanë njohur Kosovën e pavarur dhe sovrane t'i marrin sa më shpejt masat që Kosova të funksionojë ndërkombëtarisht si juridiksion më vete dhe jo më si juridiksion i Serbisë. Gjithsesi veprimi i Serbisë ndaj Agim Çekut e denoncon Serbninë përballë botës së qytetëruar si një vend që punon me kapacitet të plotë, madje me kapacitet të mbingarkuar kundër Kosovës, këtij vendi fqinj, i cili deri para dhjetë vjetësh ishte i pushtuar, në mënyrën më barbare, nga Serbia. Shtetarët e Kosovës, miqtë e Kosovës, faktorët paqedashës në botë duhet ta kuptojnë saktë rrezikun që përbën Serbia jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin, pra edhe për paqen e përgjithshme. Nëpërkëmbja e integritetit të Agim Çekut është pjesë e nëpërkëmbëjes së integritetit të Kosovës, të cilën Serbia e ushtron pandërprerë, gjithnjë e më haptas dhe gjithnjë e më egërsisht.